E VËRTETA E HIDHUR E SHQIPËRISË NË SYTË E KOMISIONIT EVROPIAN

Flamur te bashkimit europian dhe qendrimi i Komisionit Evropian i shprehur edhe me poshte

“Korrupsioni, përfshirë edhe korrupsionin e nivelit të lartë, vazhdon të jetë i përhapur, sikundër konstatohet me shqetësim ngatërrimi i interesave private brenda interesit publik. Vazhdon të ketë elemente të kapjes së shtetit dhe kërcënime ndaj stabilitetit demokratik, ashtu siç vihen re korrupsioni i nivelit të lartë dhe ndikimi i padrejtë i oligarkëve, bashkë me orvatjet e krimit të organizuar për t’u futur brenda sistemeve ekonomike e politike, në administratë e media.” Kjo është e vërteta e hidhur që nxjerr në pah Komisioni Evropian për vendet që aspirojnë të futen në Bashkimin Evropian. Kjo është e vërteta e dhimbshme që ne, qytetarët e Republikës së Shqipërisë, prekim çdo ditë në shtetin tonë.
Raporti specifik vjetor i Komisionit Evropian për Shqipërinë vë gishtin në plagët më të mëdha të qeverisjes dhe institucioneve publike në Shqipëri, duke nisur nga korrupsioni dhe ndikimi i madh i krimit të organizuar. Për Komisionin, korrupsioni në Shqipëri është tejet i përhapur, sidomos në sektorët e shëndetësisë, pronësisë dhe policisë, si dhe lehtësohet nga defektet ligjore në organizimin e prokurimeve publike. Krimi i organizuar, kryesisht në trafikun e kokainës, konsiderohet me mjaft pushtet dhe ndikim, ndërkohë që masat për luftën kundër tij janë të pamjaftueshme. Lufta e mirëfilltë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit pamundësohet nga presioni dhe ndikimi i paligjshëm i faktorëve politikë në sistemin gjyqësor. Lëvizja BASHKË e ka vënë gjithnjë theksin te ndërlidhja midis korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar dhe oligarkisë ekonomike, që materializohet në partneritetet publike-private, lejet e ndërtimit pa kriter dhe blerja e votës. Pikërisht problemin e pandershmërisë së zgjedhjeve nxjerr në pah edhe raporti i Komisionit Evropian. “Shpërdorimi i burimeve shtetërore, presioni ndaj nëpunësve publikë dhe votuesve, si dhe blerja e votës” – konstatohen me realizëm si probleme madhore të zgjedhjeve në Shqipëri. Çka përputhet tërësisht me përvojën e Lëvizjes BASHKË gjatë zgjedhjeve lokale të 14 majit, ku qindra qytetarë na janë ankuar për raste të tentativave të blerjes së votës, për presionin që ndjenin në vendin e punës në bashki, apo si mësues, postierë, infermierë etj. për të votuar dhe marrë pjesë lirisht në jetën politike të vendit. Të shumtë kanë qenë nëpunësit publikë që kanë dashur të bëhen pjesë publike e fushatës tonë, por nuk kanë guxuar nga frika e humbjes së vendit të punës. Përveç zgjedhjeve, deficiti demokratik i Shqipërisë vihet re edhe në mungesën e konsultimit publik në ligjvënie. “Në vitin 2022, vetëm 48 akte ligjore nga 866 të miratuara kanë kaluar nëpërmjet procesit të konsultimit publik.” Edhe në këtë rast përvoja jonë si aktivistë përputhet me konstatimin e Komisionit Evropian. Projektligji më i rëndësishëm i nisur nga qytetarët, ai i minimumit jetik, ka mbi gjashtë muaj që është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë. Ky i fundit as ka ndërmend t’i përgjigjet vullnetit të 21.000 qytetarëve nënshkrues, duke shkelur kësisoj një të drejtë themelore demokratike të qytetarëve: iniciativën ligjore nga poshtë. I lidhur ngushtë me deficitin e lartë demokratik të Shqipërisë është edhe strukturimi dhe operimi i mediave. “Ndërthurja e interesave politike dhe biznesore, mungesa e transparencës për burimet e financimit, përqendrimi i pronësisë së medias, kërcënimi dhe pasiguria në punë e gazetarëve vazhdojnë ta pengojnë pavarësinë e pluralizmin e medias, si dhe gazetarinë cilësore. ...kanalet mediatike përdoren për të promovuar interesat ekonomikë të pronarëve të tyre dhe agjendat politike, si dhe për të nxjerrë në dritë të favorshme sponsorët e tyre politikë e biznesorë. ...individë të akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash po financojnë media, duke e përdorur këtë të fundit si strategji të shpëtimit nga drejtësia.” Kjo është e vërteta që ne, si aktivistë të Lëvizjes BASHKË, kemi prekur ndër vite. Të përjashtuar për kohë të gjatë nga të gjitha mediat kryesore – kujtojmë mospraninë tonë televizive për gati një vit prej fundit të vitit 2019, kur mbështetëm fort grevën dhe protestat e minatorëve të Bulqizës, të cilët asokohe protestonin kundër keqtrajtimit në punë nga oligarku Samir Mane – ende sot vëmë re se si vazhdojmë të jemi të nënraportuar dhe më pak të pranishëm se përpjesëtimi i peshës sonë politike në mediat kryesore të vendit. Një të vërtetë të tillë e kanë dëshmuar publikisht edhe figura televizive të rëndësishme. Pikë tjetër e rëndësishme e raportit të Komisionit Evropian është mungesa e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm dhe problemet e mëdha të sektorëve të rëndësishëm shoqërorë si arsimi dhe shëndetësia. Shqipëria mbetet e parafundit, pak përpara Kosovës, për Prodhimin e Brendshëm Bruto për frymë të popullsisë. Fuqia blerëse në Shqipëri, e korrektuar sipas paritetit të fuqisë blerëse, është vetëm 34% e mesatares së vendeve të Bashkimit Evropian. Pavarësisht propagandës së qeverisë dhe fjalimeve të lajthitura të kryeministrit Rama, Shqipëria mbetet një vend thellësisht i varfër, nga më të varfrit në Evropë, me kushte pune të këqija, paga tejet të ulëta, pa të drejta të mirëfillta sociale, ku qytetarët, sidomos të rinjtë, nuk shohin perspektivë dhe mezi presin të emigrojnë. Për ta përkeqësuar edhe më jetën shoqërore, qeveria është përgjegjëse për keqadministrimin dhe nënfinancimin e sektorëve të arsimit dhe shëndetësisë. “...shpenzimet publike për arsimin janë 3.2% e PBB, ndërkohë që parashikimet për vitet 2023 dhe 2024 janë 2.9% dhe 2.8% (shifra mjaft më të ulëta se mesatarja e BE prej 5%). I njëjti fenomen vihet re edhe në shëndetësi, ku shpenzimi publik përbën 3.04% të PBB, që përbën një nivel mjaft më të ulët jo vetëm se vendet e BE, por edhe se vendet e tjera të Evropës juglindore. Shpërfillja dhe keqadministrimi i këtyre shërbimeve publike përbëjnë arsyet kryesore pse qytetarët ankohen për shëndetësinë dhe kanë gjithnjë e më pak besim tek arsimi. Kjo reflektohet nga emigrimi gjithnjë e më i madh i mjekëve dhe infermierëve të rinj, braktisja e shumë degëve universitare nga të rinjtë dhe në përgjithësi klima e mosbesimit shoqëror ndaj institucioneve publike. Në këto kushte, raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë është konfirmim i përvojës dhe shqetësimeve të shumicës dërrmuese të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë dhe i qëndrimeve dhe aksioneve politike kryesore të Lëvizjes BASHKË. Jehona ndërkombëtare e mllefit dhe pakënaqësisë sonë duhet të shërbejë si një mekanizëm shtesë për të intensifikuar veprimtarinë tonë si opozitë serioze, e ndershme dhe e përkushtuar kundër qeverisë së korruptuar të Edi Ramës dhe sistemit të kalbur partiak 30-vjeçar.

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/e-verteta-e-hidhur-e-shqiperise-ne-syte-e-komisionit-evropian/