PSE KANË FRIKË NGA QYTETARËT?
Sot u përjashtova nga mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, sepse kërkova që të futej në rendin e ditës një projektvendim në mbështetje të kërkesave të mijëra qytetarëve që prej më shumë se dy muajsh protestojnë çdo ditë në mënyrë paqësore.
Çfarë kërkonte ky projektvendim?
Së pari, që Këshilli Bashkiak i Tiranës të shprehte zyrtarisht mbështetjen për të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të protestuar dhe të pranonte se kërkesat e tyre meritojnë shqyrtim institucional. Më pas, që Këshilli t'u bënte thirrje institucioneve qendrore të merrnin në shqyrtim kërkesat e protestuesve, si edhe të informonin publikisht qytetarët për qëndrimin e tyre ndaj këtyre kërkesave.
Relacioni shoqërues ishte po aq i qartë. Ai argumentonte se Këshilli Bashkiak është organi përfaqësues i qytetarëve të Tiranës dhe ka jo vetëm të drejtën, por edhe përgjegjësinë të dëgjojë dhe të përfaqësojë zërin e tyre kur ata ushtrojnë në mënyrë paqësore të drejtën kushtetuese të protestës. Po ashtu, theksohej se projektvendimi nuk synonte të merrte kompetencat e institucioneve qendrore, por vetëm të shprehte një qëndrim institucional dhe t'u përcillte kërkesat e qytetarëve organeve përgjegjëse për shqyrtim.
Unë nuk kërkova që këto kërkesa të miratoheshin automatikisht. Kërkova vetëm që ato të futeshin në rendin e ditës, të diskutoheshin dhe që çdo këshilltar të merrte përgjegjësinë për votën e tij.
Por kjo nuk u lejua.
Në vend të debatit, kryetarja e Këshillit Bashkiak, Megi Fino, vendosi të më përjashtojë nga mbledhja. Në vend që të dëgjohej zëri i qytetarëve, u mbyll mikrofoni. Kjo nuk është thjesht historia e përjashtimit tim. Është historia e një institucioni të zhytur në korrupsion dhe që refuzon të diskutojë kërkesat e qytetarëve edhe kur ato paraqiten në rrugën më normale dhe më demokratike.
Pse kanë kaq shumë frikë nga qytetarët?