NJË DITË E RE PËR DEMOKRACINË TONË
Sot në mëngjes ka nisur kongresi i dytë i Lëvizjes BASHKË. Delegatë të shumtë nga e gjithë Shqipëria dhe vendet kryesore të diasporës janë mbledhur në sallën e Albanologjisë së Pallatit të Kongreseve për të diskutuar dhe vendosur për të ardhmen e Lëvizjes sonë.
Pas diskutimeve të shumta mbi gjendjen socio-ekonomike dhe dinamikat politike në vend, delegatët e kongresit ndanë mendime dhe në fund miratuan me votë disa ndryshime të rëndësishme dhe demokratizuese të Statutit të Lëvizjes BASHKË. Këtu mund të veçohet ulja e moshës së anëtarësimit në 16 vjeç, sipas përvojës më të mirë të partive përparimtare nëpër botë.
Kongresi rizgjodhi, për një mandat të dytë dyvjeçar, Arlind Qorin si kryetar të Lëvizjes BASHKË.
Ndërkohë, po vazhdon numërimi i votave për 49 anëtarët e Këshillit Koordinues, si organi më i lartë vendimmarrës i Lëvizjes midis dy kongreseve.
Lëvizja BASHKË është e vendosur që frymën e brendshme të demokracisë dhe solidaritetit ta shtrijë sa më gjerësisht në shoqëri.
Sfidat që na presin janë të mëdha dhe historike. Po me fuqinë dhe mbështetjen e aktivistëve, anëtarëve dhe mbështetësve gjithnjë e më të shumtë të Lëvizjes BASHKË do t'ia dalim.
Modeli i qeverisjes në Shqipëri duhet të ndryshojë sa më parë sipas idealeve të drejtësisë shoqërore dhe demokracisë së vërtetë. Lëvizja BASHKË zotohet të jetë shtylla kurrizore e këtij transformimi.