PO NA MARRIN FRYMËN!
Sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit, çdo vit në Shqipëri vdesin 5,410 qytetarë nga sëmundje të shkaktuara prej ndotjes së ajrit. Kjo vdekshmëri është 2.6 herë më e lartë se mesatarja e vendeve të Evropës. Përmasat e këtij krimi urban janë më të theksuara në Tiranë.
Tirana është një nga qytetet më pak të gjelbëruara të Evropës. Sot sipërfaqja e hapur e gjelbër është më pak se 0.46 m2 për banor. Standardi ndërkombëtar është 4-9 m2 për banor.
Përgjegjës për këtë katastrofë janë pushtetarët që japin leje ndërtimi pa kriter, duke prodhuar kaos urban dhe trafik të rënduar. Ata që përfitojnë janë oligarkët e ndërtimit dhe të importit të naftës.
Por Tirana mund të bëhet qytet i jetueshëm përmes angazhimit tonë, duke u bërë presion institucioneve që të marrin këto masa:
- Matja periodike e ndotjes së ajrit;
- Mbrojtja dhe zgjerimi i parqeve të qytetit;
- Shtimi i sipërfaqes së gjelbëruar për të arritur standardet evropiane;
- Pezullimi 5-vjeçar i ndërtimeve brenda Unazës së Madhe;
- Përmirësimi i ndjeshëm i transportit publik;
- Kontrolli rigoroz i cilësisë së karburantit;
- Mbështetja për përmirësimin e flotës së automjeteve.
Nënshkrimi i peticionit të hartuar nga Lëvizja BASHKË është hapi i parë i përpjekjes së përbashkët për një Tiranë të jetueshme.