INCENERATORI I TIRANËS KA FYTYRËN E ERION VELIAJT

Poster me mbishkrimin Proteste kunder Korrupsionit, Edi Rama dhe Erion Veliaj dhe pamje inceneratori

Erion Veliaj është njeriu kryesor që propozoi dhe çoi përpara projektin për inceneratorin e Tiranës, pavarësisht kritikave dhe mospajtimeve në qeveri dhe opinionin publik. Edhe pse kërkesat mbajnë firmat e tij, kurrë nuk mund të mendohet se ai është i vetëm. Projekti koncensionar i inceneratorit të Tiranës u prezantua fillimisht si një investim privat me vlerë rreth 140 milionë euro, i cili do të paguhej nëpërmjet një tarife për incenerimin e mbetjeve nga njësitë e qeverisjes vendore të qarkut Tiranë. Por një auditim i kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) në Drejtorinë e Koncesioneve të Ministrisë së Financave në vitin 2019, zbuloi se kostot e projektit për taksapaguesin janë gati tre herë më të mëdha, ndërsa studimi i fizibilitetit për këtë projekt është miratuar nga qeveria në mënyrë joligjore, pasi projekti nuk ishte i përballueshëm sipas fondeve të buxhetit të miratuara nga Kuvendi. Prokuroria e Posaçme ka identifikuar miliona euro fatura të falsifikuara për projektin e inceneratorit të Tiranës, duke urdhëruar sekuestrimin e kompanisë "Integrated Energy B.V. S.P.V". Sipas Prokurorisë së Posaçme, biznesmenët Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, nëpërmjet mashtrimit dhe faturave fiktive, thithën më shumë se 40 milionë euro në mënyrë të paligjshme nga llogaritë e kompanisë koncesionare “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k., pjesë e të cilave u transferuan jashtë vendit. Sot qindra milionë euro janë keqpërdorur sipas raporteve të KLSH dhe investigimeve të BIRN. Inceneratori i Tiranës është nën sekuestron e SPAK dhe një tufë drejtorësh janë në burg, ndërsa pronarët e kompanisë janë në arrati prej vitesh. Po drejtësia për vjedhjen e jashtëzakonshme me inceneratorët nuk po vihet tërësisht në vend. Erion Veliaj dhe Edi Rama nuk kanë dalë ende përpara institucioneve të drejtësisë dhe ekzistojnë dyshime të forta se mund të amnistohen. Me paratë e vjedhura nëpërmjet inceneratorëve partia në pushtet blen media dhe vota, forcon lidhjet klienteliste dhe financon fushatat elektorale. Ndërkohë që Shqipëria mbytet në varfëri, padrejtësi shoqërore dhe emigracion masiv. Drejtësia mund të vihet në vend vetëm nëse shoqëria ndërton një kundërpeshë politike ndaj zhvatësve e keqbërësve me pushtet. Lëvizja BASHKË e sheh veten si katalizatore të këtij procesi të domosdoshëm. Ky sistem i kalbur moralisht dhe i atrofizuar politikisht mund të rrëzohet vetëm nga qytetarët e bashkuar. Ju presim në protestën antikorrupsion të shtunën në orën 11:00, nga sheshi Skënderbej drejt Kryeministrisë!

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/inceneratori-i-tiranes-ka-fytyren-e-erion-veliajt/