TJETËR JAVË E PËRGJAKSHME PËR PUNËTORËT

Minator mbi nje vagon ne nje mal me krom

Sot minatori Naim Alla, 34 vjeç, ka mbetur i plagosur rëndë në galeritë e Bulqizës pas shembjes së një sasie gurësh dhe minerali. Një ditë më parë një 37-vjeçar humbi jetën tragjikisht në Patos, duke rënë nga një lartësi e madhe gjatë punimeve në shtyllat e tensionit të lartë. Disa ditë më parë, një tjetër punëtor ndërtimi ra nga kati i pestë duke humbur jetën. Lëvizja BASHKE iu shpreh ngushëllimet e saj familjarëve dhe të afërmve të viktimave të aksidenteve në punë dhe i uron shërim të shpejtë punëtorit të aksidentuar! Nga ana tjetër, theksojmë se këto vdekje dhe aksidente në punë nuk janë më raste të izoluara, por pjesë e një modeli të mirëstrukturuar të shfrytëzimit të punëtorëve dhe braktisjes së tyre nga shteti. Institucionet që duhet të sigurojnë mbrojtjen e jetës së punëtorëve, duke përfshirë Inspektoratin Shtetëror të Punës, kanë dështuar në mënyrë të përsëritur, duke mos marrë masa për sigurinë e punëtorëve në këto ditë të nxehta. Orët e gjata të punës dhe kushtet e këqija të punës, të nxehtit e papërballueshëm e kanë kthyer vendin tonë në një nga vendet me vdekjet dhe aksidentet më të larta në punë. Lëvizja BASHKË dënon me forcë neglizhencën e shtetit ndaj punëtorëve më të rrezikuar nga të nxehtit dhe puna e vështirë. Kërkojmë llogaridhënie të menjëhershme për këto ngjarje tragjike, hetime të plota dhe transparente për të zbardhur përgjegjësitë dhe për të siguruar që të merren masa konkrete për të parandaluar tragjedi të tilla në të ardhmen. Shteti duhet të marrë përgjegjësitë e veta dhe të vendosë jetën dhe mirëqenien e punëtorëve mbi interesat e oligarkëve dhe fitimet e paligjshme. Lëvizja BASHKË u bën thirrje të gjithë punëtorëve të organizohen në sindikata të reja e të fuqishme. Ne do të na kenë në krah në çdo hap.

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/tjeter-jave-e-pergjakshme-per-punetoret/