SIGURIA E GRAVE ËSHTË DOMOSDOSHMËRI

Protestë me pankarta para drejtorisë së policisë, me në qendër një aktiviste që mban parrullën 'GRA PUNËTORE, ORGANIZOHUNI SINDIKALISHT'

Dita Ndërkombëtare e Gruas na gjen përsëri të pasigurta.

Sot gratë dhe vajzat janë të rrezikuara brenda dhe jashtë shtëpisë së tyre. Ato shtypen dhe dhunohen në shtëpi jo vetëm nga bashkëshortët ose partnerët e tyre, por edhe nga policia që i braktis dhe gjykatësi që korruptohet për të liruar dhunuesin. Vetëm në vitin 2023 20 gra janë vrarë dhe pothuajse të gjitha kishin pasur urdhër mbrotjeje. Sot nuk vrasin vetëm kriminelët, por edhe një shtet që ka dështuar të sigurojë një strehë të sigurt për gruan, larg dhunuesit të saj.

Sot gratë dhe vajzat janë të rrezikuara që në gjenezë, sepse ende diskutohet për abortin selektiv. Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në Shqipëri kemi 21000 vajza më pak në 20 vite (2000-2020). Cenimi i jetës sonë vjen që pa lindur ende, ndaj është domosdoshmëri të luftojmë për një shoqëri të emancipuar që i mbron vajzat.

Sot gratë dhe vajzat ndihen të rrezikuara edhe nga dhuna kibernetike. Vetëm në muajt e parë të vitit 2024 tri gra janë vetëvrarë për shkak të bullizimit dhe shantazhit në rrjete sociale.

Sot gratë dhe vajzat ndihen të rrezikuara në vendin e punës. Sektori ku më së shumti punojnë gra është fasoneria. Prej vitit 2023 ky sektor është në krizë të fortë dhe shumë gra kanë ndjerë rrezikun për humbjen e punës, e shumë të tjera e kanë pësuar atë, duke u kthyer në shtëpi. Shteti ka dështuar sërish, ku prej korrupsionit shumë fabrika nuk i kanë paguar detyrimet ndaj grave që humbën punën. Në vendin e punës gruaja keqpaguhet nga pronari dhe shfrytëzohet e ofendohet prej tij. Është domosdoshmëri të luftojmë për politika ekonomike dhe sociale që do të rrisin pozitën e saj në shoqëri dhe për organizim të saj në vendin e punës.

Sot gratë ndihen të rrezikuara nga degradimi i shtetit social dhe mendësia patriarkale, duke mbajtur mbi shpinë gjithë barrën e punës së kujdesit.

Për ne, aktivistet/ët e Lëvizjes BASHKË, lufta për barazi gjinore është prioritare. Ajo është e lidhur ngushtë me përpjekjen e gjithanshme për zhvillim ekonomik, demokraci reale dhe drejtësi shoqërore. Bashkë do t'ia dalim të ndërtojmë një shoqëri të lirë, të barabartë, pa shtypje, dhunë, shfrytëzim e poshtërim.

Barazi, edhe gjinore!

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/siguria-e-grave-eshte-domosdoshmeri/