KUSH I KA DUART ME GJAK PUNËTORËSH?

Samir Mane, nje puntor ndertimi dhe univers city

Sot në mëngjes një punëtor 38-vjeçar ka vdekur duke punuar në ndërtimin e një prej pallateve të kompleksit Univers City në pronësi të oligarkut Samir Mane, i njohur më herët edhe si pronar famëkeq i galerisë kryesore të minierës së Bulqizës, ku shumë minatorë kanë lënë kockat.

Policia e Shtetit është mjaftuar më dy gisht letër njoftim ku nuk përmendet as emri i kompleksit, as se në pronësi të kujt është. Deri më tash ngjarjen e rëndë e kanë raportuar vetëm katër portale lajmesh. Një e pestë, që e kishte raportuar, e ka fshirë më pas lajmin. Me gjasë, shumë shpejt edhe portalet e tjera do ta zhdukin lajmin. Ndërkohë që, si gjithmonë, Policia e Shtetit dhe Prokuroria do të ngarkojnë me faj viktimën ose përgjegjësia nuk do të shkojë më lart se ndonjë përgjegjës i ulët turni.

Në Shqipëri të drejtat e punëtorëve nëpërkëmben çdo ditë e më shumë. Prej vitesh Inspektorati i Punës nuk bën publike shifrat e vdekjeve dhe të aksidenteve në punë. Prej raportimeve të pamjaftueshme mediatike vihet re se sektori i ndërtimit është më i prekshmi nga vdekjet në punë, i pasuar nga minierat. Në pronësi të oligarkëve ose i financuar nga krimi i organizuar, sektori i ndërtimit ka edhe mundësinë t’i fshehë më kollaj aksidentet, sidomos vdekjet në punë, si dhe të përfitojë amnisti ndaj hetimit të plotë të rrethanave dhe përgjegjësve realë të këtyre aksidenteve.

Ndërkohë që punëtorët vdesin, gjymtohen, keqpaguhen dhe nënçmohen, nga Shqipëria po largohen gjithnjë e më shumë qytetarë në moshë pune dhe me kapacitete produktive. Largohen sepse çdo ditë e më shumë e kuptojnë se në Shqipëri nuk çan dot përmes punës së ndershme, se e njëjta punë në një vend tjetër të siguron mjaft më shumë të ardhura dhe siguri. Sepse vendet e tjera nuk qeverisen nga kryeministra që mburren me mosekzistencën e sindikatave dhe nuk u shërbejnë kaq paturpësisht orekseve kriminale të oligarkëve.

Lëvizja BASHKË, duke i shprehur ngushëllimet e sinqerta familjes së punëtorit të vdekur, kërkon me forcë nga organet e drejtësisë zbardhjen e rrethanave të këtij aksidenti, duke vendosur përpara përgjegjësisë këdo që ka lyer duart me gjak punëtori. Po ashtu u bëjmë thirrje të gjithë punëtorëve që të gjenden pranë njëri-tjetrit, të organizohen në sindikata te reja e të fuqishme. Ne do të na keni gjithmonë në krah.

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/kush-i-ka-duart-me-gjak-punetoresh/