SHQIPËRIA NUK ËSHTË KOSHI I PLEHRAVE TË EVROPËS
Shqipëria, një vend me pasuri natyrore dhe potencial të madh për zhvillim të qëndrueshëm, po përballet përsëri me kërcënimin e shndërrimit në një kosh plehrash për Europën, për interesat e një grushti të vogël njerëzish me pushtet ekonomik. Nën maskën e "zhvillimit", qeveria e Edi Ramës po përpiqet të rikthejë ligjin për importin e mbetjeve, një akt që është i rrezikshëm jo vetëm për mjedisin, por edhe për shëndetin e qytetarëve dhe sovranitetin e vendit tonë.
Statistikat janë tronditëse: 5000 shqiptarë humbasin jetën çdo vit për shkak të ndotjes së ajrit, 3000 prej tyre vetëm në Tiranë. Ky është një tregues i qartë i krizës mjedisore e shëndetësore që ka mbërthyer vendin tonë. Mbetjet e importuara nga Europa, të cilat mund të përfshijnë edhe mbetje të rrezikshme, do ta rëndojnë më tej gjendjen.
Kjo nuk është një nismë e izoluar. Prej vitesh, Shqipëria është përdorur nga mafia për pastrimin e parave të pista përmes ndërtimit të kullave luksoze në Tiranë dhe resorteve në bregdet. Këto ndërtime nuk janë vetëm monumente të korrupsionit, por edhe pika strategjike për përforcimin e ndikimit të mafias në vend. Me projektligjin e fundit, mafia synon të thellojë kontrollin e saj mbi ekonominë shqiptare, duke e kthyer vendin tonë në një pikë grumbullimi për mbetjet e rrezikshme të Europës.
Ky propozim vjen në një kohë kur qeveria Rama është përfshirë në një nga skandalet më të mëdha të korrupsionit, atë të inceneratorëve. Mafia e inceneratorëve, e cila tashmë ka futur duart në fonde publike përmes kontratave të dyshimta dhe pastrimit të parave, tani synon të zgjerojë ndikimin e saj përmes importit të mbetjeve. Ky është një sulm i hapur ndaj shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve, një akt i papërgjegjshëm që tregon qartë se kjo qeveri është e paaftë të administrojë mbetjet e saj, e jo më të menaxhojë mbetjet e Europës.
Skandali i fundit që përfshin transportin kontrabandë të 800 tonë mbetjeve të rrezikshme nga Shqipëria drejt Tajlandës tregon se portet tona, të cilat janë bërë pika kyçe për trafikun e drogave të forta, po përpiqen të përdoren edhe për kontrabandimin e mbetjeve toksike.
Në këtë lojë të pistë të pasurisë dhe pushtetit, Shqipëria po reduktohet në një vend ku Europa hedh mbetjet e saj, ndërsa një grusht i vogël njerëzish me pushtet përfitojnë privilegjet. Ky është vizioni i satrap Edi Ramës për vendin tonë: një Shqipëri e varfër dhe e nëpërkëmbur, ku oligarkët dhe mafia kontrollojnë jetën ekonomike dhe shoqërore.
Lëvizja BASHKË do të luftojë pa kompromis kundër këtij vizioni shkatërrues. Vendi ynë nuk mund të bëhet kosh plehrash për Europën. Ne kemi nevojë për një qeverisje të përgjegjshme dhe të drejtë, në shërbim të popullit.