VAZHDOJNË PRESIONET DHE PROVOKIMET - PËRGJEGJËS ERION VELIAJ
Pas vonesave me njohjen ligjore nga ana gjykatësit Agron Zhukri, kësaj radhe është policia e Erion Veliajt që përpiqet të pengojë procesin e mbledhjes së firmave.
Teksa aktivistët e Lëvizjes BASHKË u stacionuan përballë Bibliotekës Kombëtare dhe mirëprisnin qytetarët për të firmosur, dy policë bashkiakë u afruan me pretendimin se nuk kishim leje për atë hapësirë publike.
Edhe këtë herë, si me afatet e gjykatës, Lëvizja BASHKË ka respektuar të gjitha procedurat ligjore duke aplikuar për leje. Është Bashkia Tiranë ajo që – si përherë – është në shkelje të afatit të përcaktuar duke mos e shpallur lejen e kërkuar.
Policët e Erion Veliajt pretenduan se ne duhet të largoheshim deri në momentin kur shefit të tyre t’i donte qejfi që të shpallte lejen. E sikur të mos mjaftonte presioni i tyre, thirrën edhe Policinë e Shtetit.
Këto manovra të ulëta të hyzmeqarëve të Veliajt sigurisht që u pritën me vendosmërinë tonë për të mos lëvizur.
U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të mos bien pre e të tilla provokimeve por të na bashkohen pranë Bibliotekës Kombëtare – sot e përditë deri në orën 18:00 – për të firmosur për kandidimin e një subjekti të ri partiak të cilit ia ka frikën dhe tenton ta pengojë mbarë establishmenti politik.
Bashkë mund t’ia dalim!