KUSHTE, PAGË, DINJITET!
Si janë kushtet e punës sot në Shqipëri? Sipas statistikave zyrtare, Shqipëria është vendi me numrin më të madh të të vdekurve në punë në raport me popullsinë në Evropë. Nga ana tjetër, 45% e atyre që punojnë në Shqipëri punojnë në të zezë. Po ashtu, krahasuar me vendet e Evropës, Shqipëria është një nga vendet ku punëtorët punojnë më shumë orë pune në javë, paguhen më keq dhe nuk kanë liri sindikale. Shqipëria është vendi ku ti mund të hiqesh më kollaj nga puna se kudo tjetër nëpër Evropë.
Nga ana tjetër, profesionistët e lirë, të vetëpunësuarit apo të punësuarit pa pagë në bizneset familjare, ose taksohen më shumë për sa i përket të ardhurave të tyre në raport me vendet e tjera, ose nuk kane asnjë mbrojtje sociale në mënyrë që ata të përftojnë nesër pension.
Ish punëtorët, 730'000 pensionistët shqipëtarë, janë sot më të varfrit në Evropë. Pensioni minimal në Shqipëri nuk e arrin 10'000 lekëshin, ndërkohë që mbi 500'000 pensionistë nuk arrijnë të marrin një pension që kap minimumin jetik.
Arsyet pse këto gjëra ndodhin në Shqipëri janë sepse ne kemi qeverinë më të korruptuar, më të paaftë dhe më moskokëçarëse në Evropë kur vjen puna te të drejtat në punë dhe te të drejtat shoqërore të qytetarëve. Ne për fatin tonë të keq kemi ende një kryeministër që mburret se në Shqipëri nuk ka sindikata, i konsideron punëtorët shqipëtarë dembelë, dhe bën thirrje që sa më shumë punëtorë të huaj të vijnë dhe të zëvendësojnë ata shqipëtarë.
Ndaj, në datën 1 maj, në orën 18:00, Lëvizja BASHKË thërret të gjithë njerëzit e punës-punëtorët, pensionistët, të vetëpunësuarit, profesionistët e lirë, të gjithë ata që kanë biznese të vogla - të bashkohen në sheshin historik të punëtorëve, tek Partizani i Panjohur, ku më nuk gjenden punëtorë sepse turistifikimi i qytetit i ka përzënë nga qendra e qytetit dhe i ka zhdukur në periferi.