EDI RAMA GOSTIT OLIGARKËT PËR VITIN E RI
Në mbledhjen e 26 dhjetorit, Këshilli Kombëtar i Territorit, i kryesuar nga Edi Rama, ka miratuar për një orë 41 leje ndërtimi dhe zhvillimi. Mes tyre gjenden 7 leje ndërtimi për kulla të reja në qytetin e Tiranës.
Në përmbushje të misionit tonë për të shpallur me guxim të vërtetën, sidomos për oligarkët dhe partnerët e krimit të organizuar, Lëvizja BASHKË rendit me siguri emrat e firmave dhe pronarëve të tyre që do të ndërtojnë kullat e reja në Tiranë:
1. Përfituesit e parë janë shoqëritë Develalb Construction, me aksioner kryesor Ilir Shtufin, dhe Edonin Konstruksion, me aksioner kryesor Agron Meçen, të cilat do të ndërtojnë një kullë me 41 kate mbi tokë në rrugën Muhamet Gjollesha. Kujtojmë se firma e oligarkut Shtufi po shkatërron parkun pas Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit për të ndërtuar, sipas tyre, kullën më të lartë në Ballkan.
2. Në rrugën e Kavajës do të ndërtohet një kullë 58-katëshe nga shoqëria Classi S&J në pronësi të oligarkut Agron Papuli.
3. Po në Tiranë do të ndërtohet edhe kulla e quajtur “Kompleks Multifunksional Hometown” nga shoqëria Epoch Construction në pronësi të Altin Çelës.
4. Nuk mund të mungonte si përfitues i lejeve të ndërtimit edhe oligarku i lidhur fort me qeverinë dhe Bashkinë e Tiranës Shkëlqim Fusha, shoqëria e të cilit Fusha sh.p.k. do të ndërtojë një kullë 33-katëshe.
5. Kullave të mësipërme do t’u shtohet një godinë 17-katëshe mbi tokë e shoqërisë Aulonamar, në pronësi të Isuf Berberit.
6. Në rrugën Hysni Gerbolli do të ndërtojë oligarku Rrok Gjoka, pronar i Gjoka Konstruksion, e cila ka përfituar leje për të ndërtuar një kullë me 36 kate mbi tokë.
7. Në rrugën Liman Kaba do të ndërtohet një kullë 19-katëshe prej shoqërisë TDT & Partners, në pronësi të Petrit Ismailit.
Në një qytet ku hapësira publike është tejet e pamjaftueshme, ndërtimi i shtatë kullave të reja përbën një krim jo vetëm urbanistik, por edhe shoqëror. Qytetarët e Tiranës do të kenë më pak hapësirë, ajri do të ndotet shumë më tepër nga grimca të rrezikshme për shëndetin dhe trafiku do të intensifikohet. Të gjitha këto në një qytet nga i cili gjithnjë e më shumë qytetarë po zgjedhin të largohen drejt vendeve të Evropës Perëndimore.
Sipas autoriteteve ndërkombëtare, në Shqipëri, e veçanërisht në Tiranë, ndërtimi është sektori kryesor i pastrimit të parave të krimit të organizuar. Rëndom kapitali investues vjen nga kriminelë të regjur në trafikun e kokainës, të cilët përdorin si “prestanome” biznesmenë pa kapitalin e mjaftueshëm apo njerëz tërësisht anonimë. Të tjerë, oligarkë të pasuruar ndër vite nga prokurimet apo koncesionet, vazhdojnë të fitojnë me normë jashtë logjikës së tregut, të cilët përdorin aksesin preferencial me kryepushtetarët, duke u ofruar në këmbim një përqindje të vlerës së ndërtimit, financimin e fushatave elektorale dhe qasje të privilegjuar në media.
Lëvizja BASHKË është i vetmi subjekt politik në Shqipëri që ka guximin dhe vendosmërinë për të denoncuar marrëdhënien korruptive midis oligarkëve, eksponentëve të krimit të organizuar dhe pushtetit politik. Jo vetëm kaq, por jemi të përkushtuar në ndërgjegjësimin e opinionit publik për t’u organizuar kundër kancerit të korrupsionit dhe degradimit oligarkik të shtetit dhe strukturës ekonomike.
BASHKË KUNDËR KORRUPSIONIT!