Programi qeverisës

2. Shteti social

Shteti social është një prej arritjeve më të mëdha të njerëzimit, i cili është bërë i mundur nëpërmjet ndërthurjes së zhvillimit të hovshëm ekonomik dhe politikave rishpërndarëse që trajtojnë me përparësi më të varfrit dhe shtresat e margjinalizuara në tërësi. Rëndësia e shtetit social shkon përtej luftës ndaj varfërisë dhe mbështetjes së njerëzve në nevojë. Sigurimi i të drejtave sociale është parakusht i gëzimit të barabartë të të drejtave civile he politike të qytetarëve dhe, rrjedhimisht, një prej shtyllave më të rëndësishme të demokracisë.

Modelet e shtetit social janë të larmishme, duke nisur nga ai i shteteve të Evropës veriore. Në to shteti social shtrihet në dimensionet e veta më të mëdha, duke përfshirë edhe politikat shëndetësore, arsimore, të strehimit etj., dhe nga ana tjetër përfituesit e këtij modeli janë shumica dërrmuese e shoqërisë, duke përfshirë edhe shtresën e mesme. Modeli i vendeve të Evropës qendrore dhe perëndimore mbështetet më shumë në kontributet e sigurimeve shoqërore dhe politikat e kujdesit social reflektojnë forcën e shtresave të organizuara të punëtorisë. Ndërkohë që modeli i vendeve anglo-saksone është më i kufizuar në përkrahjen e shtresave të margjinalizuara dhe sheh me përparësi integrimin e shpejtë të të margjinalizuarve në tregun e punës. Afërmendsh, vendet me probleme më të mëdha të zhvillimit ekonomik dhe social vuajnë nga zbatimi i modeleve të shpërfytyruara të shtetit social, të cilat ndërthurin nivelin shumë të ulët të mbështetjes sociale me logjikën klienteliste të shpërndarjes së kësaj mbështetjeje. Programi qeverisës i Lëvizjes BASHKË synon të integrojë në mënyrë organike aspektet më përparimtare të tri modeleve të mësipërme të shtetit social.

Kapitujt