Kush jemi
Lëvizja Bashkë u themelua më 18 dhjetor 2022, me iniciativën e aktivistëve dhe anëtarëve të Organizatës Politike, një grupimi që ka vepruar që prej vitit 2011 në Shqipëri.
Aktiviteti i Organizatës Politike është shtrirë në tre kauza kryesore:
- në kauzën punëtore për ngritjen e sindikatave të pavarura në sektorë të ndryshëm, si e vetmja mundësi për demokratizimin e vendit të punës, e rrjedhimisht për punë dhe jetë me dinjitet;
- në kauzën studentore, që nisi si iniciativë e studentëve dhe pedagogëve të universiteteve publike për kundërshtimin e reformës klienteliste në arsimin e lartë, e që më pas u shtri edhe në problematikat e shumta me te cilat përballen studentët në përditshmëri;
- në kauzat e ndryshme sociale, që nga projektligji për njohjen e Minimumit Jetik, te kauza kundër betonizimit të Tiranës, për transport publik cilësor, kundër shkatërrimit të Lumit Vjosa dhe mbrojtjen e mjedisit, barazinë gjinore etj.
Botëkuptimin, programin social-ekonomik dhe vizionin e demokracisë pjesëmarrëse të Lëvizjes Bashkë mund ta lexoni te Manifesti ynë. Lëvizja Bashkë i përket botëkuptimit të së majtës demokratike, e cila deri më sot ka pasur një pozitë margjinale në vendin tonë. Rrjedhimisht ne synojmë një shtet social i cili kujdeset për qytetarët përmes institucioneve publike dhe shërbimeve si në arsim dhe shëndetësi, përmes skemave të pensioneve, strehimit social, transportit publik, kontratave kolektive në punë, taksimit progresiv, mbrojtjes së mjedisit etj.
Ne gjithashtu besojmë se një shtet i së drejtës do duhet t’i shpallë luftë monopoleve, duhet të nxisë hetimin dhe anulimin e koncensioneve dhe PPP-ve si dhe të nxisë konkurrencën në ekonomi, të mbështesë profesionistët e lirë, biznesin e vogël e të mesëm përmes uljes së taksave dhe subvencioneve, dhe të orientojë investimet publike e private drejt sektorëve të prodhimit dhe sektorëve IT.
Ne besojmë te demokratizimi i vazhdueshëm i shtetit dhe shoqërisë dhe synojmë një demokraci sa më pjesëmarrëse, ku qytetarëve u garantohet e drejta e iniciativës ligjvënëse me referendum. Ne synojmë demokratizimin themelor të sistemit zgjedhor përmes vendosjes së një sistemi zgjedhor proporcional kombëtar. Ne zotohemi të luftojë për të drejtën e shtetasve shqiptarë me banim jashtë Shqipërisë për të votuar prej vendeve ku jetojnë.
Organizimin institucional të Lëvizjes Bashkë mund ta lexoni te Statuti ynë. Struktura më e rëndësishme vendimmarrëve e lëvizjes është Këshilli Koordinues i përbërë nga 50 anëtarë. Struktura ekzekutive është Sekretariati i përbërë nga 9 anëtarë, ndërsa struktura kapilare e shtrirjes në territor bazohet në Bazat e ngritura në çdo njësi administrative në Tiranë, në qytete të tjera të vendit, si dhe në diasporë.
Ne jemi të bindur se ndryshimet rrënjësore demokratike nuk mund të arrihen nga veprimet individuale të një njeriu, e as të një grupi njerëzish, por vetëm përmes përfshirjes së gjerë dhe aktive të qytetarëve që i kërkojnë këto ndryshime. Por jemi gjithashtu të bindur se këto ndryshime janë të arritshme dhe të realizueshme në vendin tone.
Bashkë do t’ia dalim!