Programi qeverisës

4. Pjesëmarrja Demokratike

4.6 Pjesëmarrja dhe siguria digjitale

Në një kohë kur teknologjitë zhvillohen me ritme të shpejta dhe çdo aspekt i jetës së përditshme po digjitalizohet, mbrojtja e të drejtave digjitale dhe sigurimi i aksesit të barabartë në teknologji është themelor për çdo agjendë politike progresive. Shqipëria si pjesë e këtij procesi prej disa vitesh ka përqafuar parimet e qeverisjes digjitale, duke ofruar një numër të madh shërbimesh publike në formë elektronike, si dhe duke shtuar ndjeshëm infrastrukturën digjitale që mbështet këto shërbime dhe gjithë mbarëvajtjen e punëve administrative. Ky proces ka ardhur me problematikat e veta, si përjashtim i qytetarëve nga aksesi në shërbime publike, cenim i privatësisë dhe përqendrimi i kontratave për krijimin e dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës së nevojshme në pak kompani të mëdha, vendase apo të huaja, që përveç kostos së lartë, shpeshherë janë shoqëruar edhe me aspekte korruptive. Lëvizja BASHKË është e zotuar ndaj një vizioni të një shoqërie më të drejtë, ku infrastruktura digjitale i shërben të mirës publike, ndihmon në tejkalimin e ndasive digjitale dhe mbron qytetarët nga përgjimi dhe shfrytëzimi i të dhënave të tyre personale. Vetëm kështu mund të krijojmë një të ardhme ku teknologjia është një mjet për demokratizimin e shoqërisë, krijimin e mundësive ekonomike dhe fuqizimin e të përbashkëtës.

Para publike, kod publik

Nisma “Para publike, kod publik” promovon përdorimin e softuerëve me kodburim të hapur për çdo projekt të financuar nga para publike. Fushata është iniciuar disa vite më parë nga Free Software Foundation Europe, organizatë me bazë në Berlini dhe Brukseli, dhe synon të rrisë transparencën, të reduktojë kostot dhe të forcojë sovranitetin digjital për institucionet qeveritare në Evropë.

Softueri i lirë dhe i hapur (Open Source Software, në vazhdim OSS) u lejon institucioneve publike dhe qytetarëve të përdorin, studiojnë, modifikojnë dhe rishpërndajnë programet kompjuterike, ndryshe nga softueri me kod të mbyllur. Për fat të keq, në Shqipëri softueri nuk trajtohet si një pasuri dhe infrastrukturë publike dhe ligjet aktuale nuk i detyrojnë institucionet të përdorin softuer të lirë e të hapur. Kjo ka krijuar një situatë ku pothuajse e gjithë infrastruktura digjitale e qeverisë dhe institucioneve publike përdor softuer të mbyllur, duke shtuar kostot dhe kufizuar transparencën.

Lëvizja BASHKË gjykon se parimet e nismës “Para publike, kod publik” ofrojnë qasjen e duhur për vazhdimin e transformimit digjital në Shqipëri, duke siguruar që ky transformim të sjellë drejtësi shoqërore, transparencë dhe efikasitet.

Ne rekomandojmë marrjen e këtyre masave:

  1. Përshtatja për administratën publike
    • Krijimi i një katalogu kombëtar me programe të hapura të certifikuara nga AKSHI (Agjencia Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit) apo një institucion i ngjashëm.
      Një katalog që përfshin softuerë të testuar dhe të certifikuar për përdorim të sigurt dhe efikas në administratën publike. Shembuj të programeve:
      • Linux - Për sistemet operative të siguruara dhe me fleksibilitet të lartë.
      • LibreOffice - Një alternativë e hapur për redaktimin e dokumenteve dhe prezantimeve.
      • QGIS - Një softuer gjeohapësinor për analiza dhe hartografi në projekte publike.
      • Thunderbird - Për menaxhimin e e-mail-eve dhe kontakteve në administratë.
      • Zammad - Një softuer për menaxhimin e kërkesave dhe ndihmës teknike.
      • Nextcloud: Një softuer për menaxhimin e të dhënave.
    • Instalimi dhe mirëmbajtja e mjeteve OSS.
      Çdo institucion të pajiset me programe OSS për funksione bazë si përpunimi i dokumenteve, menaxhimi i e-mail-eve dhe aksesimi i të dhënave.
    • Kurse teknike për administratën publike.
      Ofrimi i moduleve trajnimi nga ASPA (Shkolla Shqiptare e Administratës Publike) për përdorimin e Linux, LibreOffice, dhe mjeteve të tjera OSS.
    • Certifikimi i stafit të administratës dhe nxitja për përdorimin e OSS.
      Të zhvillohet një sistem certifikimi nga ASPA për aftësitë në përdorimin dhe menaxhimin e teknologjive OSS. Të ketë një sistem bonusesh për angazhimin në kësisoj trajnimesh.
  2. Prokurimi publik të përfshijë programe me kodburim të hapur
    • Rishikimi i ligjit të prokurimit publik.
      Të përfshihet një seksion i veçantë që kërkon përfshirjen e softuerëve OSS në analizën e tregut gjatë prokurimeve publike. Kjo hyn në kontekstin më të gjerë të ripërdorueshmërisë së programeve digjitale - e jetësuar nga shtete si Franca, Gjermania, Italia e Spanja prej më shumë se 8 vitesh.
    • Hartimi i udhëzimeve të reja nga ministritë.
      Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në bashkëpunim me AKSHI-n, të krijojnë udhëzime për promovimin dhe adaptimin e programeve OSS në prokurimet publike. Shembull: Prioritizimi i softuerëve si LibreOffice dhe Nextcloud për zëvendësimin e mjeteve të tjera.
    • Përafrimi i strategjive kombëtare me strategjinë e BE për OSS.
      • Strategjia për Digjitalizimin.
        Të përfshihet OSS si një prioritet për zhvillimin digjital të institucioneve publike.
      • Strategjia për Sigurinë Kibernetike.
        OSS të konsiderohet si një zgjidhje më e sigurt për menaxhimin e sistemeve dhe të dhënave.
    • Krijimi i një strategjie të re për digjitalizimin vetëmenaxhues.
      Strategjia duhet të fokusohet në përdorimin e OSS për të arritur sovranitet digjital dhe ulje të varësisë nga kompanitë e mëdha teknologjike.
  3. Politika të edukimit drejt programeve me kodburim të hapur
    • Përfshirja e OSS në programet mësimore.
      • Në shkolla 9-vjeçare dhe të mesme: Futja e lëndëve që mësojnë bazat e përdorimit të Linux, LibreOffice dhe QGIS.
      • Në universitete: Ofrohen kurse të posaçme për OSS dhe zhvillimin e projekteve në Python, PostgreSQL, dhe QGIS.
    • Laboratorë të pajisur me OSS.
      Të sigurohen laboratorë shkollorë dhe universitarë të pajisur me sisteme Linux dhe mjete OSS për programim dhe analiza.
    • Trajnime për mësuesit.
      Edukimi i mësuesve për të përdorur dhe mësuar OSS në klasë.
    • Fushata për ndërgjegjësimin e studentëve dhe nxënësve.
      Të organizohen aktivitete si hackathone dhe gara për zhvillimin e zgjidhjeve OSS për sfida reale.
  4. Përfshirja e parimit “Para publike, kod publik” në projekte mbi digjitalizimin
    • Integrimi i parimit në projekte me investim nga fondet publike.
      Çdo projekt i financuar nga buxheti i shtetit të kërkojë përdorimin e softuerëve OSS kur është e mundur. Shembuj projektesh të mundshme:
      • Programe për të rinjtë dhe të sapodiplomuarit: Zhvillimi i aftësive teknike në OSS përmes trajnimeve dhe praktikave të mbështetura nga shteti.
      • Startup-e dhe SME: Mbështetje financiare dhe teknike për bizneset e vogla që përdorin OSS për inovacion.
    • Përfshirja në përshkrimet e projekteve.
      Çdo përshkrim projekti të përfshijë si kriter bazë promovimin e OSS dhe të dhënave të hapura.
    • Ndjekja e rezultateve.
      Krijimi i një raporti vjetor mbi efektet dhe rezultatet e përdorimit të OSS në projekte publike.

Aksesueshmëria e ndërfaqeve të shërbimeve publike

Rritja e numrit të shërbimeve publike që ofrohen përmes platformave digjitale si E-Albania ka krijuar situata ku qytetarët janë privuar nga këto shërbime për shkaqe si:

  • pamundësia e aksesimit të shërbimeve prej mungesës së infrastrukturës dhe pajisjeve në zonat e thella;
  • vështirësi në aksesimin e shërbimeve prej mungesës se njohurive teknologjike;
  • ndërfaqe që nuk përmbushin standardet e aksesueshmërisë, duke u pamundësuar personave me aftësi ndryshe qasjen e thjeshtuar ndaj shërbimeve të ofruara;

Për të tejkaluar këtë hendek propozojmë:

  • rihapjen e sporteleve fizike në vendndodhje të volitshme që mbulojnë gjithë territorin e vendit, ku qytetarët mund të drejtohen për të marrë shërbime;
  • implementimin e standardeve të aksesueshmërisë për ndërfaqet digjitale për çdo website qeveritar apo aplikacion ku ofrohen shërbime publike, në mënyrë që të garantohet pjesëmarrja efikase dhe e barabartë e personave me aftësi të ndryshe

Inteligjenca Artificiale dhe algoritma jodiskriminues

Teknologjitë e reja si Inteligjenca Artificiale (IA) apo teknika të ndryshme algoritmike për përmirësimin e punës së administratës ofrojnë mundësi të reja për rritjen e eficiencës dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike. Megjithatë, shpeshherë këto teknologji sjellin probleme të reja si diskriminim i grupeve të margjinalizuara apo mbartin paragjykime që përforcohen nga kodifikimi i tyre në procese teknologjike. Ne propozojmë:

  • transparencë dhe llogaridhënie: algoritmet dhe sistemet IA duhet të jenë të hapura ndaj auditimeve rreth mënyrës se si operojnë, si marrin vendime, ku i marrin të dhënat fillestare apo si trajtojnë të dhënat e përdoruesve;
  • shmangie e paragjykimeve (bias mitigation): implementimi i proceseve rigoroze të testimit dhe vlerësimit të proceseve algoritmike për të eliminuar paragjykimet ndaj grave, minoriteteve etnike, gjinore apo grupeve të tjera të margjinalizuara;
  • përfshirje qytetare: përfshirja e qytetarëve, organizatave të shoqërisë civile dhe ekspertëve në hartimin, implementimin dhe vlerësimin e sistemeve algoritmike dhe IA në shërbime publike.

Aksesi në internet si e drejtë shoqërore

Në shekullin XXI, qasja në internet është kthyer në kush themelor për pjesëmarrjen në jetën sociale, ekonomike dhe politike. Qasja universale në internet është kyç për adresimin e pabarazive mes zonave urbane dhe rurale si dhe mes grupeve të ndryshme socio-ekonomike. Interneti gjithashtu lehtëson dhe krijon mundësi të reja për aksesimin e burimeve edukative dhe pjesëmarrjen qytetare në procese demokratike. Duke njohur internetin si të drejtë shoqërore, institucionet publike do të marrin hapa konkrete që askush të mos mbetet pas në transformimin digjital.