Programi qeverisës

1. Shteti zhvillimor

Modeli aktual zhvillimor i Shqipërisë mbështetet fort në punësim me paga të ulëta, kushte fleksibël pune dhe industri me vlerë të ulët. Pavarësisht investimeve të huaja, kryesisht në sektorë të tillë si prodhimi, veshjet dhe këpucët, kjo strategji keqzhvillimi ka ngritur një strukturë të brishtë ekonomike, të ndjeshme ndaj tronditjeve të jashtme, veçanërisht gjatë krizave ekonomike globale. Për shembull, varësia e vendit nga eksportet me vlerë të ulët, kryesisht në industrinë fasone, e bën atë të ndjeshëm ndaj rreziqeve nga ndryshimet e preferencave të konsumatorëve dhe ciklet ekonomike globale.

Pozita e Shqipërisë në zinxhirin global të vlerës mbetet e pasigurt. Niveli i produktivitetit të Shqipërisë është më i ulëti në rajon, me sektorë të punës intensive që dominojnë ekonominë. Mungesa e një politike të qartë industriale ka penguar zhvillimin e lidhjeve të përparme dhe të mbrapme, duke i pamundësuar vendit të ngjitet më lart në zinxhirin global të vlerës. Shqipëria është e bllokuar për të kaluar nga sektorët me produktivitet të ulët në industri me vlerë të lartë.

Koncepti i politikës zhvillimore industriale thekson rëndësinë e ndërhyrjes së institucioneve publike për të mbështetur inovacionin dhe ato industri që mund të ndihmojnë në diversifikimin dhe avancimin e një ekonomie. Për Shqipërinë, këto politika mund të përqendrohen në promovimin e industrive me teknologji më të lartë, avancimin e teknologjisë dhe novacionin, të cilat janë thelbësore për të dalë nga cikli i prodhimeve me vlerë të ulët.

Modeli i deritanishëm ekonomik i Shqipërisë është bazuar tek avantazhi krahasues i pagave të ulëta dhe inten- sitetit të lartë të shfrytëzimit të forcës punëtore, duke u specializuar në sektorë ku ka më pak kosto mundësie. Fokusimi i Shqipërisë në punë me kualifikim të ulët e dobëson qëllimin afatgjatë të zhvillimit ekonomik. Pavarësisht se kjo qasje mund të ketë kuptim afatshkurtër nga pikëpamja e avantazhit të krahasuar, ajo dështon të krijojë një ekonomi të diversifikuar që mund të përballojë tronditjet ekonomike dhe të kontribuojë në standarde më të larta të jetesës.

Për të kaluar këtë pengesë, Shqipëria duhet të evoluojë avantazhin e saj të krahasuar nga punët me kosto të ulëta në sektorë më të sofistikuar dhe të mbështetur në teknologji. Është e rëndësishme ndërhyrja strategjike e institucioneve publike për të nxitur sektorë me produktivitet më të lartë, edhe nëse këto sektorë nuk janë fillimisht në përputhje me avantazhet ekzistuese të krahasuara, por kanë potenciale të ndërtojnë avantazhe të krahasuara dinamike. Kjo politikë zhvillimore industriale do të përfshinte krijimin e një mjedisi që mundëson zhvillimin e industrive që mund të prodhojnë produkte me vlerë më të lartë dhe të çojnë ekonominë në një nivel më të lartë të zinxhirit global të vlerës.

Lëvizja BASHKË beson te karakteri zhvillimor i një shteti llogaridhënës ndaj qytetarëve i cili lufton monopolet dhe oligopolet dhe, përmes politikave mbështetëse dhe orientuese, nxit zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit, shfrytëzon në mënyrë të qëndrueshme avantazhet krahasuese natyrore në bujqësi e turizëm dhe koncepton e materializon avantazhet krahasuese dinamike të vendit tonë, duke nxitur investimet e huaja dhe vendase në sektorë të rinj të industrisë, si për shembull industria automotive dhe teknologjia e informacionit, dhe përgatit një forcë punëtore gjithnjë e më të kualifikuar dhe produktive.

Kapitujt