Pensionistët Bashkë

Fotografi në fund të takimit me pensionistët ne selinë e Lëvizjes BASHKË

Sot paradite përfaqësues të Lëvizjes BASHKË u takuan për herë të dytë me pensionistë të profesioneve të ndryshme. Bashkë me ta ndamë shqetësimin dhe indinjatën për nivelin shumë të ulët të pensioneve në vend. Edhe më revoltuese është gjendja e pensionistëve kur ballafaqohet indeksimi qesharak (4.1%) i qeverisë shqiptare me rritjen e pensioneve në vendet e tjera të rajonit, duke nisur nga Kosova e cila i rriti pensionet me 20%. Çdo vend i rajonit i ka më të larta pensionet sesa Shqipëria, ndonëse Edi Rama dhe ministrat e tij mburren me “mrekullinë” ekonomike shqiptare.

Në Shqipëri pensioni minimal është 8500 lekë (rreth 85 euro), kurse pensioni mesatar 18,000 lekë (180) euro. Në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor pensionet mesatare janë në këtë nivel: Kosova 228 euro, Bosnje-Hercegovina 340 euro, Maqedonia e Veriut 405 euro, Serbia 440 euro dhe Mali i Zi 450 euro. Arsyeja pse në Shqipëri pensionet janë në këtë pikë është sepse fatkeqësisht vendi ynë ka qeverinë më të paaftë dhe kryeministrin më të korruptuar të Evropës.

Në takim u vendos me konsensus të plotë shtrirja e organizimit me pensionistë të të gjitha kategorive dhe profesioneve, por edhe ndërtimi i urave të bashkëpunimit me punëtorët dhe të gjitha shtresat shoqërore që kanë nevojë për dorën sociale të shtetit, duke nisur nga vendosja e të drejtës sociale më të rëndësishme: minimumi jetik.

Lëvizja BASHKË do të qëndrojë gjithmonë me vendosmëri në krah të pensionistëve për pensione dinjitoze dhe shërbime sociale cilësore.

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/pensionistet-bashke/