Takim me eurodeputetë dhe anëtarë të Partisë së Gjelbër Evropiane

Foto nga takimi me eurodeputetët e Green/EFA

Sot, kryetari i Lëvizjes BASHKË, Arlind Qori, dhe anëtarja e Këshillit Koordinues, Mirza Balaj, zhvilluan një takim me një delegacion të përbërë nga eurodeputetë dhe deputetë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Delegacioni përfshinte eurodeputetët Tineke Strik, Jutta Paulus dhe Daniel Freund, si edhe deputetët Boris Mijatović (Gjermani), Vula Tsetsi (Greqi) dhe Jelena Miloš (Kroaci).

Gjatë takimit u diskutua mbi zhvillimet politike në Shqipëri, protestat qytetare dhe kërkesat e tyre për dorëheqjen e qeverisë, mbrojtjen e zonave të mbrojtura dhe trashëgimisë kulturore, forcimin e shtetit të së drejtës, luftën kundër korrupsionit, si dhe nevojën për reforma demokratike që garantojnë kontroll dhe balancë më të fortë të institucioneve.

Delegacioni shprehu gatishmërinë për të forcuar zërin e protestuesve pranë institucioneve evropiane dhe interes për të kuptuar më mirë procesin e hartimit të ligjeve me porosi, si ligji i amenduar i zonave të mbrojtura, ligji për investimet strategjike, Paketa e Maleve, si dhe projektligji që po diskutohet së fundmi për shitjen e tokës bujqësore shtetasve të huaj.

Nga ana e saj, Lëvizja BASHKË u bëri thirrje eurodeputetëve që të bëhen zëri i qindra mijëra shqiptarëve që po protestojnë brenda dhe jashtë Shqipërisë për demokraci, shtet të së drejtës dhe mbrojtjen e pasurisë publike.