NJË TRAGJEDI E PARALAJMËRUAR - SOLIDARITET ME POPULLIN GREK

Qeveria shqiptare e ka shpallur ditën e sotme ditë zie kombëtare për hir të 57 viktimave në shtetin fqinj të Greqisë, pas përplasjes së dy trenave të linjës Selanik-Athinë. Thuajse të gjithë viktimat deri më tani janë studentë, teksa 56 të tjerë konsiderohen të humbur.

Lëvizja BASHKË shpreh solidaritetin e sinqertë me familjarët e viktimave – mes të cilëve edhe dy bashkëkombasit tanë – për këtë tragjedi njerëzore.

Megjithatë, dita e sotme për fqinjët tanë nuk është vetëm ditë zie, por edhe ditë protestash masive. Kryeministri Qiriakos Micotaqis e cilësoi aksidentin si një “gabim njerëzor”, por për protestuesit kjo tragjedi ishte e paralajmëruar preh kohësh, ky ishte “një krim i cili nuk do të harrohet.”

Prej vitesh tashmë sindikatat e punëtorëve të hekurudhave kanë akuzuar qeverinë për shkurtimin e buxhetit për investime të domosdoshme në hekurudha, reduktimin e stafit, për pajisje të vjetruara, infrastrukturë të dëmtuar dhe sinjalistikë të papërshtatshme.

Ndërmarrja shtetërore e hekurudhave në Greqi u privatizua në kulmin e krizës ekonomike që kaploi vendin në dekadën e shkuar. Një faktor përcaktues në keqfunksionimin e hekurudhave ishte copëtimi i shërbimeve në shumë duar kompanish private, qëllimi i vetëm i të cilave ishte fitimi sa më i lartë.

Një situatë e tillë privatizimesh masive në dëm të së mirës publike nuk është e panjohur për shqiptarët. Mjafton të kujtojmë këtu privatizimin e uzinës së rafinerisë së naftës në Ballsh e cila pas privatizimit u plaçkit deri sa në fund iu vu ruspa. Një shembull tjetër është privatizimi i transportit publik në Tiranë, që me çmimin e lartë, vonesat, tejmbushjen, e deri me aksidentet e shpeshta – fatmirësisht deri tani pa viktima – është kthyer në një makth të vazhdueshëm për qytetarët.

Një shtet i shëndoshë është ai që merr përgjegjësinë për shërbime publike cilësore e të sigurta.

Solidaritet me popullin grek!

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/nje-tragjedi-e-paralajmeruar-solidaritet-me-popullin-grek/