NJË VIT SAKRIFICASH DHE SUKSESI

Aktiviste te Levizjes Bashke duke ecur prane 9-katsheve

Viti 2023 ishte i pari i historisë sonë si parti politike. Lindja e Lëvizjes BASHKË ishte shumë e vështirë. Pavarësisht se u themeluam me vullnetin e lirë të mbi 3500 qytetarëve, një gjykatës i korruptuar dhe anëtarë të kompromentuar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve bënë gjithçka për ta penguar legalizimin dhe pjesëmarrjen tonë në zgjedhjet lokale të 14 majit.

Megjithatë Lëvizja BASHKË jo vetëm ia doli të merrte pjesë në zgjedhje, por edhe arriti të merrte mbështetjen e rreth 14.000 qytetarëve të Tiranës dhe fitimin e përfaqësisë në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Ky rezultat ishte produkt i sakrificave të aktivistëve dhe mbështetësve tanë në Shqipëri, Kosovë e diasporë. Suksesi erdhi për shkak se ia dolëm të fitonim besimin e shumë qytetarëve përmes një fushate shembullore, modeste në mjete, por të pasur në ide; duke përshkuar në këmbë dhe autobus çdo lagje e rrugë të Tiranës; duke u shndërruar dita-ditës në lajmëtarë të shpresës për qytetarët e kryeqytetit.

Që prej themelimit Lëvizja BASHKË ka marrë përsipër përfaqësimin e vullnetit të 21.000 qytetarëve që kanë nënshkruar projektligjin e minimumit jetik, kësaj të drejte shoqërore bazike të nëpërkëmbur të qytetarëve shqiptarë. Pavarësisht nënshkrimeve të qytetarëve dhe protestave tona, Kuvendi i Shqipërisë ende nuk ka pasur dinjitetin për ta shqyrtuar këtë projektligj. Në vend të tij, deputetët e të gjitha partive kanë nxituar t’i dyfishojnë rrogën vetes. Ku? Në një prej shteteve më të varfra të Evropës.

Viti 2023 ka qenë i rëndësishëm edhe për përpjekjet tona në mbrojtje të hapësirave publike, si për shembull zinxhiri i protestave në mbrojtje të parkut pas Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë. Lëvizja BASHKË mbetet e vetmja forcë politike që ka guximin t’u kundërvihet oligarkëve dhe ortakërisë midis krimit të organizuar dhe qeverisë.

Veprimtaria jonë ka shkuar gjithnjë në mbështetje të shtresave shoqërore që pësojnë padrejtësi. Këtu duam të veçojmë solidaritetin në protesta me minatorët që kërkojnë me ngulm miratimin e Statusit të Minatorit. Po ashtu, jemi solidarizuar me grupet ambientaliste dhe organizime të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Ky vit ka qenë njëkohësisht viti i një organizimi të fortë territorial, i cili sot shtrihet në shumë qytete të Shqipërisë. Organizimi është shtylla kurrizore e përpjekjes dhe idealizimit tonë. Në vitin që po troket ne synojmë të organizohemi në çdo qytet, lagje e fshat të Shqipërisë. Përtej kësaj, do të shtojmë përpjekjet për t’u bashkorganizuar në vendin e punës me punëtorët, në vendin e studimit me studentët, si dhe me profesionistët, sipërmarrësit e vegjël, pensionistët, bujqit dhe çdo qytetar të ndershëm të Shqipërisë sonë.

Puna dhe arritjet e këtij viti na i shtojnë forcat dhe frymëzimin për 2024. Bashkë me ju, ne do të ngremë zërin kundër çdo padrejtësie, do t’i bëhemi gardh çdo poshtërsie dhe do të krijojmë ngado vatra solidariteti shoqëror.

Me shpresën se 2024 do të jetë viti i Transformimit të Madh, urojmë që kjo natë t’ju gjejë të gjithë shend e verë.

Gëzuar!

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/nje-vit-sakrificash-dhe-suksesi/