LËVIZJA BASHKË NË KRAH TË PUNËTORËVE TË FASONERISË “SIMAK SHOES” NË VLORË

Punëtorët e fasonerisë "Simak shoes", në qytetin e Vlorës, kanë bojkotuar totalisht punën sot, pas një javë me bojkot të pjesshëm.
Rreth 150 punëtorë nuk kanë marrë pagën e muajit dhjetor. Punëtorët shprehen se kanë për të paguar kreditë, blerë ilaçet dhe mbajtur familjen nëpërmjet punës së tyre, mirëpo kompania dhe shteti nuk do t'ia dijë për ta.
Sipas punëtorëve, pagat janë shumë të ulëta dhe të pamjatueshme në raport me punën që bëjnë. Inspektorati Shtetëror i Punës është treguar tërësisht indiferent ndaj ankesave të punëtorëve, të cilët sot protestuan edhe tek zyrat e Inspektoratit në Vlorë, duke bërë edhe denoncim me shkrim me firmat e të gjithë punëtorëve.
Punëtorët shprehen se do të vazhdojnë bojkotin deri sa pagat të kalojnë në llogaritë bankare. Nesër në orën 07:00 do të protestojnë serish tek kompania dhe tek Inspektorati.
Lëvizja BASHKË është e angazhuar për të mbështetur të drejtat e punëtorëve dhe për t'u bërë zëri i tyre në këtë betejë të rëndësishme. Çdo punëtor meriton një pagë të drejtë dhe kushte të dinjitetshme pune. Nuk do të ndalemi deri sa kërkesat e punëtorëve të plotësohen dhe drejtësia të triumfojë!