111-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë

Flamuri i Shqiperise, shqiponje e zeze me dy kreh dhe sfond i kuq

Sot 111 vjet më parë përfaqësuesit më të denjë të kombit shqiptar shpallën mëvetësinë tonë dhe hodhën themelet e një shteti të bazuar te vullneti i popullit dhe parimet e të drejtës. Në këtë 111-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë një realitet tronditës shpaloset në vendin tonë. Shqipëria po përjeton një periudhë tronditëse, ku oligarkët dhe politikanët shfrytëzojnë pushtetin për të privatizuar pasurinë publike dhe shpërbërë strukturat themelore të shtetit. Ekonomia është e kapur nga pak njerëz; shëndetësia, arsimi, pensionet janë në gjendje të mjerueshme dhe mungon një shtet social. Sot pushtuesi është zëvendësuar nga bajraktarët vendas, të cilët e përdorin patriotizmin simbolik për të mbuluar vjedhjen dhe zhvatjen. Shqipëria është shndërruar në një vend ku shumë prej qytetarëve janë detyruar të largohen për të gjetur shpëtim në emigrim, duke e bërë Shqipërinë një ndër vendet e pakta me më shumë popullsi në emigrim, sesa brenda territorit të saj. Në skenën ndërkombëtare, Shqipëria shfaqet me një imazh të errët, me nivelet më të larta të krimit dhe korrupsionit. Partitë e vjetra politike i shërbejnë interesave të një pakice të pasuruar në mënyrë të dyshimtë. Kjo situatë thekson nevojën e një reagimi të fuqishëm dhe të koordinuar nga qytetarët shqiptarë. Për të krijuar një Shqipëri vërtet të lirë, demokratike dhe të begatë, shqiptarët duhet të organizohen dhe të reagojnë në mënyrë aktive. Është koha të kërkojmë llogari nga ata që kanë shfrytëzuar pushtetin interesa personale dhe për të shpëtuar Shqipërinë nga kriza e thellë që e përshkon. Thirrja është për një angazhim të përbashkët për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve dhe për të ndërtuar një shtet vërtet të pavarur, të së drejtës, demokracisë dhe zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm. Lëvizja BASHKË nderon me përulje themeluesit e shtetit shqiptar, ata njerëz të virtytshëm e të guximshëm që sakrifikuan gjithçka për ta ndërtuar Shqipërinë sipas aspiratave më të larta. Lëvizja BASHKË i bashkohet urimit të çdo shqiptari në këtë ditë të shënuar. Lëvizja BASHKË kujton se rruga drejt pavarësisë së vërtetë dhe shtetit të së drejtës, demokratik e social është ende e gjatë. BASHKË mund t'ia dalim!

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/111-vjetori-i-pavaresise-se-shqiperise/