MBI 700 MILIONË EURO PËR “PROPAGANDË TË GJELBËR”!

Pamje ajrore e qytetit të Tiranës të mbuluar nga një re tymi

Mirela Ruko, Këshilltare e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Lëvizja BASHKË

Në kuadër të shqyrtimit të projektvendimit “Për miratimin e Planit të Veprimit për Menaxhimin e Cilësisë së Ajrit 2026–2040, për Bashkinë Tiranë”, kërkojmë që gjatë procesit të miratimit të këtij dokumenti strategjik të merren në konsideratë dhe të reflektohen një sërë propozimesh të ardhura ndër vite nga ekspertë të mjedisit, planifikimit urban dhe shëndetit publik. Lëvizja BASHKË ka iniciuar një peticion, të përfaqësuar prej meje, në cilësinë e këshilltares bashkiake në Këshillin Bashkiak të Tiranës dhe të mbështetur nga mbi 11 mijë qytetarë. Ky peticion i është drejtuar në vitin 2024 Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë; Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit; Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë; Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë; Agjencisë Kombëtare të Mjedisit; Këshillit Kombëtar të Territorit; Bashkisë Tiranë.

Ne vlerësojmë faktin që dokumenti pranon problematika serioze që lidhen me ndotjen e ajrit në Tiranë, duke identifikuar si faktorë kryesorë trafikun, ndërtimin masiv, mbipopullimin urban dhe tjetërsimin e hapësirave publike, si dhe përfshirjen e masave për monitorimin e ndotësve, ndërgjegjësimin publik dhe koordinimin institucional.

Megjithatë, nga analiza e draftit rezulton se një pjesë e kërkesave kryesore të ngritura prej vitesh nga qytetarët dhe ekspertët nuk janë reflektuar ose trajtohen në mënyrë të përgjithshme, pa objektiva të matshëm dhe pa instrumente konkrete zbatimi.

Në këtë kuadër, kërkojmë që në Planin e Veprimit për Menaxhimin e Cilësisë së Ajrit 2026–2040 të përfshihen dhe të adresohen konkretisht masat e mëposhtme:

  1. Matja periodike dhe transparente e ndotësve kryesorë të ajrit – SO2, NO2, NOx, PM10, PM2.5, benzenit, CO, Pb dhe O3 – në kryqëzimet kryesore dhe në të gjitha njësitë administrative të Bashkisë Tiranë, si dhe publikimi periodik dhe në kohë reale i të dhënave për qytetarët;
  2. Rishikimi i Planit të Përgjithshëm Vendor të Tiranës, duke përfshirë:
    1. Vendosjen e një moratoriumi 5-vjeçar ndaj ndërtimeve brenda Unazës së Madhe të qytetit;
    2. Rikuperimin e hapësirave publike;
    3. Mbrojtjen rigoroze të Parkut të Liqenit Artificial, Bovillës, Paskuqanit dhe Dajtit, si korridore ekologjike ajrimi për qytetin;
    4. Shtimin e sipërfaqeve të gjelbra për të arritur standardet minimale 4–9 m² për banor;
    5. Ndërtimin e miniparqeve në lagje;
  3. Marrja e masave konkrete për transformimin e transportit publik përmes:
    1. Korsive të dedikuara dhe funksionale për autobusët urbanë;
    2. Përmirësimit të cilësisë së shërbimit;
    3. Nxitjes së përdorimit të transportit publik;
    4. Studimit të mundësisë për ndërtimin e linjave të tramvajit në arteriet kryesore të qytetit;
  4. Rehabilitimi i rrugëve dytësore dhe pastrimi modern i qytetit për reduktimin e pluhurave dhe grimcave të pezulluara;
  5. Kontrolli rigoroz i cilësisë së karburanteve dhe reduktimi i emetimeve ndotëse në ajër;
  6. Hartimi i politikave fiskale nxitëse për rinovimin e flotës së automjeteve dhe reduktimi i ndotjes nga transporti.

Nga shqyrtimi i draftit rezulton se:

  1. Nuk parashikohet asnjë moratorium ndaj ndërtimeve;
  2. Nuk përcaktohen objektiva të matshëm për sipërfaqen e gjelbër për banor;
  3. Nuk parashikohen korridore ekologjike ajrimi dhe mekanizma të posaçëm mbrojtjeje për zonat kryesore të gjelbra;
  4. Mungon një plan konkret për tramvajin dhe transformimin strukturor të transportit publik;
  5. Mungojnë politika fiskale për uljen e ndotjes nga automjetet;
  6. Nuk garantohet një sistem publik monitorimi në kohë reale për ndotësit kryesorë të ajrit.
Në përputhje me nenet 48, 56, 59 dhe 158 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenet 20 dhe 23 të ligjit nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, nenet 4 dhe 10 të ligjit nr. 162/2014 “Për Mbrojtjen e Cilësisë së Ajrit në Mjedis”, si dhe VKM nr. 412/2019 “Për miratimin e Planit Kombëtar për Menaxhimin e Cilësisë së Ajrit”, kërkojmë që Këshilli Bashkiak:
  1. Të reflektojë në dokument të gjitha masat që bien brenda kompetencave të Bashkisë Tiranë;
  2. Për çështjet që lidhen me kompetencat e institucioneve qendrore, të rekomandojë dhe të kërkojë ndërmarrjen e iniciativave institucionale pranë organeve përgjegjëse shtetërore.

Besojmë se përballë përkeqësimit të cilësisë së ajrit dhe ndikimit të saj në shëndetin publik, Tirana ka nevojë për politika të guximshme, objektiva të matshëm dhe masa konkrete që adresojnë jo vetëm pasojat, por edhe shkaqet strukturore të ndotjes.