Protestë për Statusin e Minatorit

Emiljando Kita duke folur me megafon ne protesten e minatoreve prane parlamentit

Minatorët, përfaqësues të një prej profesioneve më të vështira dhe më të rrezikshme, kanë dalë për të kërkuar të drejtën themelore të Statusit të Minatorit. Ata janë të armatosur vetëm me zërin e tyre, shpirtin e luftëtarit dhe kërkesat legjitime për një jetë më të mirë. Pankartat e tyre të ngritura lart përshkruajnë realitetin ku jeton shumica e shqiptarëve: ndërsa pasuritë e popullit vidhen, shumica e qytetarëve po përpiqen të mbijetojnë. Kemi dëgjuar me dhimbje fjalët e një prej minatorëve, i cili ka dhënë 40 vite të jetës së tij për të ndihmuar në ndërtimin e shtetit, dhe sot është i detyruar të përballet me një pension të pamjaftueshëm dhe me barrën e pafund të shpenzimeve mjekësore. Në fillim të protestës legjitime, forcat e policisë tentuan të pengonin protestën, madje pati raste të ushtrimit të dhunës ndaj minatorëve; aq sa u desh ardhja e një ambulance. Aktivistët e Lëvizjes BASHKË ishin edhe në protestën e sotme në krah të minatorëve protestues. Ne i mbështesim plotësisht minatorët në kërkesën e tyre për njohjen ligjore të "Statusit të Minatorit" - një status që do t'iu garantonte pension dinjitoz, kontrolle shëndetësore falas, sigurim për familjet e tyre në rast humbjeje jete dhe ilaçe të rimbursueshme. Ky është një borxh i pashlyer i shtetit shqiptar ndaj atyre që kanë ndërtuar dhe vazhdojnë të ndërtojnë këtë vend me djersën e gjakun e tyre. Ky është momenti për të treguar përgjegjësi kolektive, për një zgjidhje të qëndrueshme dhe të ndershme, që do të respektojë dinjitetin dhe të drejtat e punëtorëve të nëntokës. Për një Shqipëri më të mirë, të gjithë duhet të luftojmë #bashkë!

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/proteste-per-statusin-e-minatorit/