TË GJITHA RRUGËT TË ÇOJNË TEK OLIGARKËT
Rrugën Thumanë-Kashar, një nga më të shtrenjtat në historinë tonë moderne, qeveria ia dha oligarkut Bashkim Ulaj, i cili shpenzoi afro 300 milion euro për të korrur mbi 1.3 miliard euro në 35 vitet e ardhshme. Tuneli i Llogarasë, i cili të çon te vilat luksoze të Samir Manes në Palasë, i kushtoi buxhetit të shtetit 170 milion euro dhe në mbarim të vitit elektoral, do ti vihet trau i pagesës. Po jo për milionerët e Green Coast-tit, por për qytetarët e zakonshëm. Rrugën e Kombit, për të cilën qytetarët shqiptarë paguan mbi 1 miliard euro, qeveria ia dha oligarkut Shefqet Kastrati dhe tani e ka nën zotërim oligarku Pëllumb Salillari. Madje qeveria rrahu, arrestoi dhe persekutoi qytetarët kuksianë që protestonin kundër traut. Të gjitha autostradat, tunelet, rrugët qytetase dhe ndërqytetase të çojnë ose te vilat, ose te qendrat tregtare dhe llogaritë bankare të një grushti njerëzish, ortakë me Edi Ramën dhe ministrat e tij. Sakaq, qytete, fshatra, biznese, arka e shtetit vidhen dhe rrënohen. Kësisoj, një grup aktivistësh të Lëvizja BASHKË shpalosi banderolën në rrugën e Bashkim Ulajt, në Thumanë-Kashar, për të denoncuar aleancën e qeverisë me oligarkinë, një aleancë që Lëvizja BASHKË dhe populli shqiptar do ta shkatërrojnë heret a vonë, si një e keqe e madhe që duhet të marrë fund një orë e më parë.