Programi qeverisës
1. Shteti zhvillimor
1.1 Industria nxjerrëse dhe përpunuese
Guri i themelit mbi të cilin mbështetet një ekonomi e shëndoshë është një industri e konsoliduar, që përdor teknologji të avancuar për të nxjerrë në treg mallra cilësore që i sjellin ekonomisë një vlerë të shtuar, ulin deficitin tregtar përmes eksportit dhe tërheqin investimet e qëndrueshme të kapitalit të huaj në vend. Industria e vogël dhe e mesme, e bazuar te biznesi familjar dhe me pak punëtorë, është baza ku mbështet ekonomia e vendit. Objektivi i një shteti zhvillimor është që, krahas mbështetjes së industrisë së vogël dhe të mesme, të nxisë edhe industritë e mëdha e të qëndrueshme, të cilat do të sillnin një rritje të hovshme të produktivitetit.
Për fat të keq, industria shqiptare prej disa vitesh ka hyrë në një krizë të thellë. E braktisur totalisht nga një qeveri që e sheh të ardhmen te spekulimi në fushën e ndërtimeve përmes pastrimit të parave të krimit, industria prodhuese e vendit po shkon drejt falimentit. Edhe pse industria nxjerrëse dhe përpunuese ka kontribuuar ndër vite nga 48% deri 62% të eksportit total në shkallë vendi, viti 2024 shënoi një rekord historik negativ sa i përket deficitit tregtar prej 469 miliardë lekësh, ku eksportet ranë me 14% dhe importet u rritën me 2% krahasimisht me një vit më parë.
Dy faktorët kryesorë që kanë ndikuar negativisht në të gjithë sektorët e industrisë kanë qenë rënia e valutës së euros kundrejt lekut me rreth 8% dhe mungesa e forcës punëtore për shkak të emigrimit masiv.
Goditjen më të rëndë e ka marrësektori fason që përfaqëson rreth 30% të eksporteve të vendit. Mbyllja e shumë fabrikave të përpunimit të tekstileve dhe të këpucëve në vend ka lënë pa punë me mijëra punëtorë. Në të njëjtën situatë ndodhet edhe industria e lehtë ushqimore, e cila detyrohet të importojë lëndën e parë që zë rreth 70 deri 80% të kostos për shkak të rënies së produktit bujqësor e blegtoral vendas.
Industritë e nxjerrjes së naftës dhe të mineraleve si kromi, bakri etj. prej dekadash janë kthyer në monopole, kryesisht nga kompani të huaja, nga të cilat buxheti i shtetit përfiton fare pak. Vendburimet e njohura të mineraleve kryesore po shterojnë dita-ditës për shkak të shfrytëzimit pa kriter nga oligarkë e banditë lokalë.
Për të arritur këto qëllime, në radhë të parë propozojmë forcimin e rolit dhe të kontrollit të shtetit në menaxhimin e pasurive natyrore të nëntokës shqiptare përmes rinegocimit të kontratave me kompanitë private dhe ngritjes së kompanive publike që do të rrisin konkurrueshmërinë në treg.
Për mbështetjen dhe zhvillimin e industrisë dhe të sektorëve prodhues në vend, Lëvizja BASHKË propozon themelimin e Fondit Sovran dhe të Bankës Zhvillimore. Fondi Sovran do të shërbejë si një institucion shtetëror i cili do të marrë në bashkëpronësi asetet strategjike të Shqipërisë sidomos ato që lidhen me pasuritë natyrore të vendit. Fondi Sovran do të shërbejë për tërheqjen e investimeve nga jashtë, për mirëmenaxhimin e aseteve strategjike dhe si instrument investues e zhvillimor në sektorin e industrisë dhe sektorët e tjerë strategjikë. Nga ana tjetër, Banka Zhvillimore do të shërbejë si një instrument kreditues i sektorëve strategjikë me synim mbështetjen e bizneseve prodhuese, rritjen e eksporteve dhe hapjen e vendeve të sigurta të punës së kualifikuar. Banka Zhvillimore do të financohet nga një kapital fillestar që mund të vijë nga borxhi i qeverisë, pra një fond i garantuar nga qeveria që e zotëron Banka e Shqipërisë. Fondet shtesë do të vijnë nga tituj borxhi bono/obligacione që do të emetojë Banka Zhvillimore, të cilat mund t’i blejnë individë, biznese, banka private, Banka e Shqipërisë etj., si dhe do të synohet bashkëpunimi dhe mbështetja e Bankës Botërore (BB) dhe e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Në mënyrë që produktet industriale Made in Albania të konkurrojnë në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare, Lëvizja BASHKË e konsideron si thelbësor rolin mbështetës të shtetit përmes politikave subvencionuese që bazohen te parimi i llogaridhënies dhe te cilësia e produktit për eksport.
Për industrinë ushqimore është e domosdoshme rritja e shkallës së përpunimit në vend e lëndës së parë natyrore, ashtu sikurse për manifakturën nevojitet diversifikimi i linjave të prodhimit dhe shkuarja drejt prodhimit me cikël të plotë. Në të njëjtën kohë, kjo industri nuk mund të mbështetet më te kostoja e lirë e krahut të punës, por duhet të ofrojë vende pune të sigurta ku respektohen të drejtat e punëtorëve dhe organizimi sindikal.
Ky është vizioni i Lëvizjes BASHKË për të ardhmen e Shqipërisë, ku koncepti i shtetit zhvillimor ecën paralelisht me atë të shtetit social.
I. Industria minerare dhe e naftës
Shqipëria është një vend i pasur në minerale dhe në naftë. Një pasuri e tillë do duhej t’i shërbente vendit për rritjen e vlerës së shtuar përmes përpunimit të resurseve, nxjerrjen e produkteve të përpunuara dhe nënprodukteve në tregun shqiptar me çmim më të lirë, shtimin e eksporteve të vendit dhe eventualisht rritjen e mirëqenies së të gjithë qytetarëve.
Roli i kësaj industrie në ekonominë shqiptare nuk mund të nënvlerësohet. Kontributi i industrisë nxjerrëse dhe përpunuese (sektori i minierave dhe naftës) në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) në vitin 2021 ishte 4.2%, nga të cilat 2.2% vinin nga sektori minerar (rreth 40.8 miliardë lekë). Kontributi i sektorit në formë të ardhurash për shtetin ka ardhur në rënie: për vitin 2021 kontributi i industrisë nxjerrëse ishte rreth 0.46% (nafta dhe gazi 2.05 miliardë lekë, apo 0.4%; minierat 290 milionë lekë, ose0.06%). Ndërkohë që të ardhurat për vitin 2024 për buxhetin e shtetit ishin vetëm 1.64 miliardë lekë, duke pësuar rënie krahasimisht me një vit më parë me 9.9% (nga 1.82 miliardë lekë). Vlera e eksporteve nga sektori i nxjerrjes kapi vlerën 61 miliardë lekë, sa 17% e eksporteve të vendit. Kontributi në punësim ishte 4.5%: sektori i naftës dhe i gazit punësonte rreth 11,000 punëtorë (2.1%), ndërsa minierat rreth 12.000 punëtorë (2.4%).
Problematika kryesore lidhet me monopolizimin e sektorit dhe me shfrytëzimin pa kriter të vendburimeve. Gjithashtu, përqindja e përpunimit të resurseve është shumë e ulët, teksa pjesa më e madhe e tyre eksportohen pa u përpunuar. Shteti shqiptar që do duhej të luante rolin e kontrollorit, qëndron në hije. Të dhënat e deklaruara nga institucionet publike bazohen në vetëdeklarime të shoqërive raportuese. Saktësia e këtyre raportimeve lë vend për dyshime dhe për punë në të zezë: 25 kompani që raportuan prodhim, deklaruan 0 të punësuar përgjatë 2017 dhe 2018.
Një rol negativ vendimtar në situatën e krijuar luan mungesa e transparencës. Sipas Ligjit për Hidrokarburet, nuk parashikohet ndonjë kusht në lidhje me deklarimin publik të Marrëveshjeve Hidrokarbure, çka bën që publiku të ngelet në errësirë sa i përket përfitimeve të kompanive të mëdha që shfrytëzojnë pasuritë kombëtare. Për më tepër, Shqipëria në vitin 2009 u bë pjesë e organizatës ndërkombëtare EITI që përcakton standardet e raportimit për vendet pjesëmarrëse me qëllim sigurimin e transparencës dhe të përgjegjshmërisë në sektorët e naftës, gazit dhe minierave. Raporti i fundit i vendit tonë daton në vitin 2018 dhe në mënyrë të turpshme Shqipëria është pezulluar nga kjo organizatë në vitin 2023 për shkak të mungesës së raportimit. Kusht thelbësor për mirëfunksionimin e sektorit të hidrokarbureve dhe të minierave është transparenca. Prandaj vendi ynë do duhet medoemos të rifillojë raportimin e detajuar të të gjitha të dhënat sa i përket secilës prej hallkave të menaxhimit të këtij sektori nga aktorët shtetërore dhe ata privatë, duke bërë të mundur riintegrimin në organizatën ndërkombëtare EITI.
Për më tepër, zonat periferike naftëmbajtëse e mineralmbajtëse janë edhe zonat më të varfra të vendit, për shkak se me ligjin aktual vetëm 5% e rentës së mbledhur nga shteti i shkon pushtetit lokal. Një gjë e tillë është e padrejtë për komunitetet lokale dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të këtyre zonave, për vetë faktin se janë pikërisht këto zona të cilat vuajnë nga dëmet e konsiderueshme mjedisore të cilat shfaqen edhe në shëndetin dhe mirëqenien e banorëve lokalë dhe që vijnë si pasojë e aktivitetit të industrisë nxjerrëse dhe përpunuese.
Vizioni afatgjatë i Lëvizjes BASHKË në shfrytëzimin e duhur të burimeve minerare dhe hidrokarbure, i frymëzuar nga modeli norvegjez, mbështetet mbi këto shtylla:
- maksimizimin e përfitimit ekonomik të Shqipërisë nga resurset e mineraleve, naftës dhe gazit;
- përdorimin e të ardhurave nga ky sektor në zhvillimin social dhe ekonomik të vendit, sidomos të zonave të varfra të vendit ku shfrytëzohen vendburimet;
- investimin e të ardhurave nga sektori i naftës te Fondi Sovran nga të cilat do të përfitojnë edhe brezat e ardhshëm;
- rritjen e kapaciteteve profesionale dhe përvetësimin e teknologjisë së fundit nga kompanitë vendase nga ky sektor;
- zhvillimin dhe ruajtjen e standardeve të sigurisë në punë dhe të mbrojtjes së mjedisit;
- shfrytëzimin e resurseve në mënyrë graduale dhe të kujdesshme;
- transparencën dhe riintegrimin sa më parë të Shqipërisë në organizatën ndërkombëtare EITI.
A. Industria e naftës
Gjendja aktuale
Shqipëria është ndër të paktat vende naftëmbajtëse në Evropë me rreth 15 vendburime nafte dhe 6 vendburime gazi. Ndër to, vendburimi i Patos-Marinzës konsiderohet si vendburimi tokësor i naftës më i madh në Evropën kontinentale.
Sipas studimeve të kryera para viteve ‘90, rezervat në puset e naftës shqiptare arrinin në rreth 437.6 milionë tonë. Megjithatë raportet e huaja dëshmojnë se për shkak të metodave të nxjerrjes të dëmshme dhe pa kriter që janë përdorur deri më sot, rezervat e rikuperueshme vlerësohet të kenë arritur në vetëm 81 milionë tonë, pra vetëm 15% e rezervave fillestare. Ndërkohë, një sasi e madhe rezervash gjeologjike konsiderohen si të vështira për t’u nxjerrë (rikuperuar), pra me kosto më të lartë ose që kërkojnë një teknologji më të avancuar, si për shembull vendburimi i Shpiragut.
Në sektorin e prodhimit të naftës operojnë gjashtë kompani. Albpetroli është një shoqëri aksionere me kapital të zotëruar tërësisht nga shteti shqiptar, ndërkohë që kompania private kryesore është Bankers Petroleum që ka në koncesion shfrytëzimi vendburimin kryesor të Patos-Marinzës. Bankers Petroleum-i është gjithashtu eksportuesi kryesor i naftës bruto në vend. Nafta bruto eksportohet kryesisht për t'u rafinuar jashtë vendit, ndërsa kërkesat e konsumit të brendshëm përmbushen përmes naftës së rafinuar të importuar.
Problemet kryesore
90% e naftës sot në Shqipëri prodhohet nga Bankers Petroleum-i, që menaxhon vendburimin e Patos-Marinzës, duke e kthyer këtë kompani praktikisht në një monopol privat të një pasurie publike siç është nafta.
Prej 20 vjetësh, që prej marrëveshjes për shfrytëzimin e vendburimit, Bankers-i nuk ka paguar tatim mbi fitimin (50% e fitimit) duke deklaruar gjithmonë fitim zero për shkak të investimeve dhe kostove të fryra jashtë çdo logjike. Ndërkohë që burimi kryesor i të ardhurave për buxhetin e shtetit nga sektori i naftës është renta minerare (rreth 20 milionë dollarë në vit), pjesa e tatim-fitimit që shteti do duhej të kishte përfituar nga Bankers-i përllogaritet diku te 10 milionë dollarë në vit pra sa gjysma e rentës. Edhe TVSH për naftën i rimbursohet kompanisë private nga shteti shqiptar.
Për të kuptuar pozitën e dizavantazhuar të shtetit shqiptar në raport me kompaninë Bankers, mjafton të përmendim se të ardhurat e buxhetit të shtetit nga sektori i naftës për vitin 2018 ishin përafërsisht sa gjysma e të ardhurave nga sektori minerar, edhe pse ky i fundit po shkon drejt mbylljes.
Albpetroli merr një pjesë të prodhimit të naftës që nxjerr Bankers-i në bazë të marrëveshjes, termat e të cilës nuk janë bërë publike për shkak të klauzolave të konfidencialitetit. Sidoqoftë, nga krahasimi i prodhimit që deklaron Bankers-i, çdo vit me sasinë që i kalon Albpetrolit, rezulton që Albpetroli nuk përfiton më shumë se 10% të prodhimit. Ndërkohë që për vende të tjera, si për shembull Norvegjia, në varësi të sasisë së prodhimit, pjesa që merr kompania shtetërore mund të arrijë deri në 50% të prodhimit përmes pronësisë së aksioneve te licencat e dhëna.
Në vitet ‘70 dhe ‘80, kur sektori i kërkimit-zbulimit dhe prodhimit, si dhe sektori i rafinimit, procesimit dhe purifikimit të naftës dhe gazit ishin në pronësi dhe administroheshin tërësisht nga shteti, sektorët punësonin afërsisht 25,000 punëtorë. Sot kjo shifër është tkurrur në më pak se 3000, ku 70% e tyre janë të punësuar te Albpetroli.
Pjesë e marrëveshjes mes shtetit shqiptar dhe Bankers Petroleum-it ishte që një sasi e caktuar e naftës së prodhuar të shkonte për rafinim në uzinën e rafinimit ARMO sh.a. Përpara privatizimit, kjo uzinë punësonte rreth 2200 punëtorë, duke i dhënë jetë mbarë komunitetit të Ballshit dhe të Fierit. Xhiroja vjetore e kompanisë arrinte në rreth 90-120 milionë dollarë, ndërsa fitimet vjetore arrinin 10-15 milionë dollarë. Detyrimet që paguheshin përmes taksave dhe akcizës arrinin 25-30 milionë dollarë për arkën e shtetit dhe kompania nuk kishte asnjë borxh. Uzina prodhonte deri në 20 nënprodukte të naftës që shfrytëzohen nga industri të ndryshme. Pas privatizimit të saj në vitin 2009 te oligarku Rezart Taçi, kompania u mbush në borxhe dhe shpalli falimentin. Pas shumë përpjekjesh të naftëtarëve për të fituar pagat e prapambetura, uzina eventualisht u shemb dhe shit për skrap.
Përfitimet e komunitetit ku nxirret nafta kanë qenë të papërfillshme. Përkundrazi, ndotja mjedisore nga shpërthimi i puseve ka ngelur ende pa fajtor dhe pa zgjidhje, ashtu sikurse dëmtimet e shtëpive të banorëve të fshatit Zharrëz në vitin 2017 për shkak të shpërthimeve që kryente kompania Bankers, u tentua të mbuloheshin si tërmete natyrore.
Edhe pse shteti shqiptar ka në pronësi kompaninë Transnafta sh.a. posaçërisht për transportin e naftës, ajo ka ngelur tërësisht inaktive. Bankers Petroleum-i deklaron se shoqëritë e transportimit të naftës zgjidhen sipas gjykimit të saj. Nafta e papërpunuar e Bankers transportohet përmes një hekurudhe të posaçme, nga vendburimet e naftës në Petrolifera.
Propozimet
Burimet hidrokarbure janë resurse të parinovueshme të cilat natyra ia ka falur Shqipërisë. Ato përbëjnë një pasuri kombëtare që i përket mbarë popullit shqiptar. Rrjedhimisht, detyra e çdo drejtuesi shteti është që ta menaxhojë naftën e nëntokës shqiptare si një aset të shterueshëm dhe jo si një burim të përhershëm të ardhurash. Dhënia e saj me koncension te privati, i cili e nxjerr nga pusi dhe e hedh të papërpunuar në tregjet globale, është një shpërdorim që po i bëhet kësaj pasurie publike, duke e mpakur atë vazhdimisht e duke mos lënë asgjë pas. Nëse nafta e nxjerrë do të rafinohej/përpunohej përpara se të nxirrej në treg, vlera e saj e shtuar do të shumëfishohej. Nga ana tjetër, nëse të ardhurat nga shitja e naftës do të investoheshin në një fond sovran i cili do të siguronte kthimin e investimit, atëherë nafta e Shqipërisë mund të transformohej në një burim të ardhurash për brezat e ardhshëm.
Bazuar mbi këto parime, Lëvizja BASHKË propozon:
- Rinegocimi i kontratës me Bankers Petroleum-in për vendburimin e Patos-Marinzës
Si vendburimi tokësor më i madh i naftës, jo vetëm në Shqipëri por në mbarë Evropën kontinentale, nevojitet urgjentisht rinegocimi i kontratës mes shtetit shqiptar dhe koncesionarit. Termat kontraktualë do duhet të kushtëzojnë:- Kontrollin e shtetit nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), si dhe kompanive të huaja të auditit financiar, për përcaktimin e fitimit që nxjerr çdo vit koncesionari, në mënyrë që tatimi mbi fitimit t’i kalojë buxhetit të shtetit.
- Ndarjen në mënyrë progresive të sasisë së naftës së prodhuar që i kalon Albpetrolit, në varësi të sasisë së prodhuar çdo vit nga koncesionari.
- Kontrollin e shtetit sa i përket intensitetit të shfrytëzimit dhe sasisë së naftës së prodhuar në vendburim.
- Kontrollin e shtetit nëpërmjet AKBN sa i përket teknologjisë së përdorur nga koncesionari, ku përparësi do t’i jepet shfrytëzimit tërësor të vendburimin pa e shkatërruar atë për përfitime afatshkurtra, si dhe përçimit të njohurive teknike (know-how) nga koncesionari te stafi i specializuar i Albpetrolit.
- Imponimin në kontratë të përdorimit nga ana e koncesionarit të kompanisë shtetërore Transnafta për transportin e naftës, duke siguruar vende pune për komunitetin lokal.
- Rritja e tatimit mbi fitimin nga 50% në 60%
Me paaftësinë e treguar nga shteti shqiptar deri më sot për ta vjelë këtë tatim nga Bankers Petroleum-i, padyshim që rritja e saj në vetvete do të ishte e pavlerë. Megjithatë, me rritjen e domosdoshme të kompetencave administrative të AKBN, një rritje e tillë është më se e nevojshme. Praktikat botërore tregojnë se pas investimit fillestar që kryen një koncesionar privat, gradualisht koncesionari e rrit fitimin. Rrjedhimisht, shteti bën rinegocimin e kontratës fillestare duke e rritur gradualisht taksën mbi fitimin. Në 20 vjet që Bankers Petroleum-i ka shfrytëzuar vendburimin e Patos-Marinzës (kontrata mbyllet në vitin 2029), taksa mbi fitimin ka ngelur e njëjtë (dhe është mënjanuar gjithmonë). Ndërkohë që vende si Norvegjia e kanë rritur ndër vite këtë taksë duke arritur aktualisht në 78% të fitimit. Për më tepër, në fund të vitit 2015 Bankers-i raportoi për sasi të konsiderueshme nafte që ndodhen në këtë vendburim: rezerva të provuara në 122.9 milionë fuçi (ekuivalente me 18.6 milionë ton naftë bruto) dhe rezerva të provuara plus të mundshme në 190.3 milionë fuçi (ekuivalente me 28.9 milionë tonë naftë bruto). - Rritja e kompetencave të kompanisë shtetërore Albpetrol në prodhimin e naftës
Në një kohë kur 90% e vendburimeve botërore të hidrokarbureve kontrollohen nga kompani shtetërore, është e një rëndësie të veçantë fuqizimi i rolit që luan kompania shtetërore Albpetrol në sektorin e naftës në vend. Duhet përmbysur balanca ku 90% e naftës në vend prodhohet nga kompani private dhe vetëm 10% nga kompania shtetërore. Albpetroli duhet të kthehet gradualisht në një konkurrent të fuqishëm vendas me gjithë operatorët privatë që operojnë në treg, duke i dhënë kështu qeverisë një pozitë të avantazhuar në negocimin e kontratave me privatët. Nga ana tjetër, Albpetrol do duhet të luajë një rol thelbësor në kërkim-zbulimin dhe përcaktimin e saktë të rezervave të mbetura të naftës në vendin tonë, duke përdorur teknologjitë më të fundit. Në kuadër të transparencës, Albpetroli do duhet të raportojë çdo vit në Kuvendin e Shqipërisë dhe në komisionet e ndryshme parlamentare lidhur me performancën e kompanisë dhe politikat e ndjekura. - Ringritja e një uzine rafinerie për përpunimin e naftës që del nga nëntoka shqiptare
Përpunimi i naftës bruto e shumëfishon vlerën e saj në tregun ndërkombëtar. Prandaj ringritja sa më parë e një uzine për rafinimin e naftës vendase do duhej të ishte prioriteti kryesor i çdo qeverie shqiptare. Fatmirësisht, njohuritë teknike për funksionimin dhe menaxhimin e një uzine të tille janë ende të pranishme, për hir të uzinës që funksiononte vetëm pak vite më parë. Kostoja e ndërtimit të një rafinerie me kapacitetin e asaj të mëparshmes, sipas ekspertëve, nuk do t'i tejkalonte 300 milionë dollarë, shifër kjo më se e përballueshme nga buxheti i shtetit shqiptar, duke marrë në konsideratë edhe instrumente të ndryshme të borxhit financiar dhe institucioneve ndërkombëtare që do të menaxhohen përmes Bankës Zhvillimore. Duke u rritur kapaciteti prodhues i Albpetrolit, do të plotësoheshin edhe nevojat e furnizimit të rafinerisë me naftë bruto duke realizuar një cikël të mbyllur të prodhimit dhe nxjerrjes së naftës në tregun vendas dhe atë ndërkombëtar. Për më tepër, ky investim do të hapte vende të reja pune të kualifikuar, si dhe do të rigjallëronte të gjithë aktivitetin ekonomik të qytetit të Fierit e të Ballshit. - Bashkëpronësia e kompanive shtetërore mes punëtorëve dhe shtetit shqiptar
Bashkëpronësia përmes kontrollit të aksioneve të kompanive shtetërore të prodhimit dhe përpunimit të naftës mes punëtorëve dhe shtetit në raportin 10%-90%, e njohur ndryshe si Employee Stock Ownership Plan (ESOP), do të mundësonte një ambient pune më bashkëpunues, do të nxiste te punëtorët ndjenjën e përkatësisë duke rritur produktivitetin dhe motivimin e tyre, si dhe do t’u ofronte punëtorëve një shtysë financiare të drejtpërdrejtë të lidhur me rentabilitetin e ndërmarrjes. Mënyra e funksionimit do të bazohej në eksperiencat më pozitive botërore, si për shembull kompania ENAP në Kili, ku procesi nis me ngritjen e një trusti për përfitimin e aksioneve nga ana e punëtorëve. Aksionet u alokohen punëtorëve në bazë rrogës, vjetërsisë në punë dhe kritereve të tjera. Aksionet ruhen në trust dhe nuk mund të tërhiqen menjëherë, por vetëm pasi punëtorët arrijnë objektiva të caktuar në punë (p.sh. kontribut në prodhimtari apo vite pune), kur largohen nga vendi i punës apo kur dalin në pension. - Menaxhimi i të ardhurave nga sektori i naftës nga Fondi Sovran
Në mënyrë që të ardhurat e gjeneruara nga nëntoka shqiptare të mos shpërdorohen, por të përdoren si një bazament për të ndërtuar të ardhmen e brezave të rinj, Lëvizja BASHKË propozon ngritjen e një Fondi Sovran për menaxhimin e këtyre të ardhurave, të bazuar te modeli norvegjez. Ndërkohë që zakonisht fondet sovrane i përftojnë të ardhurat pasi ato kanë kaluar më parë nga buxheti i shtetit dhe kanë gjeneruar një surplus, modeli në fjalë bën kalimin e të ardhurave nga sektori i naftës fillimisht në fondin sovran, e më pas një pjesë e kthimit të investimit më pas i shkon buxhetit të shtetit. Fondi do t’i investojë këto të ardhura në portofole të diversifikuara, si p.sh. në bursë, në bono thesari apo në pasuri të paluajtshme, mundësisht jashtë vendit. Strategjia e investimeve do të përcaktohet nga Banka Zhvillimore dhe nga Ministria e Financave. Në mënyrë qëkëto të ardhura të mos shpërdorohen, do të propozojmë një rregull buxhetor i cili do të kufizojë përdorimin vjetor të këtij fondi nga qeveria. - Ringritja e kapaciteteve teknike
Dikur Shqipëria ka qenë një vend me kapacitete të shkëlqyera teknike sa i përket menaxhimit të sektorit të prodhimit dhe rafinimit të naftës. Me rritjen e rolit të kompanisë shtetërore Albpetrol, nevojitet detyrimisht edhe rindërtimi i kapaciteteve profesionale njerëzore. Në këtë aspekt është i domosdoshëm rithemelimi i Institutit të Hidrokarbureve dhe ndërlidhja e tij me Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave për formimin e inxhinierëve të rinj dhe punësimin e tyre në sektorin e prodhimit dhe rafinimit të naftës. Një rol të rëndësishëm do të luajnë edhe shkollat për përgatitjen e teknikëve, që do të ngrihen në lokalitetet e zonave pranë vendburimeve, duke ndihmuar në ngritjen profesionale të banorëve lokalë. - Menaxhimi i intensitetit të prodhimit të naftës në mënyrë të qëndrueshme
Duke e mirëmenaxhuar intensitetin e shfrytëzimit të resurseve të nëntokës shqiptare, fitohet kohë për rritjet e kapaciteteve teknike dhe ngritjen e fondit sovran të menaxhimit të të ardhurave nga sektori i naftës. Rezervat e naftës kanë qenë atje për miliona vjet. Shfrytëzimi i shfrenuar i tyre nga kompanitë private nuk shkon në dobi të popullit shqiptar. - Rritja e përqindjes së të ardhurave nga renta që i kalon pushtetit lokal nga 5% në 15%
Një ndër kontradiktat më therëse për vendin tonë është fakti se zonat me aktivitetin më të lartë prodhues të naftës, janë edhe ndër zonat më të varfra të vendit. Prandaj, krahas vëmendjes së duhur për mbrojtjen e mjedisit dhe dëmshpërblimin e banorëve lokalë në rast dëmi, është e domosdoshme rritja e të ardhurave që vijnë nga renta dhe që i kalojnë pushtetit lokal për t’u menaxhuar me përgjegjësi për rehabilitimin e mjedisit dhe plotësimin e nevojave të banorëve të zonës në arsim, shëndetësi, infrastrukturë etj. - Rishikimi i Ligjit për Hidrokarburet
Do të rishikohet Ligji për Hidrokarburet që aktualisht nuk i zbardh kontratat me kompanitë koncesionare. Publiku shqiptar ka të drejtën të njohë se kush dhe si i shfrytëzon pasuritë kombëtare. - Miratimi i Statusit të Naftëtarit
Një e drejtë themelore që do të vlerësojë kontributin e të gjithë atyre që kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë në sektorin e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës.
B. Industria minerare
Gjendja aktuale
Shqipëria njihet si një vend i pasur në minerale të ndryshme, si krom, bakër, hekur-nikel, qymyr, gur gëlqeror, argjilë, e së fundmi edhe litium. Shumë prej këtyre mineraleve janë të lakmuara nga tregjet evropiane dhe botërore. Në disa metale, prodhimi i vendeve të Ballkanit (ku prodhimi nga Shqipëria zë vendin kryesor) është sa 50% e prodhimit të BE.
Sa i përket mineralit të kromit, Shqipëria zë vendin e tretë në Evropë pas Turqisë dhe Finlandës me 285 vendburime. Megjithatë, nga 39 milionë tonë krom në vendburimet e njohura prej studimeve të para viteve ‘90, deri më sot janë shfrytëzuar rreth 35 milionë tonë krom. Pas vitit 2000 e gjithë industria e kromit ajo e shfrytëzimit të vendburimeve dhe fabrikat e përpunimit për prodhimin e ferrokromit në Elbasan dhe në Burrel kaluan nën administrim privat. Aktualisht, kompania turke Yildirim Honding zotëron vendburimin kryesor të mineralit të kromit në Bulqizë, si dhe 4 nga 6 furrat e prodhimit të ferrokromit. Kina, Italia dhe Shtetet e Bashkuara kanë qenë destinacionet kryesore të eksportit për ferrokromin. Të ardhurat që gjenerohen nga shitja e produkteve të kromit përbëjnë rreth 60-70% të gjithë të ardhurave të krijuara nga sektori minerar. Për më tepër, sektori i kromit është i një rëndësie të veçantë edhe sepse punëson rreth 64% të fuqisë punëtore që punon në miniera. Prej tyre, 70% ndodhen në Bulqizë.
Sektori i përpunimit të bakrit, gjatë viteve ’80 ka qenë sektori më i suksesshëm në industrinë e nxjerrjes së mineraleve në Shqipëri. Nga 108 vendburime bakri, kanë qenë të njohura 69 milionë tonë bakër, nga të cilat janë shfrytëzuar rreth 21 milionë tonë. Sidoqoftë, si rezerva të rikuperueshme me kosto rentabël vlerësohen rreth 27 milionë tonë. Niveli i përpunimit të bakrit ngelet vetëm në nivel koncentrati, pasi nuk ka një kombinat metalurgjik shkrirjen dhe rafinimin e tij, e më tej përpunimin në metal (nga 4 të tilla që kanë qenë para viteve ’90). Dy kompani turke zotërojnë pothuajse të gjitha lejet e shfrytëzimit të këtij minerali në Shqipëri.
Industria e prodhimit të xeherorit të hekurit dhe e përpunimit të tij është inekzistente për shkak të kostos së lartë dhe përqindjes së ulët të metaleve të rralla (si kobalti). Shkrirja e mbetjeve metalore (si skrap), industri e cila renditet e dyta pas naftës sa i përket vlerës së produkteve industriale në vend, është përqendruar në duart e koncesionarit turk KURUM International, kompani e cila ka nën administrim edhe tre prej HEC-eve kryesore në vend. Kjo kompani e tregton rreth 41% të produktit të hekurit për ndërtim në tregun shqiptar, ndërsa pjesën tjetër në Kosovë, Maqedoni dhe Serbi. Në vitin 2016 ajo shpalli falimentin me qëllim ristrukturimin e borxhit të saj ndaj bankave kreditore, ndërsa edhe në gusht të vitit 2024, duke pretenduar vështirësi ekonomike, ajo ndërpreu prodhimin dhe nxori përkohësisht në rrugë rreth 500 punëtorë.
Edhe pse vendi ynë ka rreth 800 milionë tonë rezerva të qymyrit dhe rreth 158 milionë tonë torfa, minierat e shfrytëzimit të tyre janë mbyllur për shkak të çmimit të ulët të tyre dhe mungesës së rentabilitetit për shfrytëzimin nga kompani private.
Sektori minerar është mjaft i fragmentuar, ku nga 556 subjekte që operojnë në treg, 236 kanë leje minerare për sektorin e kromit (43%), 32 për hekur-nikel dhe 17 për bakër. Të kategorizuara sipas strukturës së shitjeve dhe madhësisë së ndërmarrjes, sa i përket industrisë nxjerrëse rreth 60% e shitjeve kryhen nga ndërmarrje të mëdha (mbi 250 punëtorë), 15% nga ndërmarrje të mesme (50 deri 250 punëtorë) dhe 20% nga ndërmarrje tëvogla (10 deri 50 punëtorë). Në sektorin e industrisë përpunuese gjendja është disi më e balancuar (33% ndërmarrje të mëdha, 35% të mesme dhe 26% të vogla). Nga tabloja e mësipërme vërehet se tregu i industrisë nxjerrëse dominohet nga ndërmarrjet e mëdha.
Problemet kryesore
Në 34 vjet shfrytëzim që i është bërë mineraleve të nëntokës shqiptare, investimet kanë qenë minimale ndërsa zhvatja galopante. Kompanitë e huaja dhe sidomos ato vendase e kanë copëzuar sektorin në shumë duar, ku ka mbizotëruar informaliteti dhe mungesa e llogaridhënies, si në përparimin e fronteve të galerive, në sasitë e prodhimit të mineraleve, në respektimin e kontratave me punëtorët dhe në sigurinë në vendin e punës. Subjektet private kanë përdorur vendburimet e njohura që më parë me një intensitet të lartë shfrytëzimi, me qëllimin nxjerrjen e mineraleve në tregjet ndërkombëtare, duke bërë çmos për të mënjanuar detyrimet ndaj shtetit.
Si sektori privat, ashtu edhe agjencitë e ndryshme shtetërore, kanë hequr dorë tërësisht nga investimet në kërkim-zbulimin e vendburimeve të reja, çka do të mundësonte një strategji afatgjatë të zhvillimit të sektorit minerar. Kjo bën që shumë vendburime të vogla të ngelen të pashfrytëzuara për shkak të riskut të lartë në investime për sektorin privat, procedurave të fryra burokratike dhe mangësive në ligjin aktual. Kështu, një kompani private që të investojë në kërkim-zbulim ku koeficienti i suksesit është 10% duhet të përballet edhe me procedura burokratike që lidhen me hyrjen në negociata me banorët që janë pronarë të tokës, me një kohë shumë të shkurtër të lejes së kërkim-zbulimit prej 2 vjetësh plus 1 vit shtyrje, me kufizime të lejes sa i përket shtrirjes në territor etj.
Monopolizimi i sektorit bën që fare pak kompani të huaja (turke) të kenë fituar lejet për shfrytëzimin e mineraleve kryesore si kromi, bakri etj., dhe t’i mbajnë këto leje të bllokuara për vite me radhë, edhe pse në vendburime të caktuara nuk prodhojnë mineral. Kjo e bën të pamundur për kompani të tjera që të hyjnë në treg duke konkurruar në mënyrë të ndershme me kompanitë ekzistuese, duke e kthyer nëntokën shqiptare në monopolin e një pakice kompanish të huaja.
Koncesionarët privatë shpeshherë nuk respektojnë planet e lejeve të shfrytëzimit, duke prodhuar me intensitet të lartë në zona me përqendrim të lartë të mineralit, e duke lënë të pashfrytëzuar pjesën tjetër një praktikë kjo që në zhargon thuhet se “e vdes minierën”. Ndërkohë, vendburimet e njohura të mineralit të kromit po shterojnë, pasi ekspertët konstatojnë se burime të shfrytëzueshme kanë mbetur më pak se 10% dhe sektori mund të vazhdojë të shfrytëzohet edhe për maksimumi shtatë vjet. Një situatë e ngjashme evidentohet edhe për vendburimet e mëdha të bakrit.
Nga ana tjetër, shkalla e përpunimit të mineraleve për të nxjerrë në treg produkte me vlerë të shtuar që do të shërbenin në industritë e avancuara, është në nivele minimale. Më shumë se 65% e sasisë së kromit të prodhuar shkon në eksport thjesht si mineral i papërpunuar dhe si produkt ferrokrom shkon vetëm rreth 8% deri 30% e sasisë së mineralit të prodhuar. Kapaciteti prodhues i ferrokromit në vendin tonë rezulton të jetë më i ulët se ai në periudhën para dhënies me koncesion të dy uzinave përpunuese, me një shfrytëzim kapaciteti përpunues në rreth 40%. Kjo situatë vazhdon e tillë, edhe pse çmimi i eksportit të ferrokromit në tregjet ndërkombëtare është 8 deri 11 herë më i lartë se çmimi i kromit, ndërsa vlera e eksporteve është rreth 2 herë më e madhe. Sa i përket mineralit të bakrit, shkalla e përpunimit arrin vetëm në koncentrat bakri dhe jo në produkte metalurgjike.
Përfitimet e shtetit shqiptar nga industria minerare janë minimale. Renta minerare, që përfshin një nga burimet kryesore të të ardhurave në buxhetin e shtetit, për mineralin e kromit u bë zero lekë për vitet 2021-2023. Kjo nismë ligjore, sipas ekspertëve, i ka kushtuar të ardhurave të buxhetit vendor rreth 15-20 milionë euro në tre vjet. Ç’është edhe më skandaloze, bashkitë vendore përfitojnë vetëm 5% të të ardhurave të shtetit nga renta minerare, duke bërë që zonat kryesore mineralmbajtëse, si Bulqiza, Hasi, Rubiku etj. të jenë ndër bashkitë më të varfra të vendit.
Ndërkohë që koncensionari më i madh i hekurit në vend (KURUM International) ankohet për vështirësi ekonomike duke hedhur në rrugë 500 punëtorë, sipas të dhënave të pasqyrave financiare të kësaj kompanie rezulton se fitimi i saj gjatë vitit 2023 ka qenë 4,462,168,911 lekë. Një veprim i tillë duket më shumë si një kërcënim ndaj shtetit shqiptar për të mbuluar skandalin e trafikimit të dy anijeve me 60 dhe 40 kontejnerë mbetjesh të rrezikshme, që u nisën fillimisht drejt Tajlandës, e që tani ndodhen të sekuestruara në Portin e Durrësit.
Edhe pse minierat përbëjnë mundësinë e vetme të punësimit për banorët lokalë, ato njëkohësisht janë kthyer në burime të vazhdueshme aksidentesh, shumë prej të cilave me pasojë vdekjen. Avancimi i punës në zonat e shfrytëzuara (kolonat e lëna për ruajtjen e objekteve sipërfaqësore dhe pjesë fundore të blloqeve të shfrytëzuar më parë) jo vetëm kanë dëmtuar vendburimet e njohura me mënyrën e shfrytëzimit, por vazhdojnë të krijojnë premisa për dëmtimin e shëndetit të punonjësve dhe aksidenteve fatale. Sipas statistikave zyrtare, gjatë tre mandateve kur ka qeverisur Edi Rama, numri i minatorëve të vdekur në vendin e punës është mbi 60 vetë. Për vitin 2023, sipas raportit të Inspektoratit të Punës, në miniera ka pasur 25 të aksidentuar nga të cilët një me pasojë vdekjen. Të dhënat nga bota dëshmojnë se jeta e një minatori shqiptar është 25 herë më e rrezikuar se ajo e një minatori në SHBA, 17 herë më e rrezikuar se e minatorit në Kinë, 10 herë më e rrezikuar se e minatorit në Peru dhe 8 herë më e rrezikuar se e minatorit në Afrikën e Jugut.
Propozimet
- Forcimi institucional dhe profesional i administratës publike dhe institucioneve në varësi të saj përmes promovimit të specialistëve të mirëfilltë në rangjet drejtuese dhe përmes ngritjes së infrastrukturës teknike. Kjo do të siguronte rritjen e kontrollit nga ana e shtetit e të gjithë aktivitetit nxjerrës dhe përpunues në vend, dhe njëkohësisht ruajtjen e marrëdhënieve korrekte me investitorët privatë vendas dhe të huaj.
- Rritja e aktivitetit të kërkim-zbulimit nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) duke përdorur teknologji moderne zbulimi për vendburime më të thella nga ato ekzistueset me potencial shfrytëzimi nga 10.000 deri në 50.000 tonë metal, si dhe rivlerësimi i rezervave ekzistuese me përmbajtje të ulët të mineralit. - Marrja e riskut nga shteti për kërkim-zbulimin do t’i hapte rrugën hartimit të një strategjie afatgjatë të sektorit dhe tërheqjen e investitorëve të huaj.
- Monitorim i vazhdueshëm dhe zbatim i kontratave koncensionare, sidomos në drejtimin e shfrytëzimit të qëndrueshëm të vendburimeve dhe sigurisë në punë.
- Promovimi i sektorit minerar përmes hartimit të studimeve të fizibilitetit nga bashkëpunimi ndërinstitucional mes institucioneve publike si AKBN, SHGJSH, FGJM, si dhe hartimi dhe publikimi vjetor i hartës metalogjenike dhe gjendjes së rezervave të xeherorëve të ndryshëm, duke bërë një vlerësim të tyre sipas standardeve ndërkombëtare.
- Hartimi i një strategjie të mirëfilltë për tërheqjen e investitorëve në sektorin minerar nga bizneset e vogla dhe të mesme për shfrytëzimin e vendburimeve më të vogla përmes zbatimit të politikave lehtësuese, të tilla.
- Furnizimi me energji elektrike me çmime preferenciale.
- Heqjen e procedurave të gjata burokratike për kompanitë përmes ndërmjetësimit të shtetit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.
- Lehtësimi i barrës tatimore për ato biznese që investojnë në teknologji dhe në rritjen e aftësive teknike të punëtorëve.
- Shtimi i kohëzgjatjes për lejet e kërkim-zbulimit nga 3 vjet në 6 vjet.
- Përfitimi i kredive të buta nga Banka Zhvillimore për blerjen e makinerive të nxjerrjes dhe të përpunimit.
- Sigurimi i infrastrukturës rrugore dhe i furnizimit me energji nga ana e shtetit.
- Shkurtimi i kostove dhe i procedurave burokratike për nxjerrjen e licencave të shfrytëzimit.
- Ofrimi i kurseve të specializimit pa pagesë nga FGJM për rritjen e kapaciteteve profesionale të inxhinierëve.
- Krijimi i kadastrës minerare dhe publikimi i zonave të lira për aktivitet minerar duke krijuar mundësi për rritjen e interesit të investimeve.
- Themelimi i një kompanie shtetërore për industrinë nxjerrëse të mineraleve kryesore, për të rritur konkurrueshmërinë në treg me operatorët privatë.
- Përdorimi i një buxheti prej 400 milionë dollarësh nga Fondi Sovran në bashkëpunim me investitorë të huaj për ngritjen e një kombinati metalurgjik me 51% të aksioneve në pronësi të shtetit, për përpunimin e mineralit të bakrit në shkrirje, rafinim dhe përpunim e metali. Shteti do duhet të bëjë rinegocimin e kontratave me aktorët privatë për furnizimin e kombinatit (deri në masën 80%) me koncentrat bakri, me opsionin edhe për importimin nga vende të rajonit, si p.sh. Kosova. Paralelisht, intensifikimi i kërkim-zbulimit mund të rrisë rezervat e rikuperueshme deri në 30-40 milionë tonë.
- Rishikimi i licencave për shfrytëzimin e mineraleve dhe pezullimin e atyre
- Rinegocimi i kontratave me kompanitë nxjerrëse dhe përpunuese të kromit për kanalizimin e koncentratit të kromit drejt fabrikave të ferrokromit, duke bërë të mundur rritjen e vlerës së shtuar nga shitja e këtij minerali.
- Rinegocimi i kontratës koncensionare me KURUM International, ku do të rivlerësohet rentabiliteti ekonomik i kësaj kompanie, si dhe do të përforcohen kontrollet e institucioneve shtetërore për mbetjet toksike që prodhon kjo kompani.
- Nisja e një projekti-pilot për riaktivizimin e një miniere shtetërore të qymyrgurit dhe për shfrytëzimin e tij në industrinë e prodhimit të çimentos dhe në përdorimin e termocentraleve të vegjël deri në 5 MW, me djegie në temperatura të ulëta 800-900 gradë C dhe me impiant të pastrimit të tymrave që mënjanon ndotjen e mjedisit.
- Rritja e sigurisë në vendin e punës përmes hartimit dhe miratimit të “pemës minerare” të shfrytëzimit të galerive, duke përcaktuar qartazi me koordinata lokale kufijtë e zonave të rrezikshme, kufijtë e zonave minerare të lejuara për shfrytëzim, së bashku me rrugët e lëvizjes, drejtimin, kohëzgjatjen dhe radhën e shfrytëzimit, etj.
- Respektimi i rreptë i rregullores së sigurimit teknik.
- Miratimi i Statusit të Minatorit, që do tësiguronte disa të drejta themelore për minatorët në gjendje pune dhe ata në moshë pensioni.
- Rritja e përqindjes së të ardhurave nga renta që i kalon pushtetit lokal nga 5% në 15%.
II.Industria tekstile dhe e këpucëve
Gjendja aktuale
Që prej vitit 2013 industria tekstile dhe e këpucëve në Shqipëri ka ardhur duke u zgjeruar e duke u bërë një ndër sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare. E bazuar kryesisht në modelin fason atë të përpunimit të lëndës së parë që më pas eksportohet te porositësit e huaj kjo industri përbën rreth 30% të eksporteve të vendit. Një numër shumë i vogël i kompanive të përpunimit të këpucëve ia kanë dalë që të kalojnë me cikël të plotë prodhimi, pra me një produkt të përfunduar që del në treg me logon Made in Albania. Njëkohësisht, ky është një ndër sektorët me punësimin më të lartë në vend i cili në vitin 2023 numëronte mbi 740 kompani ku punonin rreth 60.000 punëtorë, kryesisht gra. Në shumë prej zonave periferike dhe rurale të vendit ndërmarrjet fasone janë e vetmja mundësi punësimi e të ardhurash për banorët, sidomos për gratë.
Megjithatë, kriza që ka kapluar mbarë sektorin e industrisë prodhuese prej vitit 2023 ka shfaqur simptomat e saj edhe në industrinë fasone. Në vitin 2024 ky sektor pësoi një tkurrje të paprecedent: eksportet e veshjeve dhe këpucëve pësuan rënie me 16.5% në vlerë, teksa punësimi në fabrika pësoi rënie me rreth 20%, duke shkaktuar humbjen e rreth 11 mijë vendeve të punës. Në shkurt të vitit 2024, qeveria shqiptare njoftoi me pompozitet lëshimin e një garancie sovrane prej 4 miliardë lekësh me interesa të ulëta për t’i ardhur në ndihmë biznesit fason. Megjithatë, efekti i saj në sektor ishte i parëndësishëm për dy arsye: e para, sepse shpërndarja e saj përmes bankave private u bë brenda një intervali kohor shumë të ngushtë nga muaji gusht deri në tetor 2024; e dyta, sepse prej saj mund të përfitonin vetëm ato pak biznese që prodhojnë me cikël të plotë dhe jo pjesa më e madhe e bizneseve që prodhojnë me porosi. Për vitin 2025 ekspertët parashikojnë falimentimin e shumë prej bizneseve fasone, me pasoja të rënda në ekonomi dhe në punësim.
Problemet kryesore
Duke qenë tërësisht i orientuar nga eksporti dhe meqenëse shumë prej kontratave me porositësit nga jashtë vendit janë lidhur në valutën euro, biznesi fason është prekur rëndë nga rënia e euros në raport me lekun. Kjo situatë ka sjellë rënien e xhiros mujore me 20-25%, çka ka detyruar bizneset që të reduktojnë linjat e prodhimit. Efekti shkatërrimtar i rënies së euros në industrinë e vendit është mohuar publikisht nga kryeministri Edi Rama.
Mungesa e subvencioneve të efetkshme dhe e politikave fiskale lehtësuese nga shteti shqiptar, ka bërë që rritja e kostove të prodhimit t’i zhvendosë klientët historikë të Shqipërisë drejt vendeve të tjera, si ato të Afrikës Veriore, ku kostot e prodhimit janë më të ulëta. Buxheti i miratuar për vitin 2025, i cili nuk u shoqërua nga një paketë fiskale, nuk parashikon mbështetjen e biznesit prodhues dhe eksportues që vuan nga mungesa e likuiditetit, e që për pasojë nuk mund të bëjë diversifikimin e impianteve prodhuese apo të mënyrës së prodhimit.
Nga ana tjetër, shteti shqiptar nuk ka nënshkruar marrëveshje bilaterale me vendet nga ku merret lënda e parë për industrinë fasone. Të tilla marrëveshje do të mund të ulnin kostot dhe të lehtësonin ndjeshëm barrën mbi prodhuesit vendas. Gjithashtu, marrëveshjet tregtare me vendet e Bashkimit Evropian do të mundësonin aksesin e bizneseve shqiptare në tregjet evropiane.
Kriza e përgjithshme e sektorit reflektohet edhe te marrëdhëniet në vendin e punës, ku për shkak të mosrespektitimit të të drejtave që sanksionon Kodi i Punës, punëtoret e fabrikave kanë bojkotuar prodhimin në dhjetëra raste. Kushtet e punës janë të vështira, ku vetëm 35% e kompanive në sektorin tekstil (rreth 160) dhe 15% e kompanive në sektorin e këpucëve (rreth 40) janë certifikuar sipas standardit ndërkombëtar të sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës, ISO 45001. Kjo situatë, e shoqëruar edhe me pagat e ulëta, ka sjellë një mungesë të rëndësishme të krahut të punës.
Propozimet
Vizioni i Lëvizjes BASHKË për rimëkëmbjen e sektorëve të industrisë tekstile dhe të këpucëve bazohet te një strategji e mirëfilltë për mbështetjen e bizneseve prodhuese dhe eksportuese, bazuar në:
- Bashkërendimin me Bankën e Shqipërisë për marrjen e të gjitha masave të nevojshme për kufizimin e qarkullimit të valutës së euros në tregun shqiptar.
- Subvencionimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme përmes Bankës Zhvillimore për blerjen e lëndës së parë dhe orientimin e tyre drejt një linje prodhimi me cikël të plotë, duke bërë të mundur daljen në treg me markat shqiptare.
- Mbështetjen e bizneseve të mëdha për automatizimin e procesit të prodhimit dhe rinovimin e makinerive. Kjo mbështetje do të kushtëzohet nga dy faktorë: a) garantimi i cilësisë së mallrave si produkte eksporti, dhe b) implementimi i standardit ndërkombëtar ISO 45001 për sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve në vendin e punës.
- Nisjen e bisedimeve për lidhjen e marrëveshjeve bilaterale me vendet nga importohet lënda e parë për industrinë fasone dhe unifikimin e legjislacionit shqiptar me legjislacionin e BE për të mundësuar aksesin e markave shqiptare në tregjet evropiane.
- Promovimi i produkteve Made in Albania nëpër panairet ndërkombëtare.
III.Industria e lehtë ushqimore
Industria ushqimore agro-përpunuese është ndër sektorët më të rëndësishëm të industrisë dhe sektori me më shumë potencial zhvillimor afatgjatë për vendin dhe për ekonominë e Shqipërisë. Ajo është e lidhur ngushtësisht dhe e ndërvarur nga sektorë të tjerë kyç si bujqësia, blegtoria e turizmi, dhe shërben si një pikë ndërlidhjeje mes tyre: grumbullimi i produkteve bujqësore dhe blegtorale vendase dhe përpunimi i tyre mundëson një vlerë të shtuar për prodhuesit dhe për ekonominë shqiptare. Njëkohësisht, ajo përbën bazën për ngritjen e një agroturizmi cilësor dhe të qëndrueshëm, si dhe për eksportimin e produkteve cilësore që mbajnë logon Made in Albania.
Megjithatë, në kushtet e keqqeverisjes aktuale industria e përpunimit të ushqimeve gjendet në prag të falimentit. Edhe pse Shqipëria është një vend me traditë të gjatë në kultivimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale të cilësisë shumë të lartë, si produktet e mishit, të peshkut, të qumështit dhe të bimëve të ndryshme, mungesa e vëmendjes së shtetit sa i përket subvencioneve dhe politikave fiskale që favorizojnë produktin vendas ka futur në krizë mbarë industrinë e përpunimit të ushqimeve. Mungesa e produktit vendas i ka shtyrë përpunuesit që t’i drejtojnë sytë drejt lëndës së parë që vjen nga importi.
Për vitin 2023 vlera e shitjeve të produkteve industriale ushqimore të përpunuara kapi shifrën 43,500 milionë lekë, duke pësuar një rënie me rreth 5% krahasuar me një vit më parë. Në të njëjtin interval kohor, numri i krerëve të gjedhëve ra me 11%, i derrave me 16% dhe i pulave me 2%; sasia e qumështit të grumbulluar ra me 8%; eksportet e produkteve të peshkut ranë me 4.7%. Të përballur me këtë situatë, prodhuesit e industrisë kanë apeluar shumë herë për ndërhyrjen e shtetit shqiptar në sektor, deri tani pa një përgjigje konkrete.
Problemet kryesore
Dy faktorët kryesorë që kanë goditur të gjitha degët e industrisë ushqimore agro-përpunuese kanë qenë mungesa e fuqisë punëtore dhe zhvlerësimi i euros në raport me lekun. Hemorragjia e vazhdueshme jashtë vendit, fenomen ky i përhapur sidomos te popullata në moshë pune, e ka ndikuar negativisht sektorin si nga vështirësia në gjetjen e punëtorëve, ashtu edhe nga perspektivat e konsumit të mallit që nxirret në tregun vendas. Nga ana tjetër, rënia drastike që ka pësuar valuta e euros në raport me lekun ka sjellë uljen e fitimeve për ata prodhues që e eksportojnë produktin e tyre.
Një tjetër faktor i rëndësishëm që e ul ndjeshëm konkurrueshmërinë është TVSH prej 20%, ndërkohë që për prodhuesit në vendet e rajonit kjo taksë është në masën 5-7%, duke u dhënë atyre një avantazh të konsiderueshëm në raport me prodhuesit shqiptarë. Madje edhe kompensimi i pjesshëm i TVSH që u bëhej produkteve të bulmetit u hoq në vitin 2022 me pretendimin se do të kompensohej nga subvencionet shtetërore.
Mungesa e unifikimit të legjislacionit vendas me atë të Bashkimit Evropian sa i përket sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së investimeve, ka privuar prodhuesit shqiptarë nga mundësia e eksportimit të produkteve të tyre drejt vendeve të BE dhe ka kufizuar investimet e huaja në këtë sektor. Kjo situatë vazhdon prej 18 vjetësh (prej nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit në vitin 2006) dhe sjell efekte negative zinxhir, prej rënies së investimeve të huaja te mungesa e konkurrueshmërisë në rajon e deri te rënia e produktit të blegtorisë në vend. Një tjetër faktor që pengon eksportin drejt tregjeve evropiane është mungesa e laboratorëve të akredituar për kryerjen e analizave të produkteve ushqimore sipas standardeve të BE.
Sa i përket industrisë së përpunimit të mishit, qeveria shqiptare që prej vitit 2006 ka vendosur një taksë 10% për importin e mishit si lëndë e parë në vend, me justifikimin e mbrojtjes së produktit vendas të mishit. Megjithatë, në mungesë të politikave të tjera subvencionuese, kjo masë ka rezultuar totalisht e paefektshme për nxitjen e produktit vendas. Ajo është vetëm një kosto shtesë për industrinë, çka ul konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare në raport me prodhuesit në rajon.
Nga ana tjetër, mungesa e fermave të rritjes së derrave në vend e ka detyruar industrinë e përpunimit të mishit të varet thuajse totalisht nga mishi i importit që vjen nga Brazili, kostoja e të cilit është 35-38% më e ulët sesa produktet e importuara nga BE apo SHBA. Megjithatë, te mishi i derrit që vjen nga Brazili është evidentuar prania e substancës së dëmshme raktopaminë, e cila është e ndaluar në BE, Rusi dhe Kinë. Kjo ka bërë që në mungesë të laboratorëve për kryerjen analizave, shëndeti i konsumatorit shqiptar të vihet në rrezik, por edhe që produktet industriale të derrit që prodhohen në Shqipëri të mos eksportohen dot drejt tregjeve evropiane.
Industria e përpunimit të peshkut përballet me kufizimet e vendosura nga BE sa i përket kuotave të eksportit të peshkut të përpunuar drejt tregut evropian në vetëm 1600 tonë në vit, teksa tejkalimi i kuotave shoqërohet me taksimin e produktit me 25%. Deri më tani qeveria shqiptare ka qenë e paaftë të rinegociojë kuotat me Bashkimin Evropian.
Propozimet
-
Zgjidhja e nevojshme për nxjerrjen e sektorit të industrisë ushqimore agro-përpunuese nga situata në të cilën ndodhet nuk mund të kufizohet vetëm në masat e marra brenda sektorit, por ajo duhet të shoqërohet me politika zhvillimore të ndërlidhura edhe me sektorët e bujqësisë, blegtorisë, me subvencione shtetërore dhe me masa të politikave fiskale që i japin përparësi produktit industrial vendas. Propozimet e Lëvizjes BASHKË janë si më poshtë:
-
Bashkërendimi me Bankën e Shqipërisë për marrjen e të gjitha masave të nevojshme për kufizimin e qarkullimit të valutës së euros në tregun shqiptar dhe rritjes së saj në raport me lekun.
-
Subvencionimi nga ana e shtetit përmes Bankës Zhvillimore për një periudhë 5-vjeçare e sipërmarrjeve të reja për përpunimin e mishit, peshkut, bulmetit dhe bimëve mjekësore, me kushtin që të përdoret produkti vendas si lëndë e parë të paktën deri në masën 70%.
-
Ngritja e laboratorëve të akredituar sipas standardeve të Bashkimit Evropian pranë institucioneve publike të Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT) dhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) për kryerjen e të gjitha analizave të nevojshme dhe për certifikimin e produkteve shtazore dhe bimore. Kjo masë do të mundësonte njëkohësisht mbrojtjen e konsumatorit shqiptar përmes mbikëqyrjes së sigurisë ushqimore dhe lehtësimin e eksportimit të produkteve vendase drejt BE.
-
Unifikimi me hapa sa më të shpejtë i legjislacionit shqiptar me legjislacionin e BE, duke mundësuar thithjen e investimeve të huaja në sektor dhe lehtësimin e eksporteve të produktit vendas drejt tregjeve evropiane.
Rinegocimi me BE i kuotave të eksportit të peshkut të përpunuar drejt tregut evropian nga 1600 tonë në 4000 mijë tonë në vit. -
Në afatmesëm, heqja e taksës 10% për importuesit e mishit për të rritur konkurrueshmërinë me vendet e rajonit. Kjo masë do të shoqërohet me subvencione nga shteti shqiptar dhe nga Bashkimi Evropian për shtimin e konsiderueshëm të blegtorisë vendase, me synimin afatgjatë për ta kthyer atë në furnizuesen kryesore të industrisë së përpunimit me lëndë të parë.