NUK DUHET TË PAGUAJNË QYTETARËT PËR XHEPAT E PRIVATËVE

Autobus i linjës së unazës duke pritur në stacion

Transporti publik në Tiranë po zhytet çdo ditë e më shumë në kaos. Reduktimi i flotës me 40% është vetëm simptoma më e fundit e një modeli të dështuar, ku interesat private vendosen mbi nevojat e publikut.

Këto kompani, që operojnë në kushte monopoli dhe përfitojnë fonde publike, nuk respektojnë as standardet minimale të shërbimit. Megjithatë, në vend që të mbajnë përgjegjësi, kërkojnë më shumë para nga qytetarët, duke e kthyer çdo krizë në një mundësi për përfitim.

Bashkia e Tiranës, në vend që të mbrojë interesin publik, ka zgjedhur të subvencionojë këtë model, duke transferuar miliona euro nga taksat e qytetarëve drejt kompanive private.

Zgjidhja nuk mund të vijë duke rënduar më tej xhepat e qytetarëve. Nevojitet një ndryshim rrënjësor: transporti publik duhet të kthehet në shërbim publik të vërtetë, me menaxhim transparent, investime në flotë moderne dhe standarde të detyrueshme shërbimi. Çdo kompani që shkel kontratën duhet të penalizohet dhe të largohet.

Qytetarët e Tiranës nuk janë bankomat. Paratë publike duhet të shkojnë për shërbime publike, jo për të mbushur xhepat e privatëve. Ky model duhet të marrë fund!