GOSTIA E OLIGARKËVE VAZHDON

Fytyrat e oligarkeve, politikaneve dhe figurave publike qe kane perfituar nga ligji per investitoret strategjik

Edi Rama vazhdon të majmë oligarkët. Në mbledhjen famëkeqe të 26 dhjetorit, KKT e kryesuar nga Rama, përveç lejeve për kulla, kanë vazhduar lejet në bregdet. Përfitues janë oligarkë të njohur dhe personazhe famëkeqe të botës së nëntokës:

1. Leje zhvillimi për "Kompleks rezidencial dhe turistik 'Delta Gardens'" në Palasë, Himarë, nga "White Roads Hotel" sh.p.k në pronësi të Lorenc Gjikurisë. Struktura turistike pritet të ndërtohet në një sipërfaqe rreth 12 mijë metra katrorë, nga e cila një e katërta është tokë private, ndërsa tre të katërtat, ose rreth 9 mijë metra katrorë, janë pronë shtetërore. Më herët shoqëria private ka siguruar primatin e tenderave publikë të zhvilluar nga qeveria “Rama” për procesin e Rindërtimit. Gjithashtu “Gjikuria” ka siguruar edhe një koncesion qeveritar për ndërtimin e rrugës Porti i Jahteve Orikum-Dukat, me vlerë 50.5 milionë euro. Në verën e vitit 2021 u raportua se kompania “Gjikuria” u përfshi në një hetim penal për “ndërtim të paligjshëm”, pasi kishte nisur punimet për rrugën koncensionare pa u pajisur më parë me lejet e ndërtimit.

2. Leje ndërtimi për "Resort turistik dhe rezidencial 'Village Square'" në Dhërmi, Himarë, nga "Seaside Construction" sh.p.k me administrator Fation Bojari, e themeluar para rreth një viti në nëntor 2022, me vetëm 1 milionë lekë të vjetra kapital.

3. Dy leje ndërtimi për "Marina Residences Vlorë" sh.p.k, në pronësi të Geront Çelës dhe oligarkut Samir Mane.

Këto janë në vazhdën e aferave korruptive që Edi Rama po bën me të ashtuquajturit "investitorë strategjikë". Përveç oligarkëve, këtë status e kanë përfituar edhe pjesëtarë të krimit të organizuar si në rastin e Pëllumb Gjokës, burri i ministres Olta Xhaçka, humoristi i oborrit Gazmend Paja apo edhe kompani fantazmë që nuk kanë shumë se 1 milionë lekë të vjetra kapital dhe lënë vend për dyshime.

Përveç trojeve publike në bregdet, Shqipërisë po i kafshohen përditë edhe portet. Kujtojmë këtu Portin e Durrësit, në duart kompanisë “Adriatic Resorts” të sapokrijuar dhe me pronar fiktiv dhe të fshehur pas një kompanie guaskë.

Së dyti, portin e Vlorës, që iu fal për 1 euro Geront Çelës dhe Samir Manes, duke shfaqur një mungesë të fitimit shtetëror dhe ndikimeve të dyshimta ekonomike dhe shoqërore, çka Lëvizja BASHKË e ka denoncuar edhe më herët.

Së treti, portin e Limionit që, sipas SPAK-ut, iu dha në mënyrë abuzive Shefqet Kastratit dhe Artan Dulakut, për të cilin sot janë ende në hetim ministrja Balluku dhe ish-ministrja Xhaçka.

Së katërti, porti i hidrokarbureve në Porto-Romano do të menaxhohet për 35 vite nga një bashkim operatorësh i udhëhequr nga konglomerati “Kastrati Group”, duke u shpallur zonë e lirë ekonomike për tregti ndërkombëtare pa taksa, në një territor prej gati 1 milion m2. Madje kompania koncesionare e portit ka nisur zgjerimin e saj në këtë zonë, pavarësisht se ajo është në pronësi të ushtrisë.

Të gjitha këto janë metastazat e një kanceri korruptiv që nis nga Edi Rama dhe vazhdon me oligarkët dhe gangsterët më të rrezikshëm të vendit tonë. Po Shqipëria nuk mund të jetë pafundësisht çiflig i keqbërësve të dukshëm e të padukshëm. Plazhet, parqet, hapësirat publike, lumenjtë dhe pasuritë e nëntokës i përkasin popullit.

Lëvizja BASHKË do të nisë një aksion të madh antikorrupsion për të ngritur ndërgjegjen qytetare ndaj kësaj të keqeje të madhe. Ne, viktimat e panumërta të korrupsionit e kapjes së shtetit, duhet të bashkohemi dhe të ngremë zërin në kupë të qiellit për të drejtat dhe mundësitë që po na mohojnë përditë e më shumë.

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/gostia-e-oligarkeve-vazhdon/