STATUTI I PARTISË “LËVIZJA BASHKË”

Preambulë

Ne, anëtarët e Lëvizjes BASHKË, të vetëdijshëm për problemet dhe sfidat e shoqërisë sonë, krenarë për arritjet historike të popullit tonë, të frymëzuar nga lëvizjet emancipuese shoqërore kombëtare e botërore, me besim te liria, barazia, solidariteti e dinjiteti njerëzor, të vetëdijshëm për rëndësinë e zhvillimit ekonomik e drejtësisë shoqërore, vlerësues të rolit të punës dhe krijimtarisë individuale e kolektive, të përkushtuar ndaj demokracisë dhe pjesëmarrjes qytetare, dëshmojmë ekzistencën tonë politike dhe vendosim të organizohemi së brendshmi sipas parimeve dhe mënyrave të hartuara në këtë statut.

Kreu I DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1 Emri

Emërtimi i plotë i partisë është Lëvizja BASHKË, me akronimin BASHKË. Për efekte të përfaqësimit dhe komunikimit mund të përdoren si emri i plotë, ashtu edhe akronimi. Në këtë dokument edhe termi Parti nënkupton Lëvizjen BASHKË.

Neni 2 Selia e Partisë

Selia e Lëvizjes BASHKË është në adresën: “Rr. Islam Petrela, nr. 17 (Rr. Siri Kodra, nr. 92)”, Tiranë. Lëvizja BASHKË ka të drejtë të ketë shtrirje të saj në çdo pjesë të territorit të Republikës së Shqipërisë, si dhe të organizohet kudo ku banojnë shtetas shqiptarë, duke respektuar ligjet e vendeve ku ata jetojnë.

Neni 3 Stema e Partisë

Partia Lëvizja BASHKË ka stemën e saj. Stema ka si përmbajtje Lëvizja BASHKË, të shkruar me germa kapitale me ngjyrë të zezë, dhe poshtë ka një shigjetë të stilizuar në ngjyrë të kuqe, e cila simbolizon progresin, si më poshtë:

logo icon

Neni 4 Vula

Partia Lëvizja BASHKË ka vulën e saj, e cila është në formë drejtkëndore, e kornizuar në ngjyrë të kuqe, brenda së cilës do të vendoset Stema e Partisë, e gjitha në ngjyrë të kuqe.

Neni 5 Qëllimet politike të Partisë

Lëvizja BASHKË është një parti e formuar mbi baza demokratike, anëtarët e së cilës synojnë të marrin pjesë në mënyrë aktive në qeverisjen qendrore dhe vendore. Lëvizja BASHKË është një parti e qytetarëve që respektojnë rendin ligjor, që mbrojnë liritë dhe të drejtat e tyre dhe respektojnë liritë e të drejtat e të tjerëve.

Neni 6 Parimet e organizimit të Partisë

Lëvizja BASHKË është një organizim politik i qytetarëve të grupuar me vullnet të lirë në strukturat e saj të organizuara mbi bazën e ndarjes territoriale të vendit. Organizimi i brendshëm i partisë ndjek parimet e:

  1. Ndërtimit të partisë nga poshtë lart;
  2. Organizimit të zgjedhjeve të brendshme demokratike për strukturat e Lëvizjes BASHKË;
  3. Lirisë së shprehjes së mendimit nga çdo anëtar;
  4. Të drejtës së çdo anëtari për të zgjedhur e për t’u zgjedhur.

Kreu II ANËTARËSIA

Neni 7 Fitimi i anëtarësisë

I lind e drejta të bëhet anëtar i Lëvizjes BASHKË çdo qytetari prej moshës 16 vjeç e sipër, që bie dakord me veprimtarinë e Lëvizjes BASHKË, pranon dokumentet themelore, veçanërisht Programin, Statutin, Kodin e Etikës dhe rregulloret e ndryshme, si dhe mbështet veprimtarinë politike të saj. Strukturat drejtuese të Lëvizjes BASHKË mund t’i akordojnë statusin e anëtarit të nderit çdo figure publike të respektuar në Shqipëri.

  1. Pranimi si anëtar/e i/e Lëvizjes BASHKË bëhet pas plotësimit të formularit të anëtarësimit në faqen zyrtare ose pranë një njësie Bazë, dhe përcaktimeve më të hollësishme në Rregulloren e Anëtarësimit, e cila miratohet nga Këshilli Koordinues;
  2. Anëtarësimi në BASHKË është i papajtueshëm me anëtarësimin dhe mbështetjen politike të subjekteve të tjera me natyrë politike në Shqipëri, të regjistruara ose jo formalisht.

Neni 8 Karta e Anëtarësisë

  1. Karta e Anëtarësisë është dokumenti që vërteton regjistrimin formal të anëtarit të Partisë dhe dëshmon për solidaritetin politik dhe moral të të gjithë anëtarëve;
  2. Karta e Anëtarësisë rifreskohet çdo vit përmes shlyerjes së kuotizacionit vjetor.

Neni 9 Të drejtat dhe detyrimet e anëtarësisë

  1. Anëtarja/Anëtari gëzon të drejtat e mëposhtme:
    1. Të zgjedhë dhe të zgjidhet në të gjitha strukturat dhe nivelet e organizimit të Lëvizjes BASHKË;
    2. Të ketë të drejtën e votës në organet dhe strukturat ku merr pjesë;
    3. Të shprehë dhe të mbrojë në mënyrë të hapur pozicionin e saj/tij, të formulojë lirisht opinionin dhe të kritikojë vendimet e marra në çdo nivel;
    4. Të paraqesë kërkesa dhe propozime në çdo nivel të Partisë, si dhe të marrë përgjigje për çështjet e ngritura;
    5. Të informohet rregullisht mbi veprimtarinë e Lëvizjes BASHKË;
    6. Të vihet në dijeni për kritikat që strukturat e Partisë mund të paraqesin kundër saj/tij për veprimet apo mosveprimet, si dhe të shpjegojë arsyet e qëndrimeve të saj/tij.
    7. Ajo/ai ka të drejtë të ankohet në strukturat më të larta për masat disiplinore që mund të merren kundër saj/tij.
  2. Anëtari/Anëtarja ka këto detyrime:
    1. Të pranojë e të respektojë dokumentet themelore, statutin, programin etj., si dhe në terma të përgjithshëm vijën politike të partisë;
    2. Të marrë pjesë në veprimtarinë e Lëvizjes BASHKË në bazë të aftësive dhe mundësive të tij/saj;
    3. Të shlyejë kuotizacionin e anëtarësisë në kohën e duhur;
    4. Të përvetësojë një formim politik të vazhdueshëm për të përmirësuar veprimtarinë e tij/saj brenda partisë;
    5. Të identifikohet publikisht me Lëvizjen BASHKË duke ndarë qëndrimet e përbashkëta në media sociale apo mjediset familjare/shoqërore ku jeton, punon dhe vepron;
    6. Të zhvillojë me anëtarët e tjerë marrëdhënie të sinqerta e solidare dhe të ndihmojë në formimin e frymës së grupit;
    7. Të marrë pjesë, nëse kërkohet, në veprimtari të tjera shoqërore, sindikale, solidariteti, mbrojtjes së mjedisit, si dhe në çdo veprimtari tjetër qëllimi i të cilave përputhet me ato të Lëvizjes BASHKË;
    8. Të shoqërizohet dhe ndihmojë në afrimin e simpatizantëve dhe anëtarëve të rinj.

Neni 10 Humbja e statusit të anëtarit

Qytetari e humb statusin e anëtarit kur:

  1. Jep vullnetarisht dorëheqjen;
  2. Nuk shlyen kuotizacionin vjetor deri në tre muaj pas afatit, sipas përcaktimeve në Rregulloren e Anëtarësisë;
  3. Përjashtohet për shkelje të rënda, pas procesit disiplinor dhe me vendim të Komisionit të Etikës dhe Statutit, për shkak të shkeljeve të përcaktuara në Kodin e Etikës, Statutit apo Rregulloreve të Brendshme, dhe pas apelimit dhe vendimit në Këshillin Koordinues, në rast se anëtari/anëtarja e apelon vendimin brenda një afati njëmujor pasi ka marrë njoftim për masën disiplinore;
  4. Ndërron jetë.

Kreu IIIORGANIZIMI I PARTISË

Neni 11Organet dhe organizimi i Lëvizjes BASHKË

Lëvizja BASHKË është e organizuar demokratikisht sipas ligjit. Organet e Lëvizjes BASHKË janë:

  1. Kongresi;
  2. Kryetari;
  3. Këshilli Koordinues;
  4. Kryesuesi i Këshillit Koordinues;
  5. Sekretariati;
  6. Sekretari Organizativ;
  7. Komisioni i Etikës dhe Statutit;
  8. Komisioni i Zgjedhjeve;
  9. Përgjegjësi i Financave.
  10. Komisioni i Kontrollit Financiar;
  11. Baza;
  12. Koordinatori i Bazës;
  13. Mbledhja e Përgjithshme e Anëtarëve të Degës;
  14. Kryetari i Degës;
  15. Këshilli i Degës;
  16. Sekretari Organizativ i Degës;

Organet e partisë e ushtrojnë detyrën deri në ditën e zëvendësimit të tyre sipas rregullave të përcaktuara në këtë statut.

Neni 12Kongresi

Kongresi është organi më i lartë vendimmarrës i partisë.

  1. Thirrja dhe funksionimi i Kongresit
    1. Kongresi përbëhet nga delegatët dhe mblidhet të paktën një herë në tre vjet. Sipas nevojave politike, Këshilli Koordinues mund të vendosë ta shtyjë datën e thirrjes së Kongresit deri në 6 muaj;
    2. Delegatët e Kongresit përbëhen nga delegatët e zgjedhur nga anëtarësia dhe delegatët ex officio. Delegatët e zgjedhur nga anëtarësia duhet të përbëjnë jo më pak se 2/3 e delegatëve të Kongresit;
    3. Delegatët e zgjedhur votohen nga anëtarësia e partisë sipas parimit një anëtar një votë, mbështetur në normën e përfaqësimit të miratuar nga Këshilli Koordinues për çdo Bazë ose Degë;
    4. Të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur si delegat në Kongres e kanë të gjithë anëtarët e partisë që janë anëtarësuar të paktën tre muaj përpara datës së mbajtjes së Kongresit.
    5. Delegatët ex officio janë të gjithë anëtarët e Këshillit Koordinues dhe Kryetari i partisë;
    6. Kongresi thirret në çdo kohë nga Kryetari, nga Këshilli Koordinues ose me kërkesë të 10 për qind të anëtarëve;
    7. Me thirrjen e Kongresit përcaktohet edhe rendi i ditës paraprak. Data dhe rendi i ditës paraprak bëhen publik për anëtarësinë të paktën 15 ditë përpara mbajtjes së Kongresit;
    8. Kuorumi i nevojshëm për mbajtjen e Kongresit është sa 50%+1 e delegatëve;
    9. Vendimet politike të Kongresit merren me shumicën e thjeshtë (50%+1) të pjesëmarrësve në të, pasi është arritur kuorumi i nevojshëm. Vendimet për ndryshimin e Statutit kërkojnë 2/3 e votave të pjesëmarrësve në të.
  2. Kongresi ka të drejtë dhe merr këto vendime:
    1. Përcakton rendin e ditës;
    2. Miraton Statutin dhe ndryshimet e tij;
    3. Zgjedh kryetarin e partisë me mandat 3-vjeçar;
    4. Miraton manifestin dhe linjën politike të përgjithshme të partisë;
    5. Vlerëson veprimtarinë e të gjithë organeve të partisë;
    6. Zgjedh anëtarët e Këshillit Koordinues.

Neni 13Kryetari

Kryetari i Lëvizjes BASHKË është drejtuesi më i lartë politik i partisë dhe zgjidhet nga Kongresi me mandat 3-vjeçar. Votimi për Kryetar zhvillohet me dy raunde në rast se në raundin e parë nuk është siguruar 50% plus e 1 votave nga totali i votave të vlefshme. Mandati i Kryetarit është i revokueshëm në çdo kohë nga anëtarësia, pas një procesi votëbesimi të kërkuar nga 10% e anëtarësisë.

Kryetari i Lëvizjes BASHKË ka këto kompetenca:

  1. Është përgjegjës për ndjekjen e linjës politike të Lëvizjes BASHKË mbështetur në vendimmarrjen e Kongresit;
  2. Përfaqëson ligjërisht Lëvizjen BASHKË në marrëdhënie me palë të treta, brenda dhe jashtë vendit;
  3. Ka të drejtë të propozojë në Kongres ndryshime statutore;
  4. Drejton, në raste të veçanta dhe sipas kritereve të përcaktuara më herët në Statut, punët e Këshillit Koordinues dhe Sekretariatit.

Neni 14Këshilli Koordinues

Këshilli Koordinues është organi më i lartë vendimmarrës i partisë ndërmjet dy kongreseve. Mblidhet nga Kryesuesi i Këshillit Koordinues, Sekretariati, Kryetari ose me kërkesë të 20% të anëtarëve të tij. Këshilli mblidhet të paktën një herë në muaj dhe drejtohet nga Kryesuesi i Këshillit Koordinues ose në raste të veçanta, me miratimin e shumicës së anëtarëve të Këshillit Koordinues, nga Kryetari i Lëvizjes BASHKË.

Numri dhe përbërja e anëtarëve të Këshillit Koordinues përcaktohen në Kongres. Kryetari i Lëvizjes BASHKË është automatikisht pjesë e Këshillit Koordinues. Në rast se gjatë funksionimit të Këshillit Koordinues mbeten poste vakante dhe situata e krijuar nuk lejon pritjen e mbledhjes së Kongresit, anëtarët mund të zëvendësohen me pëlqimin e shumicës absolute të anëtarëve të Këshillit (50% plus 1 e kuorumit total). Në rast të situatave politike që kërkojnë intensifikim të punës, Këshilli Koordinues mund të kooptojë anëtarë me miratimin e 2/3 të anëtarëve të tij. Anëtarë të kooptuar të Këshillit Koordinues mund të bëhen edhe përfaqësuesit e organizatave partnere, duke respektuar të njëjtën procedurë të miratimit nga 2/3 e anëtarëve aktualë të Këshillit. Numri i kooptimeve nuk mund të tejkalojë më shumë se dy të pestën e anëtarëve të zgjedhur rregullisht nga Kongresi.

Anëtari i Këshillit Koordinues e humb mandatin e tij kur jep dorëheqjen, kur përjashtohet nga partia me vendim të Komisionit të Etikës dhe Statutit ose kur mungon pa arsye në mbledhjet e Këshillit Koordinues për tre muaj rresht. Nëse e humb mandatin, anëtari i Këshillit Koordinues zëvendësohet me kandidatin pasues në renditjen sipas numrit të votave të marra në Kongres. Në rast se nuk ka kandidatë pasues sipas përcaktimit të mësipërm, Këshilli Koordinues koopton, sipas rregullave statutore, zëvendësuesin e anëtarit që ka humbur mandatin.

Kuorumi dhe mbledhjet e Këshillit janë legjitime kur pjesëmarrja është 50% plus 1 e kuorumit total. Vendimet e zakonshme merren me shumicë të thjeshtë (50%+1 të votave të vlefshme) të pjesëmarrësve në mbledhje.

Këshilli Koordinues është përgjegjës dhe merr vendime për sa më poshtë:

  1. Këshilli është përgjegjës për zbatimin e programit, linjën politike dhe strategjinë e Partisë;
  2. Zgjedh nga radhët e tij Kryesuesin e Këshillit Koordinues;
  3. Miraton Rregulloret e Brendshme;
  4. Miraton Kodin e Etikës;
  5. Miraton themelimin e njësive të reja Bazë;
  6. Miraton rregullat dhe normën e përfaqësimit të delegatëve në Kongres për çdo Bazë;
  7. Miraton kuotën vjetore të anëtarësisë;
  8. Miraton asociimin e organizatave partnere që përfaqësojnë pluralitetin shoqëror, si p.sh. të grave, të rinjve, punëtorëve dhe të tjera shtresave shoqërore. Rregulloret e brendshme do të përkufizojnë marrëdhëniet midis Lëvizjes BASHKË dhe organizatave partnere;
  9. Vendos pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e Lëvizjes BASHKË në forume dhe organizma ndërkombëtarë;
  10. Ngre grupe pune të përhershme ose të përkohshme;
  11. Merr në shqyrtim dhe vendos për propozimet që bëhen nga organet dhe strukturat e Partisë, ose nga organizata të ndryshme me qëllim bashkëpunimi e ndihme të ndërsjellët;
  12. Zgjedh nga radhët e tij anëtarët e Sekretariatit të Partisë;
  13. Zgjedh nga radhët e tij Sekretarin Organizativ të Partisë;
  14. Zgjedh nga radhët e tij anëtarët e Komisionit të Etikës dhe Statutit;
  15. Zgjedh nga radhët e tij anëtarët e përhershëm dhe ndihmës të Komisionit të Zgjedhjeve;
  16. Mandati i çdo anëtari të zgjedhur në tre organet e mësipërme është i revokueshëm në çdo kohë nga Këshilli Koordinues me kërkesë të 10% të Këshillit Koordinues dhe sipas të njëjtës mënyrë si zgjedhja e tij;
  17. Miraton listat përfundimtare të kandidatëve për proceset zgjedhore legjislative dhe vendore, bazuar në propozimet e degëve dhe Sekretariatit të Partisë;
  18. Vendos për përjashtimin përfundimtar të anëtarit/anëtares së Partisë, në rast se vendimi për përjashtim nga Komisioni i Etikës dhe Statutit është apeluar brenda afatit të caktuar.
  19. Miraton Rregulloren e posaçme për thirrjen dhe mbarëvajtjen e Kongresit, si dhe rregulloret e zgjedhjeve në parti. Komisioni Zgjedhor nxjerr udhëzime më të detajuara për procedurat e zhvillimit të zgjedhjeve brenda partisë në të gjitha nivelet;
  20. Me kërkesë të Sekretariatit të Partisë, emëron kryetarët e përkohshëm të bazave dhe degëve në ato njësi territoriale ku nuk ka ende organizim të mjaftueshëm të anëtarësisë.

Neni 15Kryesuesi i Këshillit Koordinues

Kryesuesi i Këshillit Koordinues ka për detyrë mbarëvajtjen e mbledhjeve të Këshillit Koordinues dhe zgjidhet prej anëtarëve të këtij të fundit me mandat 3-vjeçar. Votimi për Kryesuesin e Këshillit Koordinues zhvillohet me dy raunde në rast se në raundin e parë nuk është siguruar 50% plus e 1 votave nga totali i votave të vlefshme. Mandati i Kryesuesit të Këshillit Koordinues është i revokueshëm në çdo kohë nga Këshilli Koordinues, pas një procesi votëbesimi të kërkuar nga 10% e anëtarëve të Këshillit Koordinues.

Kryesuesi i Këshillit Koordinues ka këto kompetenca:

  1. Thërret dhe drejton mbledhjet e Këshillit Koordinues
  2. Bashkëvepron me kryetarin, Sekretariatin dhe Sekretarin Organizativ për mbarëvajtjen e punëve në parti;
  3. Kryen përkohësisht funksionet e Kryetarit të partisë në rast se pozicioni i Kryetarit mbetet vakant;

Neni 16Sekretariati

Sekretariati përbëhet nga të paktën 9 anëtarë (përfshirë Kryetarin dhe Sekretarin Organizativ) që zgjidhen çdo tre vjet nga Këshilli Koordinues. Anëtari i Sekretariatit e humb mandatin e tij kur jep dorëheqjen, kur përjashtohet nga partia me vendim të Komisionit të Etikës dhe Statutit ose kur mungon pa arsye në mbledhjet e Sekretariatit për dy muaj rresht. Në rast të humbjes së mandatit, Këshilli Koordinues zgjedh zëvendësuesin e tij.

Sekretariati mblidhet të paktën një herë në javë dhe drejtohet nga Sekretari Organizativ ose, në raste të veçanta dhe me pëlqimin e shumicës së anëtarëve të Sekretariatit Organizativ, nga Kryetari. Sekretariati i merr vendimet me shumicë të thjeshtë (50%+1).

Sekretariati ka këto detyra:

  1. Të drejtojë veprimtarinë e përditshme politike të Partisë;
  2. Të koordinojë dhe nxisë veprimtarinë e Bazave, grupeve të punës dhe anëtarëve, në përputhje të plotë me vendimmarrjen e Këshillit Koordinues;
  3. Të mbikëqyrë në kohë zbatueshmërinë e vendimmarrjeve të Këshillit Koordinues;
  4. Të koordinojë veprimtaritë e Partisë gjatë aksioneve, fushatave dhe protestave me grupime e organizata të tjera;
  5. I sugjeron Këshillit Koordinues marrëveshjet e asociimit me organizatat partnere dhe anëtarësimin në forume e organizma ndërkombëtarë

Neni 17Sekretari Organizativ

Sekretari Organizativ është përgjegjësi kryesor për drejtimin dhe funksionimin organizativ të partisë. Sekretari Organizativ drejton në përditshmëri veprimtarinë e Lëvizjes BASHKË duke mbajtur kontakte të vazhdueshme me anëtarët, Bazat, Degët, Koordinatorët e Bazave dhe Kryetarët e Degëve, grupet e punës, organizatat partnere etj. Sekretari Organizativ zgjidhet nga Këshilli Koordinues me mandat trevjeçar; votimi zhvillohet me dy raunde në rast se në raundin e parë nuk është siguruar 50% plus e 1 votave nga totali i votave të vlefshme. Mandati i Sekretarit Organizativ është i revokueshëm në çdo kohë nga Këshilli Koordinues, pas një procesi votëbesimi të kërkuar nga 10% e anëtarëve të Këshillit Koordinues.

Sekretari Organizativ ka këto kompetenca:

  1. Është përgjegjës për drejtimin dhe bashkërendimin e përditshëm të veprimtarisë së partisë;
  2. Drejton veprimtarinë e Sekretariatit;
  3. Ndjek dhe përgjigjet për zbatimin e vendimeve të marra nga Kongresi, rregulloreve dhe udhëzimeve të organeve të partisë;
  4. Drejton mbledhjen e Kongresit;
  5. Mirëmban regjistrin e anëtarësisë.

Neni 18 Komisioni i Etikës dhe Statutit

Lëvizja BASHKË ngre “Komisionin e Etikës dhe Statutit” (këtu në vijim Komisioni), i përbërë nga tri anëtarë me përvojë, të cilët propozohen dhe zgjidhen nga Këshilli Koordinues me mandat trevjeçar. Në mbledhjen e parë Komisioni zgjedh drejtuesin e tij. Komisioni harton rregulloren e tij të brendshme, e cila miratohet nga Këshilli Koordinues.

Mandati i anëtarit të Komisionit të Etikës dhe Statutit mund të revokohet në çdo kohë pas një procesi votëbesimi të kërkuar nga 10% e anëtarëve të Këshillit Koordinues.

Komisioni ka si objekt të punës së tij:

  1. Mbikëqyrjen e zbatimit në tërësi të Statutit, Kodit të Etikës dhe rregulloreve të ndryshme;
  2. Funksionon si komision apelimi në proceset zgjedhore të Partisë, duke shqyrtuar ankesa të ndryshme;
  3. Shqyrton ankesa që kanë të bëjnë me disiplinën dhe Kodin e Etikës së anëtarit dhe jep masat disiplinore nga vërejtje deri në përjashtim nga Partia; masa e përjashtimit është e apelueshme në Këshillin Koordinues.

Neni 19 Komisioni i Zgjedhjeve

Komisioni i Zgjedhjeve është struktura që organizon zgjedhjet në të gjitha nivelet e organizimit të Lëvizjes BASHKË. Komisioni i Zgjedhjeve përbëhet nga tre anëtarë të përhershëm me mandat trevjeçar, të cilët zgjidhen nga Këshilli Koordinues. Sipas nevojave, Këshilli Koordinues zgjedh anëtarë ndihmës të këtij komisioni.

Mandati i anëtarit të përhershëm dhe të përkohshëm të Komisionit të Zgjedhjeve mund të revokohet në çdo kohë pas një procesi votëbesimi të kërkuar nga 10% e anëtarëve të Këshillit Koordinues.

Të drejtat dhe detyrat e Komisionit të Zgjedhjeve janë:

  1. Organizon procesin e zgjedhjeve të delegatëve të Kongresit;
  2. Gjatë Kongresit organizon proceset zgjedhore, ku përfshihen edhe ndryshimet statutore;
  3. Në bashkëpunim me strukturat lokale, organizon procesin e zgjedhjes së kryetarëve të Degëve të Lëvizjes BASHKË;
  4. Në bashkëpunim me strukturat lokale, organizon procesin e zgjedhjes së koordinatorëve të Bazave;
  5. Në bashkëpunim me strukturat lokale, organizon procesin e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillave të Degëve;
  6. Për miroganizimin e punës, Komisioni i Zgjedhjeve ka të drejtë të nxjerrë rregullore dhe udhëzime për mbarëvajtjen e proceseve zgjedhore.

Neni 20Përgjegjësi i Financave

Përgjegjësi i financave zgjidhet çdo tre vjet nga Këshilli Koordinues dhe me mandat të revokueshëm në çdo kohë, pas një procesi votëbesimi të kërkuar nga 10% e anëtarëve të Këshillit Koordinues.

Përgjegjësi i financave ka këto kompetenca:

  1. Të administrojë financat e Partisë në bashkëveprim me Sekretarin Organizativ, duke zbatuar me përpikmëri parimet e transparencës dhe të efektshmërisë;
  2. Të hartojë bilancin vjetor dhe të bëjë transparencën e shpenzimeve;
  3. Të mbledhë kuotat e anëtarësisë dhe kontribute të tjera të ligjshme.

Neni 21Komisioni i Kontrollit Financiar

Komisioni i Kontrollit Financiar është përgjegjës për mbikëqyrjen e të ardhurave dhe shpenzimeve të Lëvizjes BASHKË. Ky komision përbëhet nga tre anëtarë të zgjedhur me mandat trevjeçar nga Këshilli Koordinues, mandat i cili mund të revokohet individualisht pas një procesi votëbesimi të kërkuar nga 10% e anëtarëve të Këshillit Koordinues.

Komisioni i Kontrolli Financiar ka për detyrë:

  1. Mbikëqyr punën e Përgjegjësit të Financave, duke kontrolluar administrimin e financave të partisë, bilancin vjetor, si dhe transparencën e mbledhjes së kuotave, burimeve të tjera të ligjshme dhe shpenzimet e partisë;

Neni 22 Baza

Baza është njësia elementare organizative në territor me të paktën pesë anëtarë, e cila mblidhet të paktën një herë në dy muaj, e Lëvizjes BASHKË. Në Republikën e Shqipërisë baza shtrihet brenda kufijve të njësisë administrative (qytezë, fshat ose lagje). Jashtë Republikës së Shqipërisë territori i organizimit të bazave vendoset, sipas nevojave të organizimit, nga Këshilli Koordinues me propozim të Sekretariatit. Mbledhjet e Bazës thirren nga Koordinatori i Bazës, ose me kërkesë të 30% të anëtarëve, dhe drejtohen nga Koordinatori ose, në mungesë të tij, nga një anëtar që vendoset me shumicë të thjeshtë aty për aty. Në Bazë bëjnë pjesë të gjithë anëtarët e Partisë, banorë të njësisë administrative. Themelimi i një Baze të re miratohet nga Këshilli Koordinues pas propozimit të Sekretariatit. Një rregullore e posaçme e miratuar nga Këshilli Koordinues detajon funksionimin e Bazës.

Detyrat dhe përgjegjësitë e Bazës janë:

  1. Të nxisë veprimtarinë e Partisë në njësinë administrative në Shqipëri ose në territorin lokal në diasporë;
  2. Aty ku strukturimi i Degës në Baza është i plotë, të zgjedhë sipas parimit një anëtar një votë delegatët e Kongresit, sipas strukturimit dhe kuotave të përcaktuara nga Këshilli Koordinues i Lëvizjes BASHKË;
  3. Të zgjedhë Koordinatorin e Bazës;
  4. Të zbatojë vendimet e organeve drejtuese të Partisë.

Neni 23 Koordinatori i Bazës

Koordinatori i Bazës drejton veprimtarinë politike të Lëvizjes BASHKË në territorin e Bazës. Koordinatori i Bazës zgjidhet drejtpërdrejt nga anëtarët e Bazës, me votim të fshehtë dhe ka mandat trevjeçar. Mandati i Koordinatorit është i revokueshëm në çdo kohë nga Baza përmes zgjedhjeve të parakohshme të kërkuara nga 10% e anëtarëve të bazës. Koordinatori i Bazës mban kontakte të rregullta me strukturat e Degës dhe Sekretariatin e Partisë.

Neni 24 Dega

Dega është njësia organizative më e rëndësishme në territor e Lëvizjes BASHKË dhe në Republikën e Shqipërisë shtrihet brenda territorit të bashkisë. Jashtë Republikës së Shqipërisë territori i organizimit të degëve vendoset, sipas nevojave të organizimit, nga Këshilli Koordinues me propozim të Sekretariatit. Struktura e Degës përfshin organet e mëposhtme.

Neni 25 Mbledhja e Përgjithshme e Anëtarëve të Degës

  1. Pjesëmarrës në këtë mbledhje janë të gjithë anëtarët e Lëvizjes BASHKË në nivel bashkie brenda territorit të Republikës së Shqipërisë dhe në territorin lokal për anëtarët jashtë Shqipërisë, sipas përcaktimeve të Këshillit Koordinues.
  2. Zgjedh delegatët e Kongresit të Lëvizjes BASHKË në degët e partisë në rastet kur nuk është i plotë strukturimi i partisë në nivel baze. Strukturim i plotë në nivel baze konsiderohet themelimi i bazave në të gjitha njësitë administrative të bashkisë;
  3. Zgjedh Kryetarin e Degës;
  4. Deri kur strukturimi i Degës të jetë i plotë (me baza në të gjitha njësitë administrative), Mbledhja e Përgjithshme e Anëtarëve të Degës ushtron detyrat e Këshillit të Degës.

Neni 26 Kryetari i Degës

  1. Kryetari i Degës zgjidhet nga Mbledhja e Përgjithshme e Anëtarëve të Degës pas Kongresit të Lëvizjes BASHKË me mandat trevjeçar;
  2. Kandidatët për kryetar të degës duhet të jenë të anëtarësuar në parti të paktën tre muaj përpara mbajtjes së zgjedhjes së kryetarit të degës;
  3. Kryetari i Degës drejton veprimtarinë politike të partisë në nivel bashkie, në bazë të Statutit, Manifestit, vendimeve të organeve drejtuese (Këshillit Koordinues dhe Sekretariatit) dhe frymës së anëtarësisë lokale;
  4. Mandati i Kryetarit të Degës mund të revokohet në çdo kohë përmes zgjedhjeve të parakohshme të kërkuara nga të paktën 10% e anëtarëve të Degës.

Neni 27 Këshilli i Degës

Këshilli i Degës përbëhet nga kryetari i Degës, kryetarët e zgjedhur të bazave dhe anëtarët e zgjedhur me mandat trevjeçar nga Mbledhja e Përgjithshme e Anëtarëve të degës. Numri i anëtarëve të Këshillit të Degës përcaktohet rast pas rasti nga Këshilli Koordinues i Partisë pas propozimit të Sekretariatit.

Të drejtat dhe detyrat e Këshillit të Degës:

  1. Në koordinim me Sekretariatin e Lëvizjes BASHKË, të organizojë fushatat elektorale për zgjedhjet vendore;
  2. Nën drejtimin e Sekretariatit të Lëvizjes BASHKË, të marrë pjesë në organizimin e fushatës elektorale kombëtare në nivel vendor;
  3. Të zgjedhë Sekretarin Organizativ të Degës;
  4. Të planifikojë dhe përgatisë mbledhje dhe debate publike;
  5. Të organizojë aksione politike dhe të informojë për veprimtarinë dhe qëndrimet e Partisë;
  6. Të zhvillojë politikën e Partisë në institucionet ku përfaqësohet;
  7. Të diskutojë të gjitha çështjet që i paraqiten Partisë;
  8. T’i propozojë Këshillit Koordinues të Partisë emra për listat zgjedhore;
  9. Të zbatojë vendimet e organeve drejtuese të Partisë.

Neni 28Sekretari Organizativ i Degës

  1. Sekretari Organizativ i Degës zgjidhet nga Këshilli i Degës me mandat trevjeçar. Kandidatët për Sekretar Organizativ të Degës duhet të jenë anëtarësuar në parti të paktën tre muaj përpara zgjedhjes së tij;
  2. Mandati i Sekretarit Organizativ të Degës mund të revokohet në çdo kohë nga Këshilli i Degës;
  3. Sekretari Organizativ i Degës drejton punën organizative të partisë në nivelin e degës;

Kreu IVTË NDRYSHME

Neni 29Burimet Financiare

  1. Burime financiare të Lëvizjes BASHKË janë kuotat e anëtarësisë, donacione të ligjshme dhe çdo pasuri e fituar në mënyrë të ligjshme; fondet publike, duke përfshirë edhe ndihmën financiare në masën e caktuar në Buxhetin e Shtetit; dhuratat në vlerë monetare, natyrë ose shërbime, sponsorizime, si dhe çdo transaksion tjetër financiar nga individë, persona juridikë apo fizikë, organizata e fondacione politike, në mënyrën e përcaktuar me ligj dhe sipas procedurave ligjore përkatëse;
  2. Lëvizja BASHKË nuk mund të pranojë dhurata nga persona juridikë apo fizikë, që kanë për synim të ndikojnë në pavarësinë e vendimmarrjes dhe veprimtarisë së saj politike;
  3. Menaxhimi i burimeve financiare do të kryhet në përputhje me standardet ligjore të kontabilitetit dhe sipas parashikimeve statutore, të rregulloreve apo legjislacionit përkatës në fuqi. Viti financiar është 1 janar–31 Dhjetor dhe në çdo rast sipas legjislacionit në fuqi;
  4. Përgjegjësi i Financave dhe Komisioni i Kontrolli financiar janë përgjegjës për menaxhimin dhe funksionimin financiar të Lëvizjes BASHKË.

Neni 30Vjetërsia në Parti

Për marrjen e përgjegjësive drejtuese si rregull kërkohet një vjetërsi e anëtarësimit në Parti, një vit për Këshillin Koordinues dhe dy vjet për Kryetarin, Sekretarin Organizativ dhe Komisionin e Etikës dhe Statutit.

Për t’u zgjedhur si delegat në Kongres dhe për marrjen e përgjegjësive drejtuese në nivel lokal (kryetar dege dhe sekretar dege) kërkohet një vjetërsi anëtarësimi në parti prej tre muajsh.

Neni 31Demokracia e brendshme

Parimi drejtues i strukturave politiko-organizative të Partisë përbëhet nga kërkimi i një dialektike të brendshme që zbaton nevojat e demokracisë dhe unitetit, lirisë dhe disiplinës, kritikës dhe afirmimit, efektivitetit në veprim dhe shumëllojshmërisë së kontributeve individuale. Për këtë qëllim:

  1. Të gjitha organet drejtuese duhet të zgjidhen në mënyrë demokratike dhe të funksionojnë në frymë kolegjialiteti;
  2. Organet drejtuese i përgjigjen organit që i ka zgjedhur dhe duhet të raportojnë periodikisht për veprimtarinë e tyre;
  3. Secilit drejtuesi të çdo niveli mund t’i revokohet mandati në çdo kohë nga instanca që e ka zgjedhur, mbështetur në një procedurë demokratike e transparente;
  4. Çdo instancë e Partisë ka detyrimin të promovojë dhe respektojë demokracinë e brendshme, duke favorizuar veprimtarinë dhe iniciativën e të gjithë anëtarëve dhe duke mbajtur një lidhje të vazhdueshme midis bazës dhe organeve drejtuese;
  5. Pasi të ketë përfunduar diskutimi në të gjitha instancat, përfshirë ato të Bazës dhe Degës, dhe të merret një vendim në mënyrë demokratike, vendimi është i detyrueshëm për të gjithë anëtarët;
  6. Nuk lejohen veprime që shkelin parimet themelore dhe dispozitat e Statutit.

Neni 32Ndryshimi i Statutit dhe Rregulloret e Brendshme

  1. Ky Statut mund të ndryshohet nga Kongresi, me kërkesën e të paktën 10 për qind të anëtarëve të Kongresit, 30 për qind të anëtarëve të Këshillit Koordinues, ose Kryetarit të Lëvizjes BASHKË, dhe me miratimin nga 2/3 e anëtarëve të pranishëm në mbledhjen e Kongresit.
  2. Rregulloret e brendshme të Lëvizjes BASHKË si rregull miratohen nga Këshilli Koordinues me 2/3 e kuorumit total.

Neni 33Dispozita kalimtare

  1. Vjetërsia në parti (neni 30) do të aplikohet 4 vjet pas themelimit të Lëvizjes BASHKË në gjykatë;
  2. Ndryshimet statutore i depoziton në gjykatë Sekretari Organizativ dhe Komisioni i Zgjedhjeve.