Programi qeverisës

4. Pjesëmarrja Demokratike

Demokracia është e vetmja mënyrë e ndershme dhe efikase qeverisëse. Lëvizja BASHKË, duke respektuar karakterin modern të institucioneve përfaqësuese, është e mendimit se demokratizimi i plotë i një shoqërie kërkon një pjesëmarrje sa më të gjerë dhe cilësore të qytetarëve në proceset e vendimmarrjes politike, duke zbatuar kësisoj elementë të demokracisë së drejtpërdrejtë.

Demokracia nuk është vetëm një sistem politik. Ajo ka nevojë të shtrihet edhe në aspekte të rëndësishme të jetës shoqërore, duke nisur nga vendi i punës. Pa sigurimin e të drejtave të punëtorëve dhe pa ngritur nivelin e përfaqësimit të punëtorëve në vendin e punës dhe institucionet publike, demokracia do të mbetet e gjymtuar dhe në rrezik shpërbërjeje.

Demokracia fuqizohet përmes zhvillimit të një kulture politike që bazohet te kërkesa e llogarisë ndaj institucioneve, pjesëmarrja aktive, respektimi i lirisë e dinjitetit të çdo njeriu, mbrojtja e të drejtave të qytetarëve e komuniteteve dhe barazia gjinore.

Demokracia e njëmendtë ka nevojë për edukim të shëndoshë qytetar, fuqizim të institucioneve dhe jetës kulturore, si dhe media të pavarura e të përgjegjshme.

Lëvizja BASHKË sheh te shtrirja dhe thellimi i demokracisë politike e shoqërore vetëpërmbushjen historike të popullit shqiptar.

Kapitujt