KORRUPSIONI VRET EDHE NË PUNË

Poster me punetore te ndryshem me mbishkrim: 137 punetore te vdekur, 711 punetore te aksidentuar

Kushtet e punës në Shqipëri janë skandaloze. Më të ekspozuar ndaj vdekjeve në punë mbeten punëtorët e ndërtimit dhe minierave. Në katër vitet e fundit në Shqipëri kanë vdekur 137 punëtorë dhe janë aksidentuar 711 punëtorë të tjerë. Këto janë vetëm të dhënat zyrtare. Është i mirënjohur fakti se një pjesë e aksidenteve në punë nuk raportohen. Ka pasur raste të vdekjes së punëtorëve në kullat e Tiranës, të cilat nga policia janë raportuar si vetëvrasje dhe nuk ka pasur hetime serioze për shkaqet e tyre. Në Shqipëri vdekshëmria nga puna është mjaft më e lartë se në vendet e Bashkimit Evropian. Nëse kryqëzojmë të dhënat e Inspektoratit Shtetëror të Punës me të dhënat e INSTATIT për numrin e të punësuarve, rezulton se në vitin 2021 në Shqipëri ka pasur 2.48 aksidente me pasojë vdekjen për 100.000 të punësuar. Për të njëjtin vit, në vendet e Bashkimit Evropian numri i aksidenteve fatale ka qenë 1.7 të vdekur për 100.000 të punësuar. Arsyeja kryesore e vdekshmërisë së lartë të punëtorëve gjendet te korrupsioni i përhapur në institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe hetimin e shkaqeve të vdekjeve në punë. Inspektorati Shtetëror i Punës mbetet një nga institucionet më të korruptuara në vend. Shumica e inspektorëve shkojnë për kontroll vetëm për të marrë zarfin nga punëdhënësi. Ndërkohë policia dhe prokuroria bëjnë një vesh shurdh e një sy qorr kur bëhet fjalë për të hetuar shkaktarët e vërtetë të vdekjeve në punë. Kjo papërgjegjshmëri institucionale mbështetet nga qeveria e kryesuar nga një njeri i cili mburret se në Shqipëri nuk ka sindikata, madje i fton punëdhënësit vendas të punësojnë punëtorë të huaj në vend të shqiptarëve pasi këta të fundit “gjithë ditën ankohen dhe merren me thashetheme”. Lufta kundër korrupsionit është njëkohësisht luftë kundër vdekjeve dhe aksidenteve në punë, për kushte të sigurta pune dhe paga të dinjitetshme. Ndaj i ftojmë punëtorët e të gjithë sektorëve t’i bashkohen fushatës dhe protestës së Lëvizjes BASHKË kundër korrupsionit. Të shtunën në orën 11:00 mblidhemi sërish në sheshin Skënderbej!

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/korrupsioni-vret-edhe-ne-pune/