Mbi Ligjin për Financimin e Partive Politike

Parullë nga protesta e banorëve të Zvërnecit: Nuk i mori turku, as diktatoria, na i mori Rama edhe oligarkia!

Deputeti Redi Muçi u takua me përfaqësues të Komisionit të Venecias për të diskutuar propozimet e Lëvizja BASHKË për Ligjin për Financimin e Partive Politike.

Dy janë problemet më të rëndësishme që rishfaqen përherë nëpër fushatat elektorale dhe që ky ligj do duhej t'u jepte zgjidhje:

  1. Parandalimi i parave të trafikut të drogës dhe të oligarkisë ekonomike për financimin e fushatave elektorale të partisë në pushtet dhe të simotrës së saj në opozitë.
  2. Parandalimi i keqpërdorimit që u bëhet punonjësve të administratës publike nga partia në pushtet për punën e turpshme të "patronazhimit".

Për këto dy probleme thelbësore, ligji që po gatuhet nga PS-PD nuk jep kurrëfarë zgjidhjeje.

Gjobat që vendos KQZ për këto subjekte, kur ato refuzojnë t'i bëjnë transparente burimet e tyre të financimit, janë qesharake. Nga ana tjetër, kufizimet që vendos Kodi Zgjedhor dhe Ligji për Nëpunësit Civil, ku u ndalohet përfshirja në fushatë elektorale vetëm brenda orarit të punës, janë gjithashtu të paefektshme.

Prandaj Lëvizja BASHKË propozon:

  1. Mbajtjen e përgjegjësisë penale (jo thjesht administrative) për mungesën e transparencës apo abuzimin me financimet në fushata elektorale, me dënime që shkojnë nga 1 deri në 7 vjet sipas modelit të ligjit britanik.
  2. Ndalimin me ligj të çdo punonjësi të administratës publike për t'u përfshirë në fushatë (me përjashtim të rasteve kur garon si kandidat/e), si e vetmja masë efektive që mund të kufizojë abuzimin që u bëhet punonjësve të administratës nga shefat e tyre partiakë që drejtojnë zyrat e shtetit.

Këto kompetenca nuk mund të zbatohen nga një institucion aspak i pavarur por objektivisht pa kapacitete për auditime financiare dhe aplikimin e masave të duhura ndëshkimore, si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Prandaj Lëvizja BASHKË propozon përfshirjen e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe strukturave të posaçme antikorrupsion.

Platformën e plotë të propozimeve të Lëvizja BASHKË për Ligjin për Financimin e Partive Politike do ta publikojmë së shpejti.