STATUTI I PARTISË “LËVIZJA BASHKË”

Preambulë

Ne, anëtarët e Lëvizjes BASHKË, të vetëdijshëm për problemet dhe sfidat e shoqërisë sonë, krenarë për arritjet historike të popullit tonë, të frymëzuar nga lëvizjet emancipuese shoqërore kombëtare e botërore, me besim te liria, barazia, solidariteti e dinjiteti njerëzor, të vetëdijshëm për rëndësinë e zhvillimit ekonomik e drejtësisë shoqërore, vlerësues të rolit të punës dhe krijimtarisë individuale e kolektive, të përkushtuar ndaj demokracisë dhe pjesëmarrjes qytetare, dëshmojmë ekzistencën tonë politike dhe vendosim të organizohemi së brendshmi sipas parimeve dhe mënyrave të hartuara në këtë statut.

Kreu I DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1 Emri

Emërtimi i plotë i partisë është Lëvizja BASHKË, me akronimin BASHKË. Për efekte të përfaqësimit dhe komunikimit mund të përdoren si emri i plotë, ashtu edhe akronimi. Në këtë dokument edhe termi Parti nënkupton Lëvizjen BASHKË.

Neni 2 Selia e Partisë

Selia e Lëvizjes BASHKË është në adresën: “Rr. Islam Petrela”, Nr. 92, Tiranë. Lëvizja BASHKË ka të drejtë të ketë shtrirje të saj në çdo pjesë të territorit të Republikës së Shqipërisë, si dhe të organizohet kudo ku banojnë shtetas shqiptarë, duke respektuar ligjet e vendeve ku ata jetojnë.

Neni 3 Stema e Partisë

Partia Lëvizja BASHKË ka stemën e saj. Stema ka si përmbajtje Lëvizja BASHKË, të shkruar me germa kapitale me ngjyrë të zezë, dhe poshtë ka një shigjetë të stilizuar në ngjyrë të kuqe, e cila simbolizon progresin, si më poshtë:

logo icon

Neni 4 Vula

Partia Lëvizja BASHKË ka vulën e saj, e cila është në formë drejtkëndore, e kornizuar në ngjyrë të kuqe, brenda së cilës do të vendoset Stema e Partisë, e gjitha në ngjyrë të kuqe.

Neni 5 Qëllimet politike të Partisë

Lëvizja BASHKË është një parti e formuar mbi baza demokratike, anëtarët e së cilës synojnë të marrin pjesë në mënyrë aktive në qeverisjen qendrore dhe vendore. Lëvizja BASHKË është një parti e qytetarëve që respektojnë rendin ligjor, që mbrojnë liritë dhe të drejtat e tyre dhe respektojnë liritë e të drejtat e të tjerëve.

Neni 6 Parimet e organizimit të Partisë

Lëvizja BASHKË është një organizim politik i qytetarëve të grupuar me vullnet të lirë në strukturat e saj të organizuara mbi bazën e ndarjes territoriale të vendit. Organizimi i brendshëm i partisë ndjek parimet e:

  1. Ndërtimit të partisë nga poshtë lart;
  2. Organizimit të zgjedhjeve të brendshme demokratike për strukturat e Lëvizjes BASHKË;
  3. Lirisë së shprehjes së mendimit nga çdo anëtar;
  4. Të drejtës së çdo anëtari për të zgjedhur e për t’u zgjedhur.

Kreu II ANËTARËSIA

Neni 7 Fitimi i anëtarësisë

I lind e drejta të bëhet anëtar i Lëvizjes BASHKË çdo shtetasi shqiptar prej moshës 16 vjeç e sipër, që bie dakord me veprimtarinë e Lëvizjes BASHKË, pranon dokumentet themelore, veçanërisht Programin, Statutin, Kodin e Etikës dhe rregulloret e ndryshme, si dhe mbështet veprimtarinë politike të saj. Strukturat drejtuese të Lëvizjes BASHKË mund t’i akordojnë statusin e anëtarit të nderit çdo figure publike të respektuar në Shqipëri.

  1. Pranimi si anëtar/e i/e Lëvizjes BASHKË bëhet pas plotësimit të formularit të anëtarësimit në faqen zyrtare ose pranë një njësie Bazë, dhe përcaktimeve më të hollësishme në Rregulloren e Anëtarësimit, e cila miratohet nga Këshilli Koordinues;
  2. Anëtarësimi në BASHKË është i papajtueshëm me anëtarësimin dhe mbështetjen politike të subjekteve të tjera me natyrë politike në Shqipëri, të regjistruara ose jo formalisht.

Neni 8 Karta e Anëtarësisë

  1. Karta e Anëtarësisë është dokumenti që vërteton regjistrimin formal të anëtarit të Partisë dhe dëshmon për solidaritetin politik dhe moral të të gjithë anëtarëve;
  2. Karta e Anëtarësisë rifreskohet çdo vit përmes shlyerjes së kuotizacionit vjetor.

Neni 9 Të drejtat dhe detyrimet e anëtarësisë

  1. Anëtarja/Anëtari gëzon të drejtat e mëposhtme:
    1. Të zgjedhë dhe të zgjidhet në të gjitha strukturat dhe nivelet e organizimit të Lëvizjes BASHKË;
    2. Të ketë të drejtën e votës në organet dhe strukturat ku merr pjesë;
    3. Të shprehë dhe të mbrojë në mënyrë të hapur pozicionin e saj/tij, të formulojë lirisht opinionin dhe të kritikojë vendimet e marra në çdo nivel;
    4. Të paraqesë kërkesa dhe propozime në çdo nivel të Partisë, si dhe të marrë përgjigje për çështjet e ngritura;
    5. Të informohet rregullisht mbi veprimtarinë e Lëvizjes BASHKË;
    6. Të vihet në dijeni për kritikat që strukturat e Partisë mund të paraqesin kundër saj/tij për veprimet apo mosveprimet, si dhe të shpjegojë arsyet e qëndrimeve të saj/tij.

      Ajo/ai ka të drejtë të ankohet në strukturat më të larta për masat disiplinore që mund të merren kundër saj/tij.

  2. Anëtari/Anëtarja ka këto detyrime:
    1. Të pranojë e të respektojë dokumentet themelore, statutin, programin etj., si dhe në terma të përgjithshëm vijën politike të partisë;
    2. Të marrë pjesë në veprimtarinë e Lëvizjes BASHKË në bazë të aftësive dhe mundësive të tij/saj;
    3. Të shlyejë kuotizacionin e anëtarësisë në kohën e duhur;
    4. Të përvetësojë një formim politik të vazhdueshëm për të përmirësuar veprimtarinë e tij/saj brenda partisë;
    5. Të identifikohet publikisht me Lëvizjen BASHKË duke ndarë qëndrimet e përbashkëta në media sociale apo mjediset familjare/shoqërore ku jeton, punon dhe vepron;
    6. Të zhvillojë me anëtarët e tjerë marrëdhënie të sinqerta e solidare dhe të ndihmojë në formimin e frymës së grupit;
    7. Të marrë pjesë, nëse kërkohet, në veprimtari të tjera shoqërore, sindikale, solidariteti, mbrojtjes së mjedisit, si dhe në çdo veprimtari tjetër qëllimi i të cilave përputhet me ato të Lëvizjes BASHKË;
    8. Të shoqërizohet dhe ndihmojë në afrimin e simpatizantëve dhe anëtarëve të rinj.

Neni 10 Humbja e statusit të anëtarit

Qytetari e humb statusin e anëtarit kur:

  1. Jep vullnetarisht dorëheqjen;
  2. Nuk shlyen kuotizacionin vjetor deri në tre muaj pas afatit, sipas përcaktimeve në Rregulloren e Anëtarësisë;
  3. Përjashtohet për shkelje të rënda, pas procesit disiplinor dhe me vendim të Komisionit të Etikës dhe Statutit, për shkak të shkeljeve të përcaktuara në Kodin e Etikës, Statutit apo Rregulloreve të Brendshme, dhe pas apelimit dhe vendimit në Këshillin Koordinues, në rast se anëtari/anëtarja e apelon vendimin brenda një afati njëmujor pasi ka marrë njoftim për masën disiplinore;
  4. Ndërron jetë.

Kreu III ORGANIZIMI I PARTISË

Neni 11 Organet dhe organizimi i Lëvizjes BASHKË

Lëvizja BASHKË është e organizuar demokratikisht sipas ligjit. Organet e Lëvizjes BASHKË janë:

  1. Kongresi;
  2. Këshilli Koordinues;
  3. Sekretariati;
  4. Baza;
  5. Koordinatori;
  6. Komisioni i Etikës dhe Statutit;
  7. Kryetari;
  8. Sekretari Organizativ;
  9. Përgjegjësi i Financave.

Neni 12 Kongresi

Kongresi është organi më i lartë vendimmarrës i partisë.

  1. Thirrja dhe funksionimi i Kongresit
    1. Kongresi përbëhet nga delegatët dhe mblidhet të paktën një herë në dy vjet;
    2. Delegatët e Kongresit përbëhen nga delegatët e zgjedhur nga anëtarësia dhe delegatët ex officio. Delegatët e zgjedhur nga anëtarësia duhet të përbëjnë jo më pak se 2/3 e delegatëve të Kongresit;
    3. Delegatët e zgjedhur votohen nga anëtarësia e partisë sipas parimit një anëtar një votë, mbështetur në normën e përfaqësimit të miratuar nga Këshilli Koordinues për çdo Bazë;
    4. Delegatët ex officio janë të gjithë anëtarët e Këshillit Koordinues dhe Kryetari i partisë;
    5. Kongresi thirret në çdo kohë nga Kryetari, nga Këshilli Koordinues ose me kërkesë të 10 për qind të anëtarëve;
    6. Me thirrjen e Kongresit përcaktohet edhe rendi i ditës paraprak. Data dhe rendi i ditës paraprak bëhen publik për anëtarësinë të paktën 15 ditë përpara mbajtjes së Kongresit;
    7. Kuorumi i nevojshëm për mbajtjen e Kongresit është sa 50%+1 e delegatëve;
    8. Vendimet politike të Kongresit merren me shumicën e thjeshtë (50%+1) të pjesëmarrësve në të, pasi është arritur kuorumi i nevojshëm. Vendimet për ndryshimin e Statutit kërkojnë 2/3 e votave të pjesëmarrësve në të.
    9. Votimet në Kongres drejtohen nga një komision zgjedhor ad hoc i pranuar nga 2/3 e pjesëmarrësve, i cili organizon votimin dhe shpall rezultatin e votimit.
  2. Kongresi ka të drejtë dhe merr këto vendime:
    1. Përcakton rendin e ditës;
    2. Miraton Statutin dhe ndryshimet e tij;
    3. Miraton Rregulloren e posaçme për thirrjen dhe mbarëvajtjen e Kongresit pasardhës;
    4. Miraton programin politik dhe linjën politike të partisë;
    5. Vlerëson veprimtarinë e të gjithë organeve të partisë;
    6. Zgjedh anëtarët e Këshillit Koordinues.

Neni 13 Këshilli Koordinues

Këshilli Koordinues është organi më i lartë vendimmarrës i partisë ndërmjet dy kongreseve. Mblidhet nga Sekretariati, Kryetari ose me kërkesë të 20% të anëtarëve të tij. Këshilli mblidhet të paktën një herë në muaj dhe drejtohet nga Sekretari Organizativ ose në raste të veçanta, me miratimin e shumicës së anëtarëve të Këshillit Koordinues, nga Kryetari i Lëvizjes BASHKË.

Numri dhe përbërja e anëtarëve të Këshillit Koordinues përcaktohen në Kongres. Në rast se gjatë funksionimit të Këshillit Koordinues mbeten poste vakante dhe situata e krijuar nuk lejon pritjen e mbledhjes së Kongresit, anëtarët mund të zëvendësohen me pëlqimin e shumicës absolute të anëtarëve të Këshillit (50% plus 1 e kuorumit total). Në rast të situatave politike që kërkojnë intensifikim të punës, Këshilli Koordinues mund të kooptojë anëtarë me miratimin e 2/3 të anëtarëve të tij. Anëtarë të kooptuar të Këshillit Koordinues mund të bëhen edhe përfaqësuesit e organizatave shoqërore me të cilat Lëvizja BASHKË ndërton marrëdhënie partneriteti, duke respektuar të njëjtën procedurë të miratimit nga 2/3 e anëtarëve aktualë të Këshillit. Numri i kooptimeve nuk mund të tejkalojë më shumë se dy të pestën e anëtarëve të zgjedhur rregullisht nga Kongresi.

Kuorumi dhe mbledhjet e Këshillit janë legjitime kur pjesëmarrja është 50% plus 1 e kuorumit total. Vendimet e zakonshme merren me shumicë të thjeshtë (50%+1 të votave të vlefshme) të pjesëmarrësve në mbledhje.

Këshilli Koordinues është përgjegjës dhe merr vendime për sa më poshtë:

  1. Këshilli është përgjegjës për zbatimin e programit, linjën politike dhe strategjinë e Partisë;
  2. Miraton Rregulloret e Brendshme;
  3. Miraton Kodin e Etikës;
  4. Miraton themelimin e njësive të reja Bazë;
  5. Miraton rregullat dhe normën e përfaqësimit të delegatëve në Kongres për çdo Bazë;
  6. Miraton kuotën vjetore të anëtarësisë;
  7. Miraton marrëveshjet e partneritetit me organizata shoqërore;
  8. Vendos pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e Lëvizjes BASHKË në forume dhe organizma ndërkombëtarë;
  9. Ngre grupe pune të përhershme ose të përkohshme;
  10. Merr në shqyrtim dhe vendos për propozimet që bëhen nga organet dhe strukturat e Partisë, ose nga organizata të ndryshme me qëllim bashkëpunimi e ndihme të ndërsjellët;
  11. Zgjedh nga radhët e tij anëtarët e Sekretariatit të Partisë;
  12. Zgjedh nga radhët e tij Sekretarin Organizativ të Partisë;
  13. Zgjedh nga radhët e tij anëtarët e Komisionit të Etikës dhe Statutit;
  14. Mandati i çdo anëtari të zgjedhur në tre organet e mësipërme është i revokueshëm në çdo kohë nga Këshilli Koordinues me kërkesë të 10% të Këshillit Koordinues dhe sipas të njëjtës mënyrë si zgjedhja e tij;
  15. Miraton listat përfundimtare të kandidatëve për proceset zgjedhore legjislative dhe vendore, bazuar në propozimet e strukturave bazë dhe Sekretariatit të Partisë;
  16. Vendos për përjashtimin përfundimtar të anëtarit/anëtares së Partisë, në rast se vendimi për përjashtim nga Komisioni i Etikës dhe Statutit është apeluar brenda afatit të caktuar.

Neni 14 Sekretariati

Sekretariati përbëhet nga të paktën 9 anëtarë (përfshirë Kryetarin dhe Sekretarin Organizativ) që zgjidhen çdo dy vjet nga Këshilli Koordinues. Sekretariati mblidhet të paktën një herë në javë dhe drejtohet nga Sekretari Organizativ ose, në raste të veçanta dhe me pëlqimin e shumicës së anëtarëve të Sekretariatit Organizativ, nga Kryetari. Sekretariati i merr vendimet me shumicë të thjeshtë (50%+1).

Sekretariati ka këto detyra:

  1. Të drejtojë veprimtarinë e përditshme politike të Partisë;
  2. Të koordinojë dhe nxisë veprimtarinë e Bazave, grupeve të punës dhe anëtarëve, në përputhje të plotë me vendimmarrjen e Këshillit Koordinues;
  3. Të mbikëqyrë në kohë zbatueshmërinë e vendimmarrjeve të Këshillit Koordinues;
  4. Të koordinojë veprimtaritë e Partisë gjatë aksioneve, fushatave dhe protestave me grupime e organizata të tjera;
  5. Të sigurojë mbarëvajtjen e Këshillit Koordinues në të gjitha komponentët e tij (rendi i ditës, drejtimi i mbledhjes, hartimi i raporteve);
  6. I sugjeron Këshillit Koordinues marrëveshjet e partneritetit me organizata shoqërore dhe anëtarësimin në forume e organizma ndërkombëtarë.

Neni 15 Baza

Baza është njësia elementare organizative në territor, me të paktën tre anëtarë, e cila mblidhet të paktën një herë në muaj. Mbledhjet e Bazës thirren nga Koordinatori, ose me kërkesë të 30% të anëtarëve, dhe drejtohen nga Koordinatori ose, në mungesë të tij, nga një anëtar që vendoset me shumicë të thjeshtë aty për aty. Baza ngrihet në nivel bashkie dhe/ose në nivel njësie administrative. Në Bazë bëjnë pjesë të gjithë anëtarët e Partisë, banorë të bashkisë/njësisë administrative. Njësi Bazë mund të ngrihen edhe nga anëtarë që jetojnë jashtë Republikës së Shqipërisë. Themelimi i një Baze të re miratohet nga Këshilli Koordinues pas propozimit të Sekretariatit. Një rregullore e posaçme e miratuar nga Këshilli Koordinues detajon funksionimin e Bazës.

Detyrat dhe përgjegjësitë e Bazës janë:

  1. Të nxisë dhe drejtojë veprimtarinë vendore të Partisë;
  2. Të zgjedhë sipas parimit një anëtar një votë delegatët e Kongresit;
  3. Të planifikojë dhe përgatisë mbledhje dhe debate publike;
  4. Të organizojë aksione politike dhe të informojë për veprimtarinë dhe qëndrimet e Partisë;
  5. Të zhvillojë politikën e Partisë në institucionet ku përfaqësohet;
  6. Të diskutojë të gjitha çështjet që i paraqiten Partisë;
  7. Të zbatojë vendimet e organeve drejtuese të Partisë;
  8. Të zgjedhë Koordinatorin e Bazës;
  9. T’i propozojë Këshillit Koordinues emra për listat zgjedhore.

Neni 16 Koordinatori

Koordinatori është drejtuesi dhe organizatori i Bazës. Koordinatori zgjidhet drejtpërdrejt nga anëtarët e Bazës, me votim të fshehtë dhe ka mandat dyvjeçar. Mandati i koordinatorit është i revokueshëm në çdo kohë nga Baza. Koordinatori mban kontakte të rregullta me Sekretariatin e Partisë.

Neni 17 Komisioni i Etikës dhe Statutit

Lëvizja BASHKË ngre “Komisionin e Etikës dhe Statutit” (këtu në vijim Komisioni), i përbërë nga tri anëtarë me përvojë, të cilët propozohen dhe zgjidhen nga Këshilli i Koordinimit me mandat dyvjeçar. Në mbledhjen e parë Komisioni zgjedh drejtuesin e tij. Komisioni harton rregulloren e tij të brendshme, e cila miratohet nga Këshilli Koordinues.

Komisioni ka si objekt të punës së tij:

  1. Mbikëqyrjen e zbatimit në tërësi të Statutit, Kodit të Etikës dhe rregulloreve të ndryshme;
  2. Funksionon si komision apelimi në proceset zgjedhore të Partisë, duke shqyrtuar ankesa të ndryshme;
  3. Shqyrton ankesa që kanë të bëjnë me disiplinën dhe Kodin e Etikës së anëtarit dhe jep masat disiplinore nga vërejtje deri në përjashtim nga Partia; masa e përjashtimit është e apelueshme në Këshillin e Koordinimit.

Neni 18 Kryetari

Kryetari i Lëvizjes BASHKË është drejtuesi më i lartë politik i partisë dhe zgjidhet nga anëtarësia e Partisë me mandat dyvjeçar. Votimi për Kryetar zhvillohet me dy raunde në rast se në raundin e parë nuk është siguruar 50% plus e 1 votave nga totali i votave të vlefshme. Mandati i Kryetarit është i revokueshëm në çdo kohë nga anëtarësia, pas një procesi votëbesimi të kërkuar nga 10% e anëtarësisë.

Kryetari i Lëvizjes BASHKË ka këto kompetenca:

  1. Është përgjegjës për ndjekjen e linjës politike të Lëvizjes BASHKË mbështetur në vendimmarrjen e Kongresit;
  2. Përfaqëson ligjërisht Lëvizjen BASHKË në marrëdhënie me palë të treta, brenda dhe jashtë vendit;
  3. Ka të drejtë të propozojë në Kongres ndryshime statutore;
  4. Drejton, në raste të veçanta dhe sipas kritereve të përcaktuara më herët në Statut, punët e Këshillit Koordinues dhe Sekretariatit.

Neni 19 Sekretari Organizativ

Sekretari Organizativ është përgjegjësi kryesor për drejtimin dhe funksionimin organizativ të partisë. Sekretari Organizativ drejton në përditshmëri veprimtarinë e Lëvizjes BASHKË duke mbajtur kontakte të vazhdueshme me anëtarët, bazën, koordinatorët, grupet e punës etj. Sekretari Organizativ zgjidhet nga Këshilli Koordinues me mandat dyvjeçar; votimi zhvillohet me dy raunde në rast se në raundin e parë nuk është siguruar 50% plus e 1 votave nga totali i votave të vlefshme. Mandati i Sekretarit Organizativ është i revokueshëm në çdo kohë nga Këshilli Koordinues, pas një procesi votëbesimi të kërkuar nga 10% e anëtarëve të Këshillit Koordinues.

Sekretari Organizativ ka këto kompetenca:

  1. Është përgjegjës për drejtimin dhe bashkërendimin e përditshëm të veprimtarisë së partisë;
  2. Drejton mbledhjet e Këshillit Koordinues;
  3. Drejton veprimtarinë e Sekretariatit;
  4. Ndjek dhe përgjigjet për zbatimin e vendimeve të marra nga Kongresi, rregulloreve dhe udhëzimeve të organeve të partisë;
  5. Kryen përkohësisht funksionet e Kryetarit të partisë në rast se pozicioni i Kryetarit mbetet vakant;
  6. Drejton mbledhjen e Kongresit;
  7. Mirëmban regjistrin e anëtarësisë.

Neni 20 Përgjegjësi i Financave

Përgjegjësi i financave zgjidhet çdo dy vjet nga Këshilli Koordinues dhe me mandat të revokueshëm në çdo kohë. Përgjegjësi i financave ka këto kompetenca:

  1. Të administrojë financat e Partisë, duke zbatuar me përpikmëri parimet e transparencës dhe të efektshmërisë;
  2. Të hartojë bilancin vjetor dhe të bëjë transparencën e shpenzimeve;
  3. Të mbledhë kuotat e anëtarësisë dhe kontribute të tjera të ligjshme.

Kreu IV TË NDRYSHME

Neni 21 Burimet Financiare

  1. Burime financiare të Lëvizjes BASHKË janë kuotat e anëtarësisë, donacione të ligjshme dhe çdo pasuri e fituar në mënyrë të ligjshme; fondet publike, duke përfshirë edhe ndihmën financiare në masën e caktuar në Buxhetin e Shtetit; dhuratat në vlerë monetare, natyrë ose shërbime, sponsorizime, si dhe çdo transaksion tjetër financiar nga individë, persona juridikë apo fizikë, organizata e fondacione politike, në mënyrën e përcaktuar me ligj dhe sipas procedurave ligjore përkatëse;
  2. Lëvizja BASHKË nuk mund të pranojë dhurata nga persona juridikë apo fizikë, që kanë për synim të ndikojnë në pavarësinë e vendimmarrjes dhe veprimtarisë së saj politike;
  3. Menaxhimi i burimeve financiare do të kryhet në përputhje me standardet ligjore të kontabilitetit dhe sipas parashikimeve statutore, të rregulloreve apo legjislacionit përkatës në fuqi. Viti financiar është 1 janar–31 Dhjetor dhe në çdo rast sipas legjislacionit në fuqi;
  4. Përgjegjësi i Financave është përgjegjës për menaxhimin dhe funksionimin financiar të Lëvizjes BASHKË.

Neni 22 Vjetërsia në Parti

Për marrjen e përgjegjësive drejtuese si rregull kërkohet një vjetërsi e anëtarësimit në Parti, një vit për Këshillin Koordinues dhe dy vjet për Kryetarin, Sekretarin Organizativ dhe Komisionin e Etikës dhe Statutit.

Neni 23 Demokracia e brendshme

Parimi drejtues i strukturave politiko-organizative të Partisë përbëhet nga kërkimi i një dialektike të brendshme që zbaton nevojat e demokracisë dhe unitetit, lirisë dhe disiplinës, kritikës dhe afirmimit, efektivitetit në veprim dhe shumëllojshmërisë së kontributeve individuale. Për këtë qëllim:

  1. Të gjitha organet drejtuese duhet të zgjidhen në mënyrë demokratike dhe të funksionojnë në frymë kolegjialiteti;
  2. Organet drejtuese i përgjigjen organit që i ka zgjedhur dhe duhet të raportojnë periodikisht për veprimtarinë e tyre;
  3. Secilit drejtuesi të çdo niveli mund t’i revokohet mandati në çdo kohë nga instanca që e ka zgjedhur, mbështetur në një procedurë demokratike e transparente;
  4. Çdo instancë e Partisë ka detyrimin të promovojë dhe respektojë demokracinë e brendshme, duke favorizuar veprimtarinë dhe iniciativën e të gjithë anëtarëve dhe duke mbajtur një lidhje të vazhdueshme midis bazës dhe organeve drejtuese;
  5. Pasi të ketë përfunduar diskutimi në të gjitha instancat, përfshirë ato të bazës, dhe të merret një vendim në mënyrë demokratike, vendimi është i detyrueshëm për të gjithë anëtarët;
  6. Nuk lejohen veprime që shkelin parimet themelore dhe dispozitat e Statutit.

Neni 24Ndryshimi i Statutit dhe Rregulloret e Brendshme

  1. Ky Statut mund të ndryshohet nga Kongresi, me kërkesën e të paktën 10 për qind të anëtarëve të Kongresit, 30 për qind të anëtarëve të Këshillit Koordinues, ose Kryetarit të Lëvizjes BASHKË, dhe me miratimin nga 2/3 e anëtarëve të pranishëm në mbledhjen e Kongresit.
  2. Rregulloret e brendshme të Lëvizjes BASHKË si rregull miratohen nga Këshilli Koordinues me 2/3 e kuorumit total.

Neni 25Dispozita kalimtare për zgjedhjet e organeve të para

  1. Organet e para drejtuese zgjidhen nga mbledhja (Kongresi) e parë e anëtarëve themelues prej 48 shtetasish të Republikës së Shqipërisë;
  2. Kongresi themelues zgjedh me shumicë votash (50%+1) dhe votim të hapur Drejtuesin e Kongresit dhe Komisionin Zgjedhor, të cilët kryejnë përkohësisht funksionet përkatëse;
  3. Kongresi i parë, themelues, zgjedh Kryetarin e Partisë për të regjistruar partinë në gjykatë dhe përfaqësuar ligjërisht dhe politikisht partinë në etapat e para të zhvillimit të saj;
  4. Mandati i organeve të para drejtuese është njëvjeçar;
  5. Brenda afatit njëvjeçar nga regjistrimi i partisë në Gjykatë, Lëvizja BASHKË do të thërrasë Kongresin, si dhe do të organizojë zgjedhjet e para mes anëtarësisë për Kryetarin e Partisë;
  6. Vjetërsia në parti (neni 22) do të aplikohet 4 vjet pas themelimit të Lëvizjes BASHKË në gjykatë.