Dua të votoj 2025

Aktivistët e Lëvizjes BASHKË sot iu bashkuan protestës për njohjen e të drejtës së votës së emigrantëve që jetojnë jashtë vendit, duke treguar një angazhim të fortë për të drejtat demokratike të të gjithë shqiptarëve, pavarësisht vendndodhjes së tyre. Siç e kemi shprehur edhe në Manifestin e Lëvizjes, ne e konsiderojmë votën e shqiptarëve që janë detyruar të emigrojnë për shkak të keqqeverisjes, një të drejtë themelore dhe të patjetërsueshme. Shqiptarët që kanë lënë vendin për një jetë më të mirë, nuk duhet të privohen nga e drejta për të zgjedhur qeverisjen e vendit të tyre. Ata janë pjesë e pazgjidhshme e shtetit dhe kontributi i tyre është i domosdoshëm për të ardhmen e Shqipërisë. Ne themi atë që besojmë, ne e besojmë atë që themi, ne veprojmë për atë që themi. Angazhimi ynë për drejtësi dhe demokraci është i palëkundur, dhe do të vazhdojmë të luftojmë për një Shqipëri ku të gjitha zërat, brenda dhe jashtë vendit, të dëgjohen dhe të respektohen. #duatevotoj2025