NDERIM DËSHMORËVE TË ATDHEUT
Sot, në kuadër të Ditës së Dëshmorëve, një grup aktivistësh të Lëvizja BASHKË shkuan për nderime te varreza memoriale “Nëna Shqipëri”. Për ne, të gjithë dëshmorët e atdheut - martirët e gjuhës, të shkollës e të pavarësisë, të rënët e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, si dhe ata që kanë dhënë jetën në përpjekjet për shtetësi, demokraci dhe ruajtjen e sigurisë e të drejtave të qytetarëve - janë jo vetëm shprehje e një sakrifice përballë së cilës ndihemi mirënjohës, por edhe refencë e aspiratave për një Shqipëri të drejtë e të lirë.
Fatkeqësisht, një pjesë e madhe e kësaj sakrifice vazhdon të tradhtohet nga të gjitha qeveritë njëra pas tjetrës. Idealet pavarësisë kombëtare dhe të mëkëmbjes sociale janë më të shkelura se kurrë nga një sistem politik i kalbur dhe nga një qeveri e cila po e çmonton konceptin e atdheut në të gjitha drejtimet: në ligjshmëri, në demografi, në ekonomi dhe, ç’është më e keqja, në dëshirën e të jetuarit të përbashkët në paqe e perspektivë.
Në, aktivistët e Lëvizjes BASHKË, mendojmë se Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë ta ëndërrojë sërish vetëveten për të rigjetur rrugën e re të rimëkëmbjes.
Lavdi Dëshmorëve të Atdheut!