PROJEKTLIGJI ZHVATËS MBI PASURITË NATYRORE

Edi Rama ne nje takim per Vjosa Park Kombetare

Mbas kalimit të buxhetit të zhvatjes së qytetarëve, qeveria po bën gati projektligjin "Për zonat e mbrojtura". Kjo nismë e një grushti deputetësh anonimë, është në shërbim të interesave të oligarkëve dhe parave të dyshimta, duke krijuar kushtet drejt një betonizimi të pariparueshëm të zonave të mbrojtura. Edhe pse prej muajsh në Kuvendin e Shqipërisë rri në sirtarë projektligji i propozuar nga qytetarët për caktimin zyrtar me ligj të Minimumit Jetik, apo premtimi/mashtrimi 30-vjeçar për Statusin e Minatorit, qeveria nuk e çan kokën për interesat e atyre që e votojnë. Përparësi e saj janë interesat e një grupi oligarkësh dhe gangsterësh që financojnë fushatat elektorale. Ky projektligj, edhe sipas ekspertëve mjedisorë e ekonomikë, është në kurriz të shoqërisë dhe interesit publik. Në një moment kur biodiversiteti dhe bukuria natyrore e Shqipërisë po ballafaqohen me sfida të mëdha, projekti i propozuar për ndryshimet në ligjin për "Zonat e Mbrojtura" është një rrezik i madh për trashëgiminë mjedisore të vendit tonë. Ky projektligj, në thelb, synon të hapë rrugën për ndërtimet në zonat e mbrojtura, duke përfshirë parqet kombëtare. Pas betonizimit masiv të kryeqytetit dhe privatizimit të bregdetit nga oligarkët e investitorët e dyshimtë strategjikë, Edi Rama po shikon drejt zonave të mbrojtura si burime të reja për të pasuruar më tej veten dhe oligarkët. Kjo nismë përbën një shkelje serioze të parimeve të zhvillimit të qëndrueshëm, duke rrezikuar jetën e shëndetshme të komuniteteve lokale. Në vend që të nxiren ndërtime të papërgjegjshme, nevojitet një përkushtim i vërtetë ndaj mbrojtjes së mjedisit dhe një strategji e qëndrueshme për zhvillim ekonomik. Qeverisja duhet të jenë transparente dhe t'i shërbejë mirëqenies së qytetarëve. Është koha që ne, si shoqëri, të organizohemi kundër kësaj pakice numerikisht të papërfillshme që shfrytëzon dhe shkatërron pasuritë tona natyrore e publike në emër të interesave të saj të ngushta.

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/projektligji-zhvates-mbi-pasurite-natyrore/