TAKIM I FRYTSHËM ME PËRFAQËSUESIT E MERA25
Sot një grup përfaqësuesish të Lëvizjes BASHKË u takuan në Athinë me përfaqësuesit e partisë parlamentare të së majtës greke MERA25, të kryesuar nga ish-ministri i Financave të Greqisë dhe një prej intelektualëve më të rëndësishëm evropianë Janis Varufakis.
Gjatë takimit diskutuam për situatat politiko-shoqërore përkatëse në Shqipëri e Greqi, duke vënë në dukje të përbashkëtat dhe dallimet në to. Rëndësi ka, në të dyja vendet, përpjekja e lëvizjeve shoqërore për t'iu kundërvënë oligarkisë ekonomike dhe një sistemi të korruptuar politik.
Fokus të veçantë në bisedën tonë mori çështja e emigrantëve shqiptarë në Greqi, të drejtave të tyre të nëpërkëmbura dhe mundësive për të avancuar statusin e tyre në shoqërinë greke. Mësuam me kënaqësi që në programin e MERA25 shtrohet me përparësi çështja e luftës kundër racizmit dhe diskriminimit ndaj shqiptarëve, si dhe propozimi që çdo emigrant në Greqi të ketë të drejtë të fitojë shtetësinë greke pas dy viteve qëndrim në vend.
Në fund të takimit, kryetari i MERA25 shprehu publikisht mbështetjen e tij për kandidimin e Lëvizjes BASHKË në Bashkinë e Tiranës.