KUNDËR MARRËVESHJES RAMA-MELONI! KUNDËR RACIZMIT!

Edi Rama dhe Georgia Meloni duke nenshkruar marrveshje midis dy qeverive

Marrëveshja e nënshkruar nga Edi Rama dhe Georgia Meloni është në shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. E nënshkruar midis një kryeministreje të ekstremit të djathtë në Itali dhe një kameleoni politik në Shqipëri, marrëveshja cenon sovranitetin e Republikës së Shqipërisë, duke krijuar zona eksterritorialiteti, e vendos Shqipërinë në pozitë inferiore në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe vë në rrezik jetën e emigrantëve që synojnë të arrijnë në vendet e Bashkimit Evropian. Përvoja e vendeve që kanë marrëveshje të ngjashme me Italinë apo BE, si p.sh. Libia e Tunizia, tregon se sundimtarët autokratë të këtyre vendeve fitojnë mbështetje të pamerituar ndërkombëtare për të vazhduar të shkelin të drejtat e qytetarëve të vendeve të tyre, si dhe të emigrantëve që synojnë të kalojnë tranzit përmes tyre. Çka rrezikon Shqipëria, ndër të tjera, është edhe amnistimi i korrupsionit, kapjes së shtetit dhe autokracisë së Edi Ramës nga faktorët e rëndësishëm evropianë në këmbim të menaxhimit të refugjatëve në vendin tonë. Duke marrë në konsideratë problemet e mëdha të shtetit të së drejtës në Shqipëri, korrupsionit të administratës publike dhe impaktit të krimit të organizuar, efekti kryesor i internimit të refugjatëve në Shqipëri do të jetë nxitja e krimit të organizuar për të vazhduar trafikimin e tyre në rrugë tokësore drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Kjo do të intensifikonte ndikimin e organizatave kriminale në sistemin politik shqiptar. Lëvizja BASHKË është fuqimisht kundër një marrëveshjeje të tillë antikushtetuese dhe nëpërkëmbëse të sovranitetit të shtetit shqiptar, që u shërben si kamerdare politikaneve ekstremiste si Giorgia Meloni dhe pushtetarëve të korruptuar si Edi Rama, duke shkelur njëkohësisht edhe të drejtat e refugjatëve, edhe dinjitetin politik të popullit shqiptar. Sidoqoftë, Lëvizja BASHKË nuk do të bjerë kurrë në batakun e racizmit dhe ksenofobisë që ka filluar të ushqehet nga ndikues të paprinciptë të opinionit publik. Emigrantët, ngado qofshin, nuk janë armiqtë tanë. Emigrantët, ngado qofshin, po i dënojnë duke i sjellë në Shqipëri. Ne, shqiptarët, një popull që ende jemi të shtrënguar të braktisim vendin tonë për shkak të varfërisë dhe keqqeverisjes, nuk mund të biem pre lajmëtarëve të apokalipsit racist. Ne, të gjithë bashkë, duhet të luftojmë për ta bërë Shqipërinë një vend të zhvilluar ekonomikisht, me demokraci politike e shoqërore, me shtet social dhe të së drejtës, që nuk i shndërron qytetarët e vet në kontingjent emigracioni dhe plotëson pa mëdyshje detyrimet që burojnë nga konventat ndërkombëtare.

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/kunder-marreveshjes-rama-meloni-kunder-racizmit/