Në Vlorë kërkohet një model i ri zhvillimi

Aktivistët e LB gjatë takimeve me qytetarët e Vlorës

Vlora sot paraqitet si një nga qendrat kryesore të turizmit në vend, me shifra rekord vizitorësh dhe investime të shumta në bregdet. Por pas kësaj fasade zhvillimi, realiteti për shumicën e banorëve është ndryshe. Turizmi nuk po përkthehet në mirëqenie për vlonjatët, por po e bën jetesën më të vështirë.

Çmimet janë rritur ndjeshëm, sidomos gjatë sezonit veror. Qiratë janë bërë të papërballueshme për shumë familje, ndërsa të rinjtë e kanë gjithnjë e më të vështirë të jetojnë në qytetin e tyre. Bizneset e vogla mezi mbijetojnë përballë konkurrencës dhe kostove në rritje, ndërsa fitimet përqendrohen në pak duar.

Kjo krijon një kontrast të fortë: nga njëra anë turistë, resorte luksoze dhe çmime në rritje; nga ana tjetër qytetarë që përballen me paga të ulëta, pasiguri dhe mungesë perspektive. Një qytet që duket se po zhvillohet, por ku zhvillimi nuk është për ata që jetojnë aty.

Këtë fundjavë në Vlorë, deputeti i Lëvizjes BASHKË, Redi Muçi, kryetari i saj Arlind Qori, së bashku me Sekretaren Organizative Mirela Ruko dhe aktivistë lokalë, zhvilluan takime me qytetarë në terren dhe prezantuan Platformën e Daljes nga Kriza.

Si qytet dhe si qark, Vlora është ndër zonat që po e ndjejnë më fort shpërfytyrimin dhe kapjen e shtetit nga oligarkia e ndërtimit.

Kërkohet një model tjetër zhvillimi, një model që vendos në qendër qytetarët dhe jo vetëm fitimin e oligarkëve.