HILEJA E QEVERISË PËR ZONAT E MBROJTURA
Dje Këshilli i Ministrave ka dërguar një draft propozimesh që pritet të kalohet në seancën parlamentare të datës 15 shkurt. Këto ndryshime erdhën si një nismë e 12 deputetëve socialistë, e cila u mbështet nga qeveria, duke shtuar edhe propozime të tjera problematike. Në dokumentin e miratuar në mbledhjen e fundit të qeverisë bashkohen propozime nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe ministri të tjera.
Pjesa më problematike e këtij drafti lidhet me hapësirën që lihet për investime strategjike në zonat e mbrojtura. Kjo hap dyert për ndërtime dhe shkatërrime të këtyre hapësirave për interesa të oligarkëve.
Kush do t’i japë lejet e ndërtimit dhe mbi cilat kritere? Sipas këtij propozimi, “në zonat e mbrojtura mjedisore lejohet ndërtimi vetëm për projekte strategjike, të cilat konsiderohen nga shteti me potencial të lartë për zhvillimin e ekonomisë së vendit”. Së pari, institucioni që do të shpallë zonat e mbrojtura do të jetë Këshilli Kombëtar i Territorit. Do të jetë pikërisht KKT-ja e drejtuar nga Edi Rama që do të rishikojë edhe kufijtë e zonave të mbrojtura, do të japë dhe lejet e ndërtimit për oligarkët. Kriteri i vetëm në këtë rast është interesi që ka oligarku me kryeministrin, jo vlera mjedisore apo sociale e projekteve. Me anë të këtij ligji, Edi Rama do të bëhet vetë zot dhe vetë shkop për zonat e mbrojtura.
Kjo nismë ligjore jo vetëm që ka vendosur në rrezik trashëgiminë natyrore dhe biodiversitetin e vendit, por edhe shkel parimet e qeverisjes së mirë dhe pjesëmarrjes publike. Për të nuk ka pasur konsultim publik dhe nuk janë marrë parasysh as rekomandimet e ardhura nga përfaqësues të Bashkimit Evropian apo aktivistë të çështjeve mjedisore, të cilët theksojnë se ky ligj do të cenojë biodiversitetet.
Modeli i zhvillimit të Edi Ramës është ai i ndërtimeve pa kriter, i shkatërrimit të zonave historike e mjedisore për të ndërtuar hotele me 5 yje dhe kulla, të cilat reduktojnë hapësirat publike dhe ndikojnë negativisht në jetën e komuniteteve lokale.
Ka ardhur koha të kemi një model të qëndrueshëm zhvillimi ekonomik, me investime në turizëm ekologjik dhe përfshirjen e komuniteteve lokale në vendimmarrje. Ky ligj nuk duhet të kalojë!