NË KRAH TË QYTETARËVE NË ZVËRNEC

Parullë nga protesta e banorëve të Zvërnecit: Nuk i mori turku, as diktatoria, na i mori Rama edhe oligarkia!

Sot aktivistët e Lëvizjes BASHKË iu bashkuan qytetarëve të Zvërnecit në protestë për mbrojtjen e pronave të tyre dhe natyrës. Protesta nisi me një marshim të gjatë që u ndal përpara telave me gjemba që oligarkët ka ngritur duke zaptuar detin, rërën dhe tokën.

Qytetarët e revoltuar nga plaçkitja mbajtën disa fjalime plot indinjatë, me të cilët bashkuan zërat edhe përfaqësuesit e Lëvizjes BASHKË.

Gjatë gjithë kohës së protestës qytetarët u provokuan dhe kërcënuan nga civilë të veshur me të zeza, disa syresh edhe të maskuar. Acarimi arriti kulmin kur një grup banditësh të paidentifikuar rrëmbyen një prej qytetarëve më aktivë të Zvërnecit duke e dhunuar vazhdimisht. Policia e Shtetit nuk reagoi përpara kësaj dhune skandaloze dhe heqjeje të paligjshme lirie. Pas rezistencës dhe presionit të protestuesve, banditët e paidentifikuar u detyruan ta lirojnë qytetarin.

Çfarë po ndodh sot në Zvërnec është paralajmërim për mbarë Shqipërinë. Oligarkë vendas dhe të huaj, mafiozë dhe falsifikatorë dokumentesh pronësie, qeveritarë të korruptuar dhe "opozitarë" të kompromentuar, televizione të blera dhe llumi i shoqërisë - janë bërë bashkë për të na zhveshur nga e drejta për vendin tonë.

Lëvizja BASHKË do të jetë kurdoherë në krah të qytetarëve të Zvërnecit dhe mbarë Shqipërisë. Njëkohësisht u bëjmë thirrje të gjithë shoqërisë të bëhemi bashkë kundër kësaj zhvatjes dhe për drejtësi.