KULLA ME PARA BORXH

Edi Rama dhe Erion Veliaj me ne sfond projekti LAna Riverside Residence

U desh vetëm një ditë që kulla e BKT-së të ishte në vendin e parë, si më e larta në Tiranë. Në media ka dalë leja e miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit për Lana Riverside Residence, që do të jetë kulla 204.5 metra (56 kate) e lartë. Kompania e ndërtimit zotërohet në masën 100% nga Lefter Sota. Kjo kompani njihet edhe si ndërtuese e dy kullave të tjera, por në QKB rezulton me bilanc negativ. Pra, një kompani në borxhe do të ndërtojë kullën më të lartë në Tiranë. Leja për një projekt kaq të madh nga një kompani me bilanc negativ, shpreh një paradoks në procesin e lejeve dhe në vlerësimin e subjekteve që merren me ndërtim në Tiranë. Pastrimi i parave në sektorin e ndërtimit është një problem serioz që ka ndikim të thellë në ekonominë dhe integritetin e një vendi. Ndërsa sektori i ndërtimit rritet, ka tendencë që tërheq vëmendjen e aktiviteteve të paligjshme financiare dhe pastrimit të parave. Kompanitë e ndërtimit, në disa raste, mund të përdorin ndërtime të mëdha si një mjet për të futur paratë e fituara nga aktivitete të tjera ilegale apo për të legalizuar fitimet e marra nëpërmjet veprimeve të dyshimta. Kjo mund të përfshijë shpërdorime të lejeve ndërtimore, fatura të rreme dhe transaksione të dyshimta financiare që mund të maskohen pas komplekseve të ndërtimeve. Vetëm një hetim i thelluar mbi burimet e parave që hidhen në ndërtimin e kullave të reja në Tiranë, nga kompani anonime ose satelite, mund t’u jepte përgjigje dyshimeve të arsyeshme të të gjithëve ne. SPAK-u duhet të angazhohet në hetimin e këtyre subjekteve për të zbuluar burimet dhe rrjedhën e parave, si dhe të identifikojë nëse ekzistojnë lidhje me individë apo entitete të dyshimta. Në veçanti, një hetim duhet të fokusohet edhe në rolin e drejtuesve të lartë politikë, si Erion Veliaj dhe Edi Rama, në miratimin dhe mbikëqyrjen e këtyre lejeve të ndërtimit. Hetimi duhet të shqyrtojë ndikimin e mundshëm të politikës në procesin e lejeve dhe të vlerësojë nëse ka pasur shfrytëzim të pozitave politike për përfitime personale apo përfitime të kompanive të caktuara. Në këtë mënyrë, do të ndihmonim në sigurimin e drejtësisë dhe pavarësisë së institucioneve, duke adresuar çështjet e mundshme të korrupsionit dhe shkeljeve të ligjit në sektorin e ndërtimit në kryeqytet. Nëse institucionet e reja të drejtësisë nuk hetojnë edhe ata që po e shkatërrojnë sot Tiranën dhe Shqipërinë, nuk është drejtësi e re, por drejtësi në duar të reja.

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/kulla-me-para-borxh/