Skandali i Inceneratorit, Erion Veliaj në Krye të Korruptuarve
Dje SPAK-u ka lëshuar 15 urdhër-arreste në lidhje me skandalin e inceneratorit të Tiranës, një çështje që ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik për shkak të mungesës së hetimit ndaj drejtuesve të lartë të Bashkisë së Tiranës, veçanërisht Erion Veliajt. Ky i fundit ka nënshkruar shkresën për inceneratorin, por ende nuk është përfshirë në hetimet e SPAK. Kjo ngjall dyshime në publik për një hetim të paplotë, duke lënë të kuptohet se mund të ketë një përpjekje për të mbrojtur figurat e larta politike. Në të njëjtën mënyrë prokuroria ka vepruar edhe me ish-ministrin Ilir Beqja.
Erion Veliaj është i përfshirë edhe në çështje të tjera të kontestuara, siç janë përgjimet e Ndragheta-s që tregojnë pastrimin e parave nëpërmjet projekteve të ndërtimit të kullave në Tiranë. Këto akuza janë shumë serioze dhe kërkojnë një hetim të thellë dhe të paanshëm.
Përveç kësaj, Veliaj është i akuzuar edhe për shembjen e Teatrit Kombëtar pa marrë miratimin e Këshillit Bashkiak, një vendim që shkaktoi protesta të mëdha dhe kritika të ashpra nga komuniteti artistik dhe qytetarët. Kjo veprimtari ka ngritur pyetje mbi transparencën dhe proceset vendimmarrëse në Bashkinë e Tiranës. Gjithashtu, rasti tragjik i vdekjes së Ardit Gjoklajt në landfillin e Sharrës, ku Veliaj akuzohet si përgjegjësi kryesor, është një tjetër shembull i mungesës së përgjegjësisë dhe paprekshmërisë së të fuqishmëve.
Këto e të tjera çështje të pahetuara lënë hapësirë për dyshime mbi efektivitetin dhe paanshmërinë e sistemit të ri të drejtësisë. Publiku kërkon transparencë dhe drejtësi. Besueshmëria e institucioneve të drejtësisë do të varet nga guximi dhe paanësia për t'iu shkuar skandaleve korruptive deri në fund.
Pavarësisht ardhmërisë së hetimeve, skandalet e mësipërme do të kërkonin së paku dorëheqjen e një zyrtari të përgjegjshëm. Po Erion Veliaj nuk ka lidhje me përgjegjshmërinë dhe as etikën qytetare. Në mungesë të institucioneve të drejtësisë, nga karrikja e korrupsionit mund ta shkulin vetëm qytetarët e Tiranës.