SHTETI NË GRUSHTAT E GANGSTERËVE

Automjete të policisë së shtetit dhe foto e Egli Proga

Egli Proga, 42 vjeç, babai i dy fëmijëve, gjeti vdekjen në qytetin e Pogradecit për shkak të dhunës brutale të Dionis Meçes, i njohur si njeri problematik dhe me lidhje të forta familjare me Partinë Socialiste. Vrasja e dytë e të ndjerit Egli Proga ndodhi kur vrasja u tentua të fshihej. Sot familjarët e Egli Progës flasin për banditët me pushtet politik në Pogradec që ende po tentojnë të manipulojnë ngjarjen dhe të fshehin gjurmët e të gjithë përgjegjësve të këtij krimi makabër. Ky nuk është rasti i parë kur organet shtetërore, sidomos Policia e Shtetit, kanë mbjellë konfuzion në opinionin publik ose kanë tentuar të fshehin dinamikën dhe motivet e vrasjeve. Spikat në këtë aspekt reagimi i parë i Policisë së Shtetit ndaj vrasjes së djalit të ri Klodian Rasha nga një punonjës policie në dhjetorin e vitit 2020. Ashtu siç policia dhe mediat e pushtetit e quajtën të parin kriminel, narkoman, të armatosur, ashtu e quajtën në fillim edhe Egli Progën të alkoolizuar që gjeti vdekjen nga marramendja. Linçimi i viktimës është metoda për të fshehur agresorin dhe gangsterët me pushtet që mbledhin vota për partinë, që ngarkojnë dhe shkarkojnë drejtorët dhe që kanë në kontroll jetën ekonomike të lokaliteteve. Është pikërisht kjo arsyeja përse kryeministri Edi Rama reagoi i nervozuar për ngjarjen në fjalë, kurse kreu i policisë Muhamet Rrumbullaku kërcënoi me ndjekje penale gazetarë që, sipas tij, "dezinformonin". Ata që duhej të merrnin përgjegjësi publike dhe të shkarkonin të gjithë drejtuesit e policisë së Pogradecit, sot vazhdojnë të manipulojnë opinionin publik dhe të fshehin mbështetësit e vrasësit. Vdekja e qytetarit Egli Proga, nga ana tjetër, nuk është thjesht vrasje nga pakujdesia, siç e cilëson paturpësisht prokuroria. Ajo është vrasje e drejtpërdrejtë nga një regjim që ka gjunjëzuar shtetin, qytetet dhe popullatën nën këmbët e cilitdo krimineli ordiner me një grusht votash dhe parash të ndyra. Lëshimi i ligjshmërisë është një gjest, pasojat e të cilit shqiptarët i kanë vuajtur dhe i kujtojnë fare mirë. Lëshimi i ligjshmërisë për aleatët e tij, elementin kriminal, është një nga veprat më të dënueshme të Edi Ramës në dekadën e sundimit. Është sulm ndaj të ardhmes së shqiptarëve. Është vija e kuqe. Bashkëqytetarë! Vetëm solidariteti, ngritja e zërit dhe mospërkulja përballë së keqes do të na shpëtojë nga pushteti i gangsterëve dhe pushtetarëve të korruptuar.

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/shteti-ne-grushtat-e-gangstereve/