NDALIMI I NDËRTIMIT NË QENDËR SI FAKTOR KRYESOR I REDUKTIMIT TË NDOTJES

Pamje nga qyteti i Tiranës, ku bien ne sy kullat ne ndërtim e sipër. Copyright i fotos Ervin Qafmolla.

Tirana ka një prej qendrave me dendësi më të madhe ndërtimesh dhe banorësh në Evropë. Kjo ka ardhur si rezultat i ndërtimeve të shumta, sidomos të kullave të cilat kanë rrethuar sheshin Skënderbej dhe ish-hapësirat publike brenda Unazës së Madhe të qytetit. Lejet e ndërtimit të dhëna nga Bashkia e Tiranës dhe Këshilli Kombëtar i Territorit – dy institucionet më të korruptuara të shtetit shqiptar, jo rastësisht të kryesuara nga dy politikanët më të korruptuar të historisë bashkëkohore të Shqipërisë – i tejkalojnë me distancë rritjen e popullsisë në Tiranë dhe nevojat e një ekonomie urbane të shëndetshme. Më konkretisht, krahasuar me vitin 2016 është 8-fishuar sipërfaqja e ndërtimit në Tiranë. Aktualisht shifrat duhet të jenë edhe më tronditëse.

Nga ana tjetër, sipas një studimi të Co-Plan, brenda Unazës së Madhe janë zhdukur për arsye ndërtimi 526.000 m2 sipërfaqe natyrore. Të shumta janë ndërtimet që kanë zaptuar troje dikur publike dhe hapësira të gjelbra, si p.sh. kullat në territorin dikur të mbrojtur të Parkut të Liqenit Artificial, kulla te ish-këndi i lojërave 7 Xhuxhat, kulla pas Teatrit të Operës dhe Baletit, kulla tek ish-Ekspozita Shqipëria Sot apo kullat që priten të ndërtohen te ish-fushat sportive të Qytetit Studenti, te BKT buzë lumit të Lanës etj.

Këto ndërtime kanë vetëm një logjikë: pastrimin e parave të krimit të organizuar dhe fitimet e shpejta për ndërtuesit dhe pushtetarët politikë. Sipas Global Initiative Against Transnational Organized Crime, në vitet e fundit 59% e kompanive që ndërtojnë në Tiranë nuk kanë burimet e mjaftueshme financiare për të ndërtuar. Çka ngre dyshime të forta se ato funksionojnë si lavatriçe të parave të pista. I njëjti burim hulumtues thotë se në tre vitet e fundit sektori i ndërtimit ka pastruar 1.6 miliardë euro me origjinë nga krimi i organizuar.

Krimi i organizuar jo vetëm ndërton, por edhe blen. Çka shpjegon pjesërisht edhe faktin që 50% deri në 70% të pasurive të paluajtshme nuk blihen me kredi bankare, por me para të futura në çanta.

Për pasojë Tirana është jo vetëm një nga qytetet më të shtrenjta të Evropës për të blerë shtëpi, por ka edhe një nivel ndotjeje të ajrit nga më të lartët në Evropë (jemi kryeqyteti i gjashtë mes më të ndoturve).

Kush ndërton kulla, zapton hapësirën publike, zhduk gjelbërimin, intensifikon trafikun dhe për pasojë kontribuon në ndotjen e ajrit dhe sëmundjen e qytetarëve. Këta ndotës dhe bashkëpunëtorët e tyre mund të konsiderohen me plot gojën vrasës të qytetit dhe qytetarëve.

Ndaj një prej kërkesave të peticionit të Lëvizjes BASHKË është ndalimi për të paktën 5 vjet i ndërtimeve brenda Unazës së Madhe të Tiranës. Kohë kjo e mjaftueshme për ta rimenduar planin urbanistik të qytetit, diktuar zonat ku mund të rikuperohet e gjelbërohet hapësira publike dhe vëzhguar efektet në nivelin e ndotjes dhe shëndetin publik. Bashkë për jetën!

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/ndalimi-i-ndertimit-ne-qender-si-faktor-kryesor-i-reduktimit-te-ndotjes/