STEFANO BOERI: FYTYRA E "BETONIZIMIT TË MADH" TË TIRANËS

Gjatë viteve të fundit Edi Rama e ka paraqitur betonizimin e Tiranës si një arritje madhështore dhe komplekse, duke u përpjekur për t'i bindur qytetarët se kjo është pjesë e një vizioni të avancuar urbanistik, të cilin njerëzit e zakonshëm nuk mund ta kuptojnë. Ky "vizion" i ka mbështetur pretendimet mbi emra të famshëm si Stefano Boeri, arkitekti italian i njohur për projektet e tij të gjelbërta dhe inovative. Por tani, me akuzat për korrupsion ndaj Boerit nga Prokuroria e Milanos, kjo alibi ka rënë dhe, bashkë me të, është zhbërë edhe iluzioni i një Tirane të ndërtuar për të mirën publike.
Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij e kanë promovuar fort idenë e Pyllit Orbital, një projekt ambicioz që do të krijonte një brez të gjelbër rreth Tiranës. Por në vend të mbjelljes së milionave pemë, janë mbjellë miliona metra katrorë beton, duke e shndërruar Tiranën në një kantier të pafund ndërtimi. Qyteti, i mbuluar nga pluhuri dhe ndotja, është bërë një terren i artë për pastrimin e parave të pista, ndërsa hapësirat publike dhe standardet e jetesës janë në rënie të vazhdueshme.
Akuzat ndaj Stefano Boerit për manipulim të ofertave dhe korrupsion në projektin e Bibliotekës Evropiane të Informacionit dhe Kulturës (BEIC) në Milano, hedhin një dritë të re mbi projektet e tij në Shqipëri. Studioja e Boerit ka përfituar drejtpërdrejt nga projektet që ai vetë i ka hartuar, përfshirë ndërtimin e "Tirana Riverside" dhe disa shkolla në kryeqytet, pa asnjë konkurs të hapur apo transparencë.
Rezultati i këtij "urbanizimi të madh" është një qytet gjithnjë e më i papërballueshëm për shtresën e mesme dhe qytetarët e varfër. Çmimet e apartamenteve janë rritur në nivele absurde, duke e bërë pothuajse të pamundur që një familje e zakonshme të blejë një shtëpi në Tiranë. Ndërkohë, paratë e pista që rrjedhin nga trafiku i drogës dhe aktivitetet e tjera të paligjshme kanë gjetur strehë në kullat e larta dhe projektet e mëdha ndërtimore, duke përjetësuar një model ekonomik që përjashton qytetarët e ndershëm.
Kjo situatë është një pasqyrë e politikave të njëanshme dhe të papërgjegjshme që favorizojnë oligarkët dhe mafien e ndërtimit, ndërsa qytetarët përballen me një mjedis gjithnjë e më të vështirë për të jetuar. Hapësirat publike janë reduktuar, trafiku është rënduar dhe ndotja vret çdo vit rreth 3 mijë njerëz në kryeqytet.
Stefano Boeri nuk është thjesht një arkitekt; ai është një simbol i propagandës së Edi Ramës. Ai është "ambalazhi" që Rama ka përdorur për të mbuluar shpërfytyrimin e Tiranës dhe për të justifikuar ndërtimet masive që pasurojnë një grusht individësh dhe shkatërrojnë jetën e shumicës.
Nëse në Itali Prokuroria e Milanos ka nisur një hetim të plotë mbi manipulimet dhe korrupsionin e Boerit, Shqipëria mbetet larg një realiteti të tillë. Institucionet shqiptare, të kapura nga interesat e ngushta politike dhe ekonomike, nuk kanë bërë asnjë hap për të hetuar ndonjë prej këtyre praktikave të dyshimta.
Në fund të ditës, përgjegjësia për betonizimin e Tiranës nuk qëndron vetëm mbi Stefano Boerin, por mbi Edi Ramën, Erion Veliajn dhe gjithë sistemin që ata kanë krijuar. Boeri është thjesht një mjet në duart e një pushteti që ka kthyer qytetin në një monopol përfitimesh për oligarkët dhe trafikantët. Ajo që mbetet për qytetarët është një qytet gjithnjë e më pak i jetueshëm, më pak i gjelbër dhe më i paarritshëm ekonomikisht.
Tirana nuk ka nevojë për më shumë kulla, më shumë beton apo më shumë projekte luksi. Ajo ka nevojë për një vizion që vendos jetën e qytetarëve përpara fitimeve të oligarkëve dhe për një drejtësi që vendos përpara përgjegjësisë ata që e kanë shpërfytyruar qytetin. Rasti i Stefano Boerit duhet të shërbejë si një pikënisje për të kërkuar llogari dhe për të ndalur këtë shpërdorim të turpshëm të Tiranës dhe të të ardhmes së saj.