Programi qeverisës

2. Shteti social

2.6 Mjedisi

Problemet mjedisore, veçanërisht në dekadat e fundit, kanë arritur përmasat e një krize mjedisore globale të shumanshme, e cila ka të bëjë me ndryshimet klimatike, biodiversitetin, burimet natyrore, cilësinë e ajrit, ujit, tokës, shpyllëzimin, ndotjen, zhurmën etj. Ndërhyrja pa asnjë kriter për devijimin e rrjedhës së lumenjve kryesorë të vendit dhe shfrytëzimin e tyre për hidrocentrale me kapacitete të vogla, që nuk i sjellin ndonjë përfitim qytetarëve nga pikëpamja energjetike, është një dëshmi e qartë e kësaj tendence. Për më tepër, dhënia me koncesion për ndërtim të ishullit të Sazanit dhe zonës së Zvërnecit, të dyja parqe kombëtare në Shqipëri, ashtu si dhe me dhjetëra gurore që shkatërrojnë natyrën dhe ndotin ambientin, shërbejnë si shembuj të një dëmi të parikuperueshëm që po i bëhet natyrës shqiptare.

Shqipëria, gjithashtu, shfaq një radhë problemesh mjedisore, të cilat duhen përballur për të ruajtur cilësinë e mjedisit dhe mirëqenies shoqërore në afatgjatë. Në anën tjetër prej dekadash, shumë institucione ndërkombëtare, shtete dhe agjenci prestigjioze kanë ngritur në nivelin më të lartë të politikëbërjes një sërë parimesh mjedisore, si parimi i zhvillimit të qëndrueshëm, parimi ndotësi paguan, parimi i masave parandaluese, parimi i barazisë dhe drejtësisë mjedisore, informimi i publikut dhe palëve të interesuara etj. Në këtë kuadër, edhe vendi ynë në dekadat e fundit në tërësi ka përparuar dukshëm me miratimin e një legjislacioni mjedisor gjithnjë e më të pasur dhe të përafruar me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Pavarësisht kësaj, gjendja e mjedisit në Shqipëri mbetet mjaft problematike dhe rrezikon të përkeqësohet nëse nuk zbatohen politikat e duhura, ligji të mbetet në letër dhe praktikat grabitqare dhe korruptive vazhdojnë të pashqetësuara.

I. Gjendja dhe problemet kryesore

Problemet dhe sfidat më të mprehta mjedisore janë shtjelluar shkurtimisht edhe në raportin e vitit 2024 të Bashkimit Evropian për Shqipërinë. Vendi ynë përballet me një sërë problemesh mjedisore, nga të cilat më kryesoret:

Zonat e mbrojtura

Mjediset natyrore tokësore dhe ujore, veçanërisht në zonat turistike, rrezikohen nga tjetërsimi dhe fragmentimi i habitateve, rrjedhimisht me humbje të biodiversitetit dhe shërbimeve të ekosistemeve. Sa i takon humbjes së biodiversitetit, nga ekspertët vlerësohet se numri i kafshëve dhe bimëve të rralla apo të rrezikuara ka ardhur duke u rritur. Megjithatë, duhet theksuar se proceset e inventarizimit dhe monitorimit të biodiversitetit janë ende shumë larg standardeve të pritshme. Po ashtu mbishfrytëzimi i burimeve natyrore është një problem i mprehtë. Për shembull mungon kontrolli rigoroz për grumbullimin e bimëve mjekësore, gjuetinë, peshkimin, akuakulturën etj.

Shqipëria ka një mjedis natyror mjaft të pasur, i cili duhet të mbrohet për të siguruar integritetin ekologjik të tyre, por edhe për të siguruar mirëqenien shoqërore të brezave të tashëm dhe të ardhshëm. Sistemi i Zonave të Mbrojtura në Shqipëri mbulon sot rreth 22% të territorit, me 12 Parqe Kombëtare (tokësore) dhe 1 PK Detar (Kategoria II e IUCN), 719 Monumente Natyrore (Kategoria III), 34 Rezerva Natyrore të Menaxhuara Parqe Natyrore Bashkiake (IV), 5 Peizazhe të Mbrojtura (V) dhe 4 Burime të Menaxhuara (VI). Për më tepër, sistemi ZM-ve përfshin 4 zona të Trashëgimisë Botërore dhe 1 Rezervë Biosfere (UNESCO), 4 zona Ramsar, 45 Zona të Rëndësishme Bimore (IPAs) dhe 16 Zona të Rëndësishme Shpendësh (IBAs). Megjithatë, është tepër shqetësues ndryshimi i ligjit për Zonat e Mbrojtura në shkurt 2024 nga Kuvendi i Shqipërisë (Ligji nr. 21/2024 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 81/2017 Për Zonat e Mbrojtura”). Ky ligj është kundërshtuar nga mjaft ekspertë të mjedisit, organizata mjedisore, por edhe institucione ndërkombëtare. Ndryshimi më domethënës i ligjit është fakti se të gjitha kategoritë e Zonave të Mbrojtura, edhe në zonat e tyre qendrore, mund të zhvillohen për 'aktivitete infrastrukturore dhe mikpritëse, me standardet më të larta arkitekturore dhe mjedisore për mbështetjen e turizmit të ekselencës (me 5 yje) dhe infrastrukturës përkatëse' (të njohura si investime strategjike). Por kjo ngre shqetësime për mbrojtjen e biodiversitetit, pasi mund të lejojë investime të mëdha turistike dhe industriale brenda zonave të mbrojtura. Neni 13 i Ligjit 81/2017 për zonimin e ZM-ve është anuluar. Edhe autoriteti i institucionit të sotëm drejtues, Agjencisë Kombëtare të ZM-ve (AKZM), është zbehur. Më shumë autoritet i besohet Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT), i cili është një organ kolegjial në varësi të Këshillit të Ministrave, i kryesuar nga kryeministri. Ligjin 21/2024 e centralizon qartë procesin e mbrojtjes në një organ joprofesional, në kundërshtim me misionin e ligjit 81/2017, por edhe me direktivat e BE dhe standardet e IUCN. Lëvizja BASHKË do të rishikojë ligjin për Zonat e Mbrojtura duke u mbështetur në praktikat më të mira të Bashkimit Evropian.

Menaxhimi i mbetjeve urbane, inerte dhe industriale

Në Shqipëri nuk bëhet ndarja e diferencuar në burim e mbetjeve urbane, ndërsa riciklimi i mbetjeve është në nivele të ulëta. Në anën tjetër trajtimi i mbetjeve mbështetet gjerësisht në depozitimin në landfille, praktikë kjo më pak e dëshiruar në hierarkinë e trajtimit të mbetjeve; për më tepër, një numër i konsiderueshëm landfillesh operojnë jashtë standardeve mjedisore duke përbërë rrezik për shëndetin e komuniteteve që jetojnë pranë tyre. Për shembull, një raport i fundit i Kontrollit të lartë të Shtetit i cili ka marrë në analizë katër bashki, Durrës, Vlorë, Korçë dhe Shkodër del në përfundim se këto bashki nuk kanë përmirësuar situatën e menaxhimit të mbetjeve dhe nuk kanë siguruar qëndrueshmërinë financiare, pasi të ardhurat e grumbulluara nga tarifat e pastrimit nuk mbulojnë kostot e nevojshme. Po ashtu vlen të theksohet se në shumë zona rurale shumë mbetje depozitohen në vende të paligjshme. Ndërsa projektet e incineratorëve nuk kanë prodhuar asgjë më shumë sesa megaskandale korruptive. Menaxhimi i mbetjeve duhet trajtuar si emergjencë kombëtare.

Ndotja e ajrit

Ndotja e ajrit është një problem i madh mjedisor për disa qytete të mëdha të vendit si Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Fier dhe Shkodër. Sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit, çdo vit në Shqipëri vdesin 5,410 qytetarë nga sëmundje të shkaktuara prej ndotjes së ajrit. Kjo vdekshmëri është 2.6 herë më e lartë se mesatarja e vendeve të Evropës. Përmasat e këtij krimi urban janë më të theksuara në Tiranë. Lëvizja BASHKË e ka pasur në qendër të vëmendjes dhe të aksionit të saj politik këtë çështje, si në programin për zgjedhjet vendore në Tiranë në vitin 2023, por veçanërisht me fushatën “Po na marrin frymën” e ndërmarrë në pranverën e shkuar dhe nënshkrimin e peticionit prej mbi 10 mijë qytetarësh.

Burimet ujore

Vendi ynë është i pasur me burime ujore të shumta si lumenj, liqene, ligatina dhe ujëra nëntokësorë të cilat kërkojnë një qasje strategjike për t’i menaxhuar në mënyrë të qëndrueshme për të përballur si efektet e ndotjes në cilësinë e tyre, ashtu edhe ndryshimet klimatike të cilat do të sjellin pasoja në sasinë e ujërave në dekadat e ardhshme, në rrezikun e përmbytjeve dhe thatësirave, si dhe mbishfrytëzimin. Me mbështetjen e BE përmes Agjencisë Austriake të Zhvillimit (ADA), Shqipëria ka miratuar së fundmi një ligj të ri (Nr. 29/2024) për burimet ujore. Në relacionin shoqërues të projektligjit theksohet se “Në procesin e integrimit evropian arritja e standardeve të BE-së në sektorin e ujit konsiderohet si një nga proceset më të vështira dhe të kushtueshme”.

Ndryshimet klimatike

Ndryshimet klimatike që kanë prekur edhe vendin tonë janë qartazi të dukshme, për shembull janë shtuar valët e të nxehtit në verë, periudha të zgjatura të thatësirës, reshje në formë shtrëngatash etj. Edhe pse vendi ynë nuk është “fajtor” për ndryshimet klimatike në nivel global, pashmangshmërisht do të vuajë pasojat e tyre, si rreziku i përmbytjeve, reduktimi i rezervave ujore, rritja e kostove ekonomike etj. Prandaj është e domosdoshme që ndryshimeve klimatike t’u kushtohet vëmendja e duhur, si për të ulur shkarkimet e gazeve serë, por edhe për të rritur përshtatshmërinë në të ardhmen.

II. Alternativa e Lëvizjes BASHKË

Lëvizja BASHKË përqafon një model zhvillimi ekonomik, i cili është i qëndrueshëm. Në këtë kuptim, ruajtja e mjedisit është një e mirë publike e cila do të jetë prioritet në vizionin tonë për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Lëvizja BASHKË do të sendërtojë një etikë mjedisore që ndërthur dhe ekuilibron interesat social-ekonomike në njërën anë, me shëndetin dhe qëndrueshmërinë e ekosistemeve në anën tjetër, duke pranuar në këtë mënyrë parimet ekologjike të kapacitetit mbajtës dhe asimilues. Ballafaqimi dhe parandalimi i problemeve mjedisore duhet të jetë gjithmonë një qasje e integruar dhe holisitike e shumë komponentëve ndërveprues. Për këtë qëllim një sërë objektivash të përgjithshme dhe afatgjata do të marrin angazhimin maksimal:

  1. Fuqizimi i institucioneve që kanë përgjegjësi mbrojtjen, kontrollin dhe monitorimin e burimeve natyrore dhe gjendjes së mjedisit. Në këtë kuadër do të rritet mbështetja financiare për të siguruar kapacitetet logjistike dhe njerëzore të nevojshme për Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Agjencinë e Menaxhimit të Burimeve Ujore, Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizime etj. Pa institucione të fuqishme ligjzbatuese mbrojtja e mjedisit dhe parandalimi i përkeqësimit është i pamundur.
  2. Rishikimi i kontratave koncesionare: përfitimi ekonomik i atypëratyshëm nga turizmi masiv, i cili shkakton një dëm të parikuperueshëm në natyrë dhe i zhvlerëson zonat turistike nga pikëpamja ekonomike në afatgjatë, nuk mund të jetë rruga e duhur për zhvillimin e turizmit në vend. Ne nuk mund të lejojmë që betonizimi që i ndodhi plazhit të Durrësit, zaptimi i rërës nga mega-resorte luksoze, t’i ndodhë edhe bregdetit të Jonit, Thethit, Valbonës, Nartës, Zvërnecit, e të gjitha mrekullive natyrore të vendit tonë. Guroret që kanë mbirë nga të katër anët nuk mund të vazhdojnë të kafshojnë pafundësisht peizazhin e kodrave, kanioneve e luginave të Shqipërisë. Prandaj Lëvizja BASHKË zotohet se do të rishqyrtojë të gjitha lejet e dhëna në trajtë koncensionesh apo PPP të cilat potencialisht shkaktojnë dëm mjedisor. Nga ana tjetër, do të rriten subvencionet për zhvillimin e turizmit lokal tradicional, që i jep përparësi zhvillimit të kapacitetit të komuniteteve lokale dhe ruajtjes së traditës së mikpritjes që është endemike në shoqërinë tonë.
  3. Mbështetur në parimin ndotësi paguan, Lëvizja BASHKË do të shqyrtojë me kujdes dhe do të vendosë modelet më të drejta të taksave mjedisore. Shpenzimet e Shqipërisë për mbrojtjen e mjedisit janë sa 0.33% e PBB-së së vitit 2022. Ndërsa mesatarja e vendeve të rajonit për këtë shpenzim është sa 0.63% e PBB-së. Shqipëria shpenzon për mbrojtjen e mjedisit 0.30% më pak se mesatarja e vendeve të rajonit. Taksat mjedisore të aplikuara në Shqipëri do të alokohen ekskluzivisht për rritjen e buxhetit të mjedisit.
  4. Rritja e performancës mjedisore të kompanive private dhe institucioneve publike të cilat kanë ndikim negativ në mjedis. Për këtë do të përmirësohet kuadri ligjor për të bërë të detyrueshëm menaxhimin mjedisor të aspekteve mjedisore mbështetur në praktikat më të mira të Bashkimit Evropian, si uljen e mbetjeve, të shkarkimeve, përmirësimin e praktikave të riciklimit, uljen e shfrytëzimit të burimeve dhe energjisë.
  5. Do të përmirësohet zbatueshmëria e legjislacionit për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis dhe Vlerësimin Strategjik Mjedisor në të gjitha hallkat e këtyre proceseve komplekse dhe të vështira, të cilat deri më sot kanë shfaqur problematika serioze. Duke njohur konfliktin ekonomi-mjedis, Lëvizja BASHKË do të aplikojë konceptin e kosto-përfitimit total. Në këtë kuptim, do të peshohen me kujdes përfitimet ekonomike (zakonisht private) karshi kostove (zakonisht publike) për të gjetur baraspeshën e duhur të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm. Kjo kërkon gjithashtu që të përdoren metodat bashkëkohore të vlerësimit monetar të shërbimeve të ekosistemit dhe të eksternaliteteve negative të agjentëve ekonomikë.
  6. Etika mjedisore: Për t’u përballur me krizën mjedisore është e domosdoshme që qytetarët të kenë një formim të etikës mjedisore të shëndoshë, duke synuar jo vetëm një etikë të re të sjelljes konsumatore, por mbi të gjitha pjesëmarrjen e gjerë të shoqërisë në njohjen, vlerësimin dhe vendimmarrjen mjedisore. Për këtë arsye duhet kultivuar një etikë mjedisore e fortë në formimin qytetar. Lëvizja BASHKË do të mbështesë një kurrikulë të vazhduar dhe të fuqishme të edukimit mjedisor në të gjitha nivelet e edukimit parauniversitar, si dhe do të mbështesë projekte kulturore, mediatike dhe të organizatave mjedisore që kontribuojnë në këtë drejtim.
  7. Rishikimi dhe përditësimi i strategjive ekzistuese të sektorëve të rëndësishëm të ekonomisë me qëllimin e vendosjes së qëllimeve mjedisore në vëmendjen e duhur.

Krahas këtyre masave të përgjithshme, Lëvizja BASHKË do të ketë prioritet:

  1. Zonat e Mbrojtura
    Zonat e Mbrojtura janë në presionin e aktivitetit ekonomik, veçanërisht nga sektori i turizmit, për këtë arsye do të rishikohet ligji nr. “81/2017 Për Zonat e Mbrojtura”, duke ndjekur praktikat më të mira të vendeve të Bashkimit Evropian.

  2. Menaxhimi i Mbetjeve
    Lëvizja BASHKË do të mbështesë projekte të reduktimit, ripërdorimit, ndarjes në burim dhe riciklimit të mbetjeve përpara incinerimit dhe depozitmit në landfille. Riciklimi i mbetjeve do të jetë një aktivitet ekonomik i rëndësishëm dhe fitimprurës, si dhe do të nxiten projekte për një ekonomi qarkulluese.

  3. Kontrolli i ndotjes/Reduktimi i ndotjes të ajrit, ujit dhe tokës.

  4. Ekosistemet detare
    Megjithëse vitet e fundit ka rritje dhe përmirësim të dukshëm në studimet e ekosistemve ujore, përsëri shkalla e njohjes së biodiversitetit ujor, sidomos atij detar, është mjaft e kufizuar. Biodiversiteti në ekosistemin detar, në liqene dhe lumenj paraqet vështirësi studimi për vetë kushtet e veçanta në terren që kërkojnë këto studime, por edhe për shkak të traditës së kufizuar në këto lloj studimesh në Shqipëri, si dhe kufizimeve të mëdha financiare. Në Shqipëri nuk ka një institucion kërkimor të posaçëm për studimet detare, inventarizimet dhe monitorimet shkencore për mjedisin detar janë shumë të varfra, të rralla dhe të kryera vetëm për zonën bregdetare. Të dhënat për detin e hapur dhe thellësitë detare janë sporadike dhe informacioni ekzistues është shumë i pakët. Në anën tjetër, ekosistemet detare, përtej ndryshimeve klimatike, gjenden në një kërcënim të shtuar si rrjedhojë e urbanizimit intensiv në zonat bregdetare, turizmit masiv, peshkimit, transportit detar dhe ndotjes së lumenjve. Lëvizja BASHKË do të hedhë hapa konkretë më ngritjen e kapaciteteve për njohjen dhe mbrojtjen e ekosistemeve detare.

  5. Ndryshimet klimatike
    Do të mbështetet dekarbonizimi i ekonomisë, veçanërisht në sektorin e transportit, por edhe duke u dhënë mbështetje projekteve të prodhimit të energjisë së gjelbër, eficiencës energjetike, kursimit të energjisë etj. Më tej do të synohet ulja e shkarkimeve të gazeve serë. Po ashtu do të mbështeten projekte kërkimore që hulumtojnë dhe përgatisin shoqërinë rreth rritjes së përshtatshmërisë prej ndryshimeve klimatike.