MANIFESTI I LËVIZJES BASHKË

HYRJE

Shqipëria është në një krizë të trefishtë: ekonomike, shoqërore e politike. Ekonomia e vendit po merr të tatëpjetën. Niveli i jetesës së qytetarëve është nga më të ulëtit në Evropë. Pagat, pensionet, ndihma ekonomike dhe të ardhurat e tjera nuk i mundësojnë shumicës dërrmuese të shoqërisë një jetë minimalisht dinjitoze. Papunësia mbetet e lartë dhe kushtet e punës të rrezikshme e tjetërsuese. Nga ana e kundërt, një grusht oligarkësh e njerëzish të pushtetshëm pasurohen në kurrizin tonë, duke na shfrytëzuar, grabitur dhe uzurpuar të përbashkëtat.

Për shkak të pamundësive ekonomike, shoqëria shqiptare po përjeton një nga momentet më të këqija të historisë sonë bashkëkohore. Punëtorë e të papunë, studentë e profesionistë, të reja e të rinj po marrin arratinë nga vendi duke e kërkuar shpresën gjetiu në Perëndim. Të pushtetshmit dhe oligarkët po na e bëjnë të pajetueshëm vendin tonë, duke na shtyrë drejt gomoneve dhe punës ilegale në vendet e tjera. Në vend që të eksportonim produktet e punës dhe krijimtarisë sonë, prej tri dekadash vazhdojmë të eksportojmë njerëz. Kjo ndarje e dhunshme nga vendi e bashkëqytetarët, e shoqëruar me degradimin e shërbimeve publike dhe hapësirave komunitare, po na armiqëson me njëri-tjetrin, duke degraduar në agresivitet ndaj më të dobtëve.

Kriza ekonomike e shoqërore është produkt i një krize politike permanente. Në tri dekada Shqipëria është sunduar dhunshëm, hajdutërisht e manipulativisht nga dy parti. PS dhe PD, e rreth e rrotull tyre një tufë partizash klienteliste, nuk përfaqësojnë shtresat e gjera të popullsisë. Ato janë struktura të ndryshkura burokratike, të korruptuara tejendanë, nën sundimin despotik të kryetarëve të paskrupullt, shërbyese të interesave të oligarkëve dhe pa vizion e perspektivë tjetër përpos korrupsionit sistematik. Mekanizmi kryesor përmes të cilit ato mbledhin vota është klientelizmi si kompensim i vobektë për mungesën e punës dinjitoze, shërbimeve publike dhe drejtësisë shoqërore.

Koha e tyre po merr fund. Vjeturinat partiake nuk vlejnë as për muze. Askush nuk beson më në to, ndërkohë që po i braktisin edhe nostalgjikët e fundit. Ato janë ngrehina pompoze nga jashtë e të ndryshkura nga brenda, që një lëvizje shoqërore serioze do t’i rrëzonte një herë e përgjithmonë.

Për ta ngritur këtë lëvizje duhet të bëhemi Bashkë. Të gjithë ne, njerëzit e punës e të krijimtarisë, të vuajtjeve e nëpërkëmbjes, të ëndrrave e aspiratave, të organizuar e të bashkuar në një shumësi që mposht zullumqarët, ngadhënjen mbi vështirësitë dhe ndërton një shoqëri të drejtë e të begatë.

I. BOTËKUPTIMI

Botëkuptimi dhe vlerat e Lëvizjes Bashkë i përkasin të majtës demokratike, e cila deri më sot ka pasur një pozitë margjinale në vendin tonë.

Ne, aktivistët e Lëvizjes Bashkë, besojmë te dinjiteti njerëzor, i shprehur përmes lirisë dhe të drejtave individuale e kolektive. Ne luftojmë për një shoqëri ku askush të mos ndihet i veçuar dhe i nëpërkëmbur. Ne jemi kundër poshtërimit të njeriut nga njeriu dhe kundër çdo institucioni shtypës.

Ne mendojmë se pabarazitë e theksuara ekonomike prodhojnë shtypje e shfrytëzim, varfëri e varësi, pabarazi politike e deficit demokratik, degradim kulturor dhe mungesë emancipimi shoqëror. Ndaj luftojmë për reduktimin e pabarazive ekonomike, pjesëmarrje sa më të gjerë në jetën ekonomike dhe shtrirje të gjithanshme të begatisë.

Ne besojmë fort te solidariteti i njeriut me njeriun në punë, shkollë, vendbanim dhe gjerësisht në shoqëri. Pa solidaritet nuk ka shoqëri, por një luftë të të gjithëve kundër të gjithëve, ku në fund mbisundojnë ujqit. Solidariteti është fuqia kolektive e të pafuqishmëve individualisht dhe ngjizësi i shpresës për një kohë të re.

Ne mendojmë se puna është veprimtaria kryesore shoqërore, në të cilën shumica prej nesh kalon një pjesë të madhe të kohës së vetëdijshme. Si e tillë, ajo duhet të jetë në qendër të përpjekjes për të drejta, dinjitet dhe pjesëmarrje. Ne besojmë se njerëzimi ka potencialin e ndërtimit të një shoqërie ku puna nuk shfrytëzohet dhe tëhuajësohet, por është ushtrim i lirë i potencialeve krijuese të njeriut.

Ne u njohim punëtoreve e punëtorëve, të duarve e të mendjes, rolin kryesor në transformimin e shoqërisë sipas idealeve më emancipuese. Ato e ata, të varfër e shtresë e mesme, shumicë e heshtur publikisht, e dërrmuar ekonomikisht dhe dërrmuese numerikisht, kanë potencialin për të demokratizuar shtetin dhe mëkëmbur krejt shoqërinë.

Ne besojmë te barazia gjinore dhe luftojmë kundër çdo akti dhune, kërcënimi, nënçmimi e poshtërimi të gruas në shtet, shoqëri e familje.

Ne besojmë se çdo njeri, pavarësisht kategorizimit, orientimit dhe vetëpërkufizimit identitar – etnik, gjuhësor, fetar, seksual, krahinor etj. – duhet të trajtohet me respekt e barazisht, si dhe të mos diskriminohet as nga shteti, as nga shoqëria.

Ne vlerësojmë se demokracia është sistemi më i arrirë i organizimit politik të shoqërisë. Ndaj luftojmë që ajo të mos mbetet në letër, por të thellohet e të shtrihet në pjesën më të madhe të marrëdhënieve shoqërore. Ne besojmë te një demokraci sa më pjesëmarrëse , ku qytetarëve u garantohet jo vetëm vota e lirë dhe e baraspeshuar në zgjedhjen e përfaqësuesve, por edhe mundësia për ta ushtruar drejtpërdrejt pushtetin përmes referendumeve. Ne mendojmë se demokracia duhet të shtrihet edhe në administrimin e vendit të punës dhe në organizimin e jetës në komunitet.

Ne gjykojmë se shteti social është një nga arritjet më të mëdha të historisë. Shëndetësia, arsimi, strehimi, integrimi social dhe mbështetja ekonomike janë shtyllat e një shoqërie me rendin e duhur, si dhe kontribuuese në demokratizim.

Ne luftojmë kundër degradimit mjedisor dhe synojmë një model zhvillimi që u jep përparësi burimeve energjetike të rinovueshme dhe merr seriozisht në konsideratë të drejtën e njerëzve për një mjedis të pastër e të shëndetshëm.

Ne mendojmë se vendi i Shqipërisë është si e barabarta mes të barabartave në një Bashkim Evropian që bazohet në vlerat e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe ndihmës reciproke.

Ne mendojmë se në të gjitha organizatat ndërkombëtare ku merr pjesë, Shqipëria duhet të japë kontributin e saj serioz në promovimin e paqes, demokracisë dhe mirëkuptimit.

Ne kërkojmë paqen në botë dhe besojmë te solidariteti mes popujve. Ne jemi kundër të gjitha formave të pushtimit, sundimit, grabitjes dhe këmbimit të pabarabartë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ne besojmë tek e drejta e çdo populli për vetëvendosje.

Ne, aktivistët e Lëvizjes Bashkë, frymëzohemi nga lëvizjet shoqërore dhe figurat madhore të popullit shqiptar , si dhe nga aspirata mbarëkombëtare për bashkim. Po ashtu motivohemi nga arritjet e mëdha të lëvizjeve shoqërore emancipuese nëpër botë, ku të shtypurit e të shfrytëzuarit kanë ngritur krye. Ne besojmë se patriotizmi i shëndoshë dhe internacionalizmi i vërtetë janë anët komplementare të përpjekjes për një mëmëdhe të begatë dhe botë në paqe e solidaritet.

II. PROGRAMI SOC–EKONOMIK

Çfarë synojmë?

Çdo qenie njerëzore duhet të ketë në fund të ditës një nivel të ardhurash që t’i garantojë jetesën dinjitoze. Prandaj në themel të programit tonë social-ekonomik qëndron domosdoshmëria e njohjes me ligj të minimumit jetik. Ne do të luftojmë jo vetëm që shteti të njohë minimumin jetik, por edhe që institucionet ta përllogarisin atë periodikisht e me saktësi. Kësisoj askush nuk do të ketë nevojë t’u shtrijë dorën të tjerëve.

Një shoqëri me rendin e duhur bazohet mbi punën e mirëpaguar e me të drejta. Shqipëria ka nevojë urgjente për rritjen e pagave në sektorin privat e publik . Kjo do të arrihej përmes rritjes së vazhdueshme të pagës minimale deri në arritjen e nivelit të pagës së jetueshme. Krahas saj, ne mendojmë se arsimimi i punëtorëve, së bashku me të drejtat në punë dhe organizimin human të vendit të punës, do të rrisnin produktivitetin dhe të mirat materiale e shpirtërore të shoqërisë.

Nuk ka punë me dinjitet nëse punëtorëve të duarve e të mendjes nuk u sigurohen pushime javore e vjetore të mjaftueshme. Pushimet duhet të shërbejnë si për ripërtëritjen fizike e mendore të punëtorëve, ashtu edhe për argëtimin, kulturimin dhe vetafirmimin e tyre. Si objektiv afatmesëm, duke marrë në konsideratë modelet më të mira botërore, ne do të luftojmë për një javë 35-orëshe pune për të gjithë njerëzit e punës.

Puna, si shtylla kryesore e jetës ekonomike të shoqërisë, duhet mbrojtur dhe fuqizuar përmes ligjeve dhe praktikave më të mira. Ne besojmë fuqishëm në rëndësinë e organizimit sindikalist dhe kontratave kolektive të punës . Shteti duhet të kontribuojë në drejtpeshimin e marrëdhënieve brenda vendit të punës, çka mund të arrihet vetëm nëse punëtorët organizohen masivisht në sindikata të pavarura dhe i rregullojnë marrëdhëniet e tyre me punëdhënësin mbi bazën e kontratës kolektive. Një mënyrë për të nxitur shtrirjen e kontratave kolektive është që ato të bëhen të detyrueshme për ndërmarrjet e mëdha, si dhe për çdo sipërmarrje që fiton kontrata nga shteti.

Puna duhet të jetë baza e pensioneve të denja. Pensioni minimal duhet të llogaritet në bazë të minimumit jetik , ndërsa emergjenca e të pasiguruarve duhet të zgjidhet duke e ulur moshën e përfitimit të pensionit social në moshën e daljes së zakonshme në pension. Ne mendojmë se lufta ndaj informalitetit në marrëdhëniet e punës dhe kontributet shtetërore për skemën e pensioneve do të mund ta përmirësonin ndjeshëm fatin e qytetarëve që prej një jete kanë kontribuar përmes punës së tyre në të mirën e përbashkët.

Një shoqëri vitale ka nevojë të inkurajojë të rinjtë dhe të mbështesë profesionistët, çka bëhet edhe më urgjente në kushtet e emigrimit masiv. Lëvizja Bashkë beson te fuqia krijuese e të rinjve dhe te kapaciteti intelektual i profesionistëve . Ashtu sikundër i qëndrojmë idesë se kushtet e barabarta dhe vlerësimi objektiv i aftësive duhet të jenë shtyllat e përparimit profesional e shoqëror. Ne do të luftojmë që çdo i ri të ketë mundësi të arsimohet e punësohet, ndërkohë që çdo profesionist të marrë vlerësimin material e shoqëror që meriton.

Lëvizja Bashkë sheh me përparësi çështjen e barazisë gjinore dhe luftën ndaj çdo diskriminimi. Këto synime mund të arrihen vetëm nëse një shtet i demokratizuar arrin që përmes ligjeve t’u kundërvihet me forcë rasteve të dhunës gjinore e identitare, të drejtpeshojë strukturën ekonomike të shoqërisë, si dhe të ndërmarrë fushata të gjithanshme edukuese e ndërgjegjësuese që synojnë të kultivojnë te çdo anëtar i shoqërisë idenë e barazisë dhe respektit ndaj tjetrit.

Emergjenca shëndetësore duhet të përballohet përmes investimeve të fuqishme shtetërore në spitalet publike, pajisjes së tyre me infrastrukturën dhe teknologjinë e duhur, si dhe nga mirëpagimi dhe respektimi i punës së mjekëve, infermierëve dhe punonjësve të tjerë shëndetësorë. Ne besojmë në parimin e shëndetësisë publike falas dhe me cilësi të lartë, që i garantohet kujtdo dhe kuron me përparësi ata që kanë më shumë nevojë. Ne jemi kundër koncesioneve të shërbimeve spitalore, sikundër u kundërvihemi të gjitha tentativave për të komercializuar spitalet publike, duke ua hedhur barrën e financimit pacientëve.

Po ashtu besojmë se bashkëveprimi midis strukturave shtetërore, mjekëve e infermierëve dhe komunitetit të pacientëve e familjarëve të tyre do të ishte përgjigjja e duhur ndaj korrupsionit në spitalet publike. Një sistem spitalor publik dinjitoz, ku jeta e shëndeti i njeriut mbrohen e fuqizohen, do të ngushtonte shtrirjen abuzive të spitaleve private, do të ulte kostot dhe do të specializonte shërbimet e tyre. Nga ana tjetër, informimi i vazhdueshëm i popullsisë për shëndetin dhe sëmundjet, i shoqëruar me fuqizimin e strukturave të gjurmimit dhe parandalimit të sëmundjeve, do të kontribuonin ndjeshëm në jetën e shëndetshme e të begatë të popullsisë.

Një popull i keqarsimuar është fatkeq. Ndaj ne vlerësojmë se arsimi cilësor – pa nepotizëm e abuzime, me mësues dhe edukatorë të përgatitur e të mirëpaguar – është një prej shtyllave më të rëndësishme të jetës shoqërore. Ne luftojmë për arsim publik falas në të gjitha shkallët e veta . Ne duam të ndërtojmë një shtet që siguron kujdesin e plotë e falas të fëmijëve që prej nivelit parashkollor. Ne synojmë që çdo njeri të kryejë së paku 12 vite shkollë, duke u formuar kësisoj edhe intelektualisht, edhe si qytetar. Shkolla duhet të na mbrujë me dije e kulturë, me zhvillim të kapaciteteve profesionale dhe një sens të fortë qytetarie. Po, mbi të gjitha, ne besojmë në një sistem arsimor që kultivon te të rinjtë mendimin kritik e racional, krijimtarinë dhe respektin për tjetrin e shoqërinë, duke u bërë kësisoj kontribuues i një jete kuptimplote.

Ne mendojmë se strehimi është një prej të drejtave themelore të njeriut, mosrespektimi i të cilës rrezikon një varg të drejtash të tjera. Prandaj luftojmë për politika serioze të strehimit social të lirë e të qasshëm nga të gjithë , sidomos nga shtresat e varfra të shoqërisë. Të varfrit dhe të gjithë ata që nuk mund të përballojnë kostot e qirave, duhet të kenë mundësi të jetojnë me qira të lira në banesa publike dhe, sipas praktikave më të mira botërore, pas disa vitesh të kenë mundësi t’i blejnë ato me çmime preferenciale. Ndërkohë shteti duhet të ndërhyjë përmes politikave tatimore që të ulë çmimin e qirave në sektorin privat, si dhe të reduktojë numrin e apartamenteve bosh, të cilat as përdoren për arsye banimi, as futen në tregun e shit-blerjes dhe qiradhënies.

Nevoja për lehtësim dhe përshpejtim të lëvizjes së qytetarëve kërkon ndërtimin e një sistemi publik transporti, i cili do t’u mundësonte të gjithëve të përdornin linja urbane e ndërurbane si alternativë ndaj automobilit. Në bashkitë e mëdha shteti duhet të marrë në kontroll publik linjat e transportit urban, duke u siguruar udhëtarëve kushte dinjitoze transporti me çmim të lirë . Për kategori të veçanta – si njerëzit me aftësi ndryshe, pensionistët, të papunët, studentët etj – transporti publik urban duhet të garantohet falas. Në transportin ndërurban duhet parë me përparësi rimëkëmbja e sistemit hekurudhor, ku qytetarët do të mund të udhëtonin lirë e shpejt. Të tilla masa jo vetëm do të lehtësonin trafikun dhe lëvizjen në qytet dhe mes zonave urbane, por edhe do të kishin një ndikim shumë të madh në reduktimin e ndotjes së mjedisit.

Jeta kuptimplotë në shoqëri kërkon edhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore . Trashëgimia materiale e shpirtërore e popullit tonë nuk duhet të bjerë pre e grykësisë së atyre që shohin fitim prej zhdukjes, tjetërsimit dhe komercializimit të saj. Ajo duhet të shërbejë si urë lidhëse me historinë, vlerat dhe botëkuptimin e paraardhësve tanë, si dhe të jetë objekt i reflektimit për të shkuarën dhe të ardhmen tonë si shoqëri.

Një shoqëri vitale ka nevojë për nxitjen e veprimtarive sportive masive. Fëmijët, të rinjtë dhe të gjithë qytetarët duhet të kenë hapësira të bollshme sportive për t’u argëtuar individualisht e kolektivisht, si dhe për të fuqizuar shëndetin e tyre. Sporti është një prej nxitësve kryesorë të solidaritetit shoqëror dhe frymës së bashkësisë.

Ne mendojmë se një shoqëri e begatë ka nevojë për politika sigurie që rrisin kapacitetet mbrojtëse të vendit, garantojnë kontrollin civil e demokratik mbi institucionet e sigurisë, vendosin në kontroll publik aeroportet dhe portet kryesore të vendit dhe ndërtojnë partneritet serioz me vendet demokratike.

Si do t’i materializojmë?

Shqipëria ka nevojë për zhvillim të qëndrueshëm, i cili ndërthur rritjen ekonomike, punësimin e plotë, rritjen e produktivitetit të punës dhe rishpërndarjen e pasurisë, me mbrojtjen e mjedisit dhe jetën kuptimplotë. Zhvillimi i vendit kërkon progresin e sektorëve kyçë të ekonomisë kombëtare, si bujqësia, turizmi dhe industria.

Nuk ka vend të zhvilluar në të cilën një pjesë e madhe e forcave të punës janë në bujqësi, ndërkohë që produktiviteti bujqësor është mjaft i ulët. Ne synojmë që, përmes politikave nxitëse dhe mbështetëse, prej subvencioneve te hopi teknologjik, të sigurojmë një rritje të hovshme të produktivitetit bujqësor, e cila do të mundësonte njëherësh sigurinë ushqimore të vendit dhe përmirësimin e bilancit tregtar përmes eksporteve.

Vendi ynë duhet të përdorë me zgjuarsi avantazhet e veta natyrore në fushën e turizmit. Katastrofa urbano-turistike e tri dekadave të fundit duhet të ndreqet përmes planifikimit të zhvillimit turistik, i cili duhet të mbështetet mbi sipërmarrjet e vogla e familjare, të cilat do të rrisnin cilësinë e shërbimeve në një mjedis sa më natyror. Ne nuk mendojmë se turizmi i korporatave, që shpronëson banorët vendas dhe ngre kështjella prej betoni në bregdet, mund të krijojë një mjedis turistik të shëndetshëm dhe nxitës të ekonomisë.

Kriza ekonomike kërkon që institucionet publike të rimarrin në kontroll pasuritë e nëntokës shqiptare, nga nafta e kromi te mineralet e tjera. Investimet e zgjuara publike jo vetëm do të rrisnin kapacitetet nxjerrëse të minierave e puseve naftëmbajtëse, por edhe do të ofronin siguri pune për punëtorët. Hopi zhvillimor i ekonomisë së nëntokës nuk mund të jetë i plotë pa rindërtimin e industrive përpunuese të mineraleve dhe naftës. Përmes politikave nxitëse dhe, sipas mundësive, investimeve shtetërore, Shqipëria mund të përdorë për nevojat e veta dhe të eksportojë produkte të përpunuara, vlera e të cilave është mjaft më e lartë sesa thjesht eksportimi bruto.

Më gjerësisht, ne synojmë që Shqipëria të rrisë kapacitetet e veta industriale jo vetëm në industrinë ushqimore e tekstile, duke u ngjitur në zinxhirin global të prodhimit, por edhe në sektorë të rinj, ku me përparësi duhet trajtuar puna konjitive. Arsimimi i vazhdueshëm i punonjësve, përgatitja e tyre për të kryer punë gjithnjë e më komplekse, si dhe krijimi i një mjedisi motivues pune do të rrisnin produktivitetin e punës dhe mirëqenien e punonjësve dhe të mbarë shoqërisë.

Lëvizja Bashkë mbështet bizneset e vogla dhe familjare, duke inkurajuar specializimin e tyre në produkte e shërbime. Aty ku është e mundur dhe mbi bazën e vullnetit të lirë të njësive të vogla ekonomike, duhet nxitur krijimi i sipërmarrjeve të përbashkëta, të cilat do të reduktonin kostot dhe do të rrisnin cilësinë e produktit e të shërbimit.

Një shoqëri e begatë dhe papunësia e pavullnetshme nuk shkojnë bashkë. Ndaj ne mendojmë se përmes politikave të forta publike dhe nxitjeve të sektorit privat të sigurojmë punësimin e sa më shumë qytetarëve në moshë pune , të aftë për punë dhe të paangazhuar në shkollë. Problemi i papunësisë është i lidhur ngushtë edhe me informalitetin në punë dhe punën me kohë të pjesshme. Ndaj një shtet i mirëfilltë social nuk do të lejonte që mbi askënd të imponohej informaliteti në punë. Nga ana tjetër vëmendje duhet t’u kushtohet edhe njohjes dhe shpërblimit të drejtë të punës së kujdesit, sidomos në mjediset familjare.

Shumë nga politikat e mësipërme kërkojnë rritje dhe rialokim të buxhetit të shtetit. Buxheti mund të rritet duke luftuar seriozisht krimin e organizuar, praktikat korruptive dhe duke reduktuar informalitetin në ekonomi.

Sot Shqipëria është e përmbytur nga paraja e pistë, produkt i veprimtarive kriminale e korrupsionit qeveritar. Sekuestrimi dhe përdorimi për interesin publik i pasurive kriminale e korruptive do të përbënin një faktor të rëndësishëm të rritjes së buxhetit të shtetit dhe progresit ekonomik.

Sot shteti shqiptar u paguan çdo muaj oligarkëve dhjetëra miliona euro për koncesione e partneritete publike-private korruptive e rëndom të panevojshme. Hetimi dhe revokimi i tyre do të siguronte fonde për investime publike të domosdoshme.

Prej dekadash buxheti i shtetit e ka pësuar prej haraçeve të marra nga pushtetarët për leje e licenca, në vend që të taksoheshin ndershmërisht përfituesit e tyre. Përmbysja e kësaj logjike do t’u jepte frymëmarrje ekonomisë dhe buxhetit të shtetit.

Edhe për qëllimet e mësipërme, Shqipërisë i duhet themelimi i shtetit të së drejtës, ku institucionet gjyqësore të jenë të pavarura nga degët e tjera të pushtetit, por të varura fund e krye nga kushtetuta dhe ligji. Ligjshmëria duhet të jetë garancia e qytetarit të thjeshtë dhe frenuesja e çdo abuzimi me të mirën publike dhe të drejtat e çdo qytetari.

Lufta ndaj monopoleve dhe nxitja e konkurrencës në ekonomi jo vetëm do të rrisnin cilësinë e produkteve e shërbimeve, por edhe do të ulnin çmimet e tyre, duke siguruar kësisoj zgjerimin e vazhdueshëm të veprimtarive ekonomike dhe ngritjen e nivelit të jetesës.

Ne besojmë fort te parimi dhe efektiviteti i taksimit progresiv. Kush nxjerr të ardhura përmes punës duhet të taksohet më pak se ata që përfitojnë përmes spekulimit. Kush zotëron më shumë pasuri duhet të paguajë më shumë se të papronët dhe pronarët e vegjël. Kush fiton të ardhura të larta duhet të paguajë më shumë se njerëzit me të ardhura të ulëta e mesatare. Kjo rishpërndarje ekonomike do të mbështeste përmirësimin dhe qasjen e barabartë në shërbimet publike, do të zgjeronte bazën e ekonomisë duke siguruar kushte të barabarta dhe do të kontribuonte ndjeshëm në aktualizimin e parimeve të drejtësisë shoqërore.

III. DEMOKRACIA PJESËMARRËSE NË POLITIKË E SHOQËRI

Demokracia nuk është asnjëherë e mjaftueshme, sidomos për vende që e kanë njohur pak dhe pjesërisht atë. Ne besojmë te demokratizimi i vazhdueshëm i shtetit dhe shoqërisë . Ne synojmë një demokraci sa më pjesëmarrëse, ku qytetarëve u garantohet e drejta e iniciativës ligjvënëse dhe e votimit të ligjeve. Ndaj do të përpiqemi t’u sigurojmë qytetarëve të drejtën e iniciativës ligjvënëse me referendum dhe të lehtësojmë organizimin e referendumeve. Kjo do të kërkonte uljen e pragut të nënshkrimeve qytetare për një referendum, sigurimin e afateve të mjaftueshme kohore për mbledhjen e nënshkrimeve dhe mbështetjen financiare shtetërore të procesit të mbledhjes së nënshkrimeve nga grupet nismëtare.

Në demokracitë moderne elementi i përfaqësimit është i pashmangshëm. Por Lëvizja Bashkë do të synojë demokratizimin themelor të sistemit zgjedhor. Kjo do të kërkonte vendosjen e një sistemi zgjedhor proporcional kombëtar . Po ashtu lehtësimin e kushteve dhe procedurave për kandidatët e pavarur që vijnë si rezultat i iniciativave qytetare, duke mundësuar kësisoj një përfaqësim sa më të drejtë të pluralitetit shoqëror. Në zgjedhjet qendrore e vendore ligji duhet t’u njohë iniciativave qytetare të drejtën për të kandiduar me lista deputetësh dhe këshilltarësh bashkiakë.

Lëvizja Bashkë zotohet të luftojë për të drejtën e shtetasve shqiptarë me banim jashtë Shqipërisë për të votuar prej vendeve ku jetojnë. Nuk mund të ketë demokraci të njëmendtë pa lirinë dhe pluralitetin e mediave, si dhe pa mbrojtjen e punës së gazetarëve. Kjo kërkon themelimin dhe promovimin e sa më shumë mediave që nuk kontrollohen nga oligarkët dhe as janë nën ndikimin e pushtetit politik. Në të gjitha mediat, faktor themelor i hulumtimit të paanshëm dhe lirisë së kritikës është organizimi i gazetarëve në sindikata të pavarura e të fuqishme, duke e kthyer redaksinë në drejtuesen e vërtetë të punës hulumtuese e raportuese.

Demokracia politike është e mangët dhe e brishtë nëse nuk shoqërohet me masa që do të nxisnin demokratizimin e marrëdhënieve ekonomike e shoqërore. Lëvizja Bashkë mendon se punëtorët duhet të kenë zë të rëndësishëm në administrimin e vendit të punës , si dhe në vendimmarrjen brenda tij. Kësisoj, për ndërmarrjet e mëdha dhe sipërmarrjet që përfitojnë kontrata nga shteti, ne synojmë që ligji t’u garantojë organizatave punëtore vende të mjaftueshme në bordet e administrimit . Kjo masë jo vetëm do të rriste sigurinë në punë dhe mbronte dinjitetin e punëtorëve, por edhe do të ishte një shtysë e nevojshme për identifikimin e punëtorëve me fatet e ndërmarrjes dhe rritjen e cilësisë së punës.

Organizimi shoqëror dhe vetadministrimi i të përbashkëtave është komponenti i tretë i demokratizimit të njëmendtë të vendit. Lëvizja Bashkë synon të nxisë format më të larmishme e të gjera të organizimit shoqëror: nga vendbanimi në shkolla, nga profesioni në sporte, art e veprimtari të pasioneve kolektive . Duam të theksojmë veçanërisht organizimin e jetës urbane prej komuniteteve të pallateve e të lagjeve, të cilat duhet të kenë kompetenca vendimmarrëse dhe të trajtohen si partnere të rëndësishme nga organet e pushtetit vendor. Po ashtu krejt hapësirat e përbashkëta duhen administruar sipas metodave kolegjiale ku përfshihen përfaqësues të institucioneve publike dhe përfaqësues të shoqatave, grupimeve e forumeve profesionale e qytetare. Një qytet i jetueshëm është përftesë e angazhimit dhe koordinimit të gjithë shumësisë qytetare.

Ne, aktivistët e Lëvizjes Bashkë, të vetëdijshëm për problemet dhe sfidat e shoqërisë sonë, krenarë për arritjet historike të popullit shqiptar, të frymëzuar nga lëvizjet emancipuese shoqërore kombëtare e botërore, me besim te liria, barazia, solidariteti e dinjiteti njerëzor, të vetëdijshëm për rëndësinë e zhvillimit ekonomik e drejtësisë shoqërore, vlerësues të rolit të punës dhe krijimtarisë individuale e kolektive, të përkushtuar ndaj demokracisë dhe pjesëmarrjes qytetare, dëshmojmë ekzistencën tonë politike dhe ftojmë çdo qytetar t’i bashkohet përpjekjes për të mirën e përbashkët!