TAKIME ME PËRFAQËSUES TË BASHKIMIT EVROPIAN

Nga e majta ne te djathte Jani Marka, Mirela Ruko dhe Arlind Qori ne Parlamentin e Bashkimit Evropian

Përfaqësuesit e Lëvizjes BASHKË Arlind Qori, Mirela Ruko dhe Jani Marka patën mundësi të zhvillonin takime me përfaqësues të ndryshëm të institucioneve të Bashkimit Evropian në Bruksel. Mes tyre mund të veçojmë takimin me eurodeputetët Thomas Waitz të Grupit Parlamentar të të Gjelbërve dhe Isabel Santos të grupit parlamentar të Socialdemokratëve. Z. Waitz dhe znj. Santos janë njëkohësisht edhe raportues të Parlamentit Evropian mbi Shqipërinë dhe njohës të mirë të zhvillimeve në vendin tonë. Me z. Waitz diskutuam gjerësisht për problemet e mëdha politiko-shoqërore të Shqipërisë, për deficitin demokratik, korrupsionin e përhapur në strukturat qeverisëse, por njëkohësisht edhe për arritjet e Lëvizjes BASHKË në më pak se një vit prej themelimit tonë. Fokus të veçantë pati çështja e problemeve mjedisore në Shqipëri, sidomos ndotja e ajrit në Tiranë prej ndërtimeve pa kriter, ndotja e ujërave dhe dëmet e mëdha mjedisore që do të sjellë ndërtimi i aeroportit të Vlorës. Znj. Santos e informuam për veprimtarinë dhe programin e Lëvizjes BASHKË, sidomos për fushatat tona të Kartës Sociale dhe minimumit jetik. Theks të veçantë vumë mbi organizimin dhe arritjet tona në fushatën e fundit të zgjedhjeve lokale në Tiranë. Znj. Santos na njohu, ndër të tjera, me aksionin politik të Partisë Socialiste të Portugalisë mbi çështjen e sigurimit të të drejtës së strehimit të përballueshëm nga të gjithë qytetarët. Eurodeputetëve u kërkuam mbështetjen e Parlamentit Evropian për aspiratat demokratike dhe për drejtësi shoqërore të popullit shqiptar, duke i veçuar këto të fundit nga keqqeverisja aktuale dhe gërryerja korruptive e sistemit të vjetër partiak në Shqipëri. Nga ana tjetër, iu siguruam se në Lëvizjen BASHKË do të gjejnë një partner serioz në përparimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Me z. Waitz dhe znj. Santos u ndamë me dëshirën reciproke për të biseduar sërish në Tiranë në të ardhmen e afërt.

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/takime-me-perfaqesues-te-bashkimit-evropian/