QEVERIA E INTERESAVE TË SAMIR MANES

Samir Mane dhe Edi Rama me sfond Portin e Vlores

Një hulumtim i kryer nga BIRN dhe gazetarja Ola Xama nxori në pah se qeveria e Edi Ramës i fali Portin e Vlorës, për një euro, oligarkut Samir Mane. Hulumtimi pasqyron procesin skandaloz të dhënies me koncesion të Portit të Vlorës, abuzimin e kompanive duke ndërtuar mbi një pronë të marrë me qira dhe shitjen e apartamenteve me një vlerë të disafishtë mbi çmimin e përcaktuar. Një mori abuzimesh dhe përfitimi. Edhe pse në portin e Vlorës janë bërë investime prej 12.3 milionë eurosh për rehabilitimin e terminalit të pasagjerëve dhe dy moleve, qeveria Rama vendosi ta zhvendosë portin në një zonë tjetër, duke nxitur kompanitë që të hidhnin sytë drejt këtij investimi. Me anë të një procesi konkurrimi, porti i Vlorës iu dha me koncesion katër kompanive dhe rreth 57 mijë metra katrorë tokë në vlerën 1 euro. Qeveria shqiptare kësaj here nuk nënshkruan thjesht një koncesion abuziv, por edhe fal një pjesë të konsiderueshme nën justifikimin e “investitorit strategjik”. Sipas një logjike aspak zhvillimore, këto kompani parashikojnë të ndërtojnë apartamente dhe hotele, me kushtin e vetëm që të punësojnë 100 punonjës. “Shqipëria 1 euro” është shitur si politikë lehtësuese për biznese që krijojnë rritje ekonomike, ndërkohë këto kompani kanë si qëllim vetëm ndërtimin dhe shitjen. Këto ndërtime jo vetëm që janë elementë të një modeli të paqëndrueshëm zhvillimi, por nga ana tjetër buxheti i shtetit nuk do të ketë asnjë përfitim prej tyre, sepse lekët shkojnë në xhepat e oligarkëve. Për t’u theksuar është edhe fakti që, pas përfundimit të procesit të prokurimit për dhënien me koncesion të portit, dy nga kompanitë hoqën dorë nga aksionet e tyre dhe në qershor të vitit 2022 në lojë hyri Balfin Group. Ky ndryshim i aksionerëve dhe shitja e aksioneve me vlera minimale ngjallin dyshime të arsyeshme se proceset janë fiktive dhe spekuluese. Dy kompanitë e mbetura, në pronësi të Samir Manes dhe Geront Çelës, do të ndërtojnë marinën turistike dhe një kompleks luksoz rezidencial të quajtur “Vlora Marina”. Sipas kontratës, këto kompani do të kenë marrëdhënie kontraktuale qiramarrjeje me shtetin shqiptar për 20 vjet dhe do të investojnë 9.8 miliardë lekë mbi këtë truall. Megjithatë, ortakët e kompanisë marrin përsipër vetëm një pjesë të investimit, ndërsa pjesa tjetër do të mbulohet nga blerësit e apartamenteve dhe kredia bankare. Këto kompani kanë filluar të shesin apartamente nga trualli, i cili vazhdon të jetë pronë shtetërore e dhënë me qira. Kjo nuk është hera e parë që qeveria e Edi Ramës vepron si shërbëtore e oligarkëve. Kujtojmë këtu koncesionet e kromit dhe naftës, privatizimin e bregdetit, portit të Durrësit, koncesionet në shëndetësi, shkatërrimin e zonave të mbrojtura, inceneratorët dhe kullat në mes të Tiranës. Të gjitha këto uzurpime oligarkësh janë të mjaftueshme për të “futur në xhep” politikanë, ministra, ish-ministra, kryeministra, ish-kryeministra, presidentë, ish-presidentë dhe pronarë mediash. Oligarkët pasurohen çdo ditë e më shumë mbi kurrizin tonë! Lëvizja BASHKË do të jetë zëri që nuk do të heshtë kurrë përpara padrejtësive dhe zhvatjes së të përbashkëtës.

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/qeveria-e-interesave-te-samir-manes/